Tronditja nga Gjykata Speciale fillon këto ditë, por a do të ketë trazira dhe tensione në Kosovë?

Politika

Tronditja nga Gjykata Speciale fillon këto ditë, por a do të ketë trazira dhe tensione në Kosovë?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 17 tetor 2019 Në ora: 20:34
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale ka filluar furishëm aktivizimin e saj. Deri tash, ka dërguar ndoshta dhjetëra e ndoshta qindra ftesa për t’u paraqitur në Hagë. Disa si dëshmitarë e disa të tjerë si të dyshuar. Pas gjithë këtyre ftesave, nga java e ardhshme priten arrestimet e para. Kështu ka paralajmëruar nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

E pas këtyre arrestimeve, vendi mund edhe të shkoj në trazira. Ky ishte një vlerësim i më hershëm i disa eksponentëve të UÇK-së, të cilët kanë konsideruar se arrestimet nga kjo Gjykatë mund të tensionojnë situatën në vend. Por një tensionim i tillë, normalisht që është i gabueshëm, për vet faktin se Gjykata Speciale u miratua me vetë dëshirë, madje me presion të madh për të votuar atë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati Gazmend Halilaj, thotë për gazetën “Bota sot” se, Gjykata Speciale është sulmi më i madh që i behet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe luftës për liri. 

Image
Gazmend Halilaj

“Natyrisht luftë krejtësisht të pastër nuk ka, situata në teren e imponon një gjë të tillë. Askush s’do të kërkoj që mos të zhvillohet proces gjyqësor për secilin krim të mundshëm, por janë gjykatat vendore, është Kodi penal, në harmoni të plotë me të drejtën penale ndërkombëtare, kemi gjykatës dhe prokuror, kemi mbi 10.000 polic, rreth 900 avokat të licencuar, dhe natyrisht që prej përfundimit të luftës, në vazhdimësi është trajtuar kjo çështje, madje janë dhënë Aktgjykime meritore dhe dënime mjaft të ashpra për personat të cilët gjykata ka konsideruar që në çfarëdo mënyre kanë rënë ndesh me rregullat e luftës”, thotë Halilaj.

Ai shton se, nuk kemi të drejt tani të ankohemi, pasi tek ne ekziston një sistem juridik, populli udhëhiqet përmes përfaqësuesve të tyre në këtë rast Kuvendit të Kosovës, ku me shumicë votash është aprovuar Ligji për themelimin dhe funksionimin e Gjykatës se posaçme e njohur si Gjykata Speciale.

“Ndërsa sa i përket impaktit që mund të ketë kjo gjykatë, gjegjësisht ndikimit ne gjendjen e sigurisë, konsideroj që është i nivelit të mesëm kah i ulët ngase çdo ditë e më tepër qytetarët po i largohen zgjidhjes së problemeve përmes rrugëve/protestave”, thekson ai.

Halilaj thotë që fillimi i punës së kësaj Gjykate, nuk do të ketë ndikim në skenën politike, të paktën në pesë vitet e ardhshme.

“Sipas mendimit tim profesional gjithmonë duke u mbështetur në dispozitat ligjore nuk shoh ndikim të paktën Brenda afatit kohor 5 vjeçar. Sepse e drejta në gjykim të drejtë, parimi i barabarësisë së armëve, drejta në respektimin e afateve kohore, e drejta në parimin dyllojshmërisë, pastaj prezantimi i pafajësisë deri në nxjerrjen e një aktgjykimi të formës së prerë natyrisht që marrin kohë, andaj konsideroj që të paktën brenda këtyre 5 viteve të ardhshme nuk do të ketë asnjë ndikim në skenën politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat