Ditëve të fundit prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka rritur dinamikën e ftesave për intervistim të personave të caktuar.
Kjo gjykatë ka dërguar ftesë edhe për ish-luftëtarin e UÇK-së, Nuredin Ibishi – Leka. Lajmi është konfirmuar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Gjatë kohës së luftë, Ibishi ishte epror në Zonën Operative të Llapit.
Në një reagim të tij, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, tha se Ibishi ashtu si të gjithë të ftuarit tjerë do të dalin faqebardhë.
Ndërsa, një ftesë e tillë, ditwn e premte ka ardhë edhe për ish-eprorin e UÇK-së, Naim Miftari, shkruan gazeta “Bota sot”.
E, për të folur rreth shtimit të ftesave nga ana e prokurorisë së Specializuar për krime të luftës në Kosovë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar njohësin e çështjeve juridike, Blerim Burjani.
Ai në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deri në fund të vitit pritet të ngritën pesë aktakuzat e para.
Sipas tij, intervistimet e shumta që po bëhen kanë për qëllim të përmbylljes së procesit dhe ngritjen e aktakuzave të para.
“Deri në dhjetor priten të ngritën pesë deri në shtatë aktakuza, kjo falë e intervistimeve pritet të përfundojë shumë shpejt. Pra, faza e mbledhjes se provave dhe klasifikimi i tyre tash është dashur të bëhet, dëgjimi i dëshmitarëve të shumë apo intervistimet e shumta bëhen me qëllim të përmbylljes së procesit dhe ngritjen e aktakuzave të para”, është shprehur Burjani, për gazetën “Bota sot”.
Tutje, ai ka deklaruar se aktakuzat e para pritet të bëhen ndaj individëve për të cilat janë dyshuar që nga koha e UNMIK-ut.
“Pritet që të ketë aktakuza ndaj individëve për të cilat janë dyshuar që nga koha e UNMIK-ut dhe mbledhja e provave për Tribunal të Hagës”, ka thënë mes tjerash njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.