Paralajmërimi për tronditje në Policinë e Kosovës ndodhi 10 muaj më herët, priten arrestimet e radhës!

Politika

Paralajmërimi për tronditje në Policinë e Kosovës ndodhi 10 muaj më herët, priten arrestimet e radhës!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 16 tetor 2019 Në ora: 15:10
Policia e Kosovës

Ishte 30 dhjetori i vitit të kaluar, në prag të ndërrimit të motmoteve kur gazeta “Bota sot”, kishte shkruar se priten arrestime të mëdha të Policisë së Kosovës, në Mitrovicën veriore pas përfshirjes së tyre në krim të organizuar dhe korrupsion.

Po këtë ditë, kishim paralajmëruar se viti 2019 pritet të jetë mjaft dinamik për Kosovën e konkretisht për pjesën veriore.

Ne kemi shkruar për sfidat e mëdha gjatë këtij vitit me të cilat do të ballafaqohet Kosova.

Paralajmërimi për arrestime të hatashme brenda Policisë së Kosovës sot doli të jetë i vërtetë.

Burimet e gazetë “Bota sot”, kishin treguar se në Policinë e Kosovës, në veri dhe jug, shumë shpejt pritet që të ndodhin arrestime të zyrtarëve policor, për shkak të përfshirjes së tyre në gjëra të kundërligjshme.

“Arrestimi pritet të ndodh për shkak se disa zyrtar Policor, janë të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Gjithashtu ata janë përfshirë edhe në kontrabandë, e cila kryhet me vite të tëra në Mitrovicë, pra në pjesën e okupuar nga Serbia, në veri”.

Gjithnjë sipas burimit të gazetës “Bota sot”, në katër komunat e veriut të Kosovës, e në veçanti në Mitrovicë, çka do që të ndodhë, si në përleshje, kontrabandë apo në gjëra tjera të jashtëligjshme, gjithmonë ka të përfshirë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, konkretisht të minoritetit serb, por duke mos anashkaluar edhe bashkëpunimin me shqiptar.

“Dihet mirë se, në Policinë e Kosovës janë futur pjesëtarë serbë të ashtuquajtur “Rojet e Urës”, shumica prej tyre kanë qenë pjesë aktive e policisë serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ata pra, janë të përfshirë në krime edhe në kohën e luftës, por krimet e tyre kanë vazhduar edhe pas luftës në Mitrovicë. Ata edhe sot vazhdojnë të bëjnë gjëra të jashtëligjshme, pra e kanë vazhduar kriminalitetin e tyre edhe pas veshjes së tyre në uniformën e policisë së Kosovës. Kjo është fatkeqësi për Kosovën”, ka thënë tutje burimi i gazetës.

Image

Ndryshe, Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion në veri të Kosovës, ku ka arrestuar dy persona, në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Gjatë aksionit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, të mërkurën, është arrestuar zyrtari i policisë, Rade Basare.

Ndërkaq në Rudarë, është arrestuar Vasil Bojiq, që është i biri i shefit të operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq. Te ky i fundit janë gjetur armë.

Megjithatë, nuk përfundon këtu ajo që kemi paralajmëruar më parë. Sipas burimeve tona, priten të ndodhin përsëri arrestime të reja për krim të organizuar dhe kontrabandë. Por jo vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës, pasi edhe në jug ka të dyshuar.

Ndërkaq, lajmin për arrestimin e sotshëm e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se sot (16 tetor) në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Kelani.

“Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore, dhe ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar, zyrtar policor (R.B), i përfshirë në urdhër-kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor, mbetet në kërkim. Gjatë operacionit policor, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, tek i cili është gjetur një armë”, bëri të ditur Kelani.

Kurse, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, tha se aksioni në veri, është zhvilluar mbi dyshimin për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Më herët, organet e hetuesisë së Kosovës, patën deklaruar se hetimet për ndriçimin e vrasjes së Ivanoviqit janë duke vazhduar, por që ato nuk po përfundojnë me sukses për shkak se autoritetet përgjegjëse të Beogradit nuk po bashkëpunojnë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, por që autoritetet serbe i kanë hedhur poshtë këto pohime, duke thënë se Radoiçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se, sipas tyre, nuk është vërtetuar që ai ka marrë pjesë në këtë vrasje.

Disa ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, autoritetet e Kosovës ia kishte dërguar katër kërkesa Qeverisë së Serbisë, por përgjigjet e palës serbe, sipas autoriteteve të Kosovës, janë kthyer të pakompletuara.

Gjithashtu, autoritetet e Serbisë kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës shkëmbim informacionesh rreth hetimeve.

Por, deri më tash më shumë janë shënuar fajësime reciproke sesa bashkëpunim i ndërsjellë.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut para selisë së partisë së tij. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Ndryshe, kohë më parë nga Policia e Kosovës ishin arrestuar edhe dy policë tjerë të Kosovës, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, si të dyshuar për manipulim të provave në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat