Kosova përballë ndëshkimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore nga BE-ja

Politika

Kosova përballë ndëshkimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore nga BE-ja

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 tetor 2019 Në ora: 20:38
Foto ilustrim "Bota sot"

“Këtë ndëshkim e ka të merituar edhe Kosova që ende nuk ka as liberalizimin e vizave dhe nuk duhet ta ketë pa dhënë prova dhe garanci të sigurta se, e meriton liberalizimin e vizave. Hë për hë nuk e meriton”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Ministrat e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të japin datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka qenë moment i lavdishëm për Evropën”, ka thënë Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn para gazetarëve në Luksemburg më 15 tetor.

Ai ka thënë se një “shumicë e madhe” e vendeve të BE-së kanë mbështetur rekomandimet e Komisionit Evropian për të nisur bisedimet mirëpo nuk është arritur pajtueshmëria e nevojshme.

Kjo është hera e tretë, duke përfshirë qershorin e vitit 2018 dhe atë të vitit 2019, që ministrat e bllokut evropian dështojnë të marrin një vendim unanim.

Kjo çështje tani do të diskutohet nga liderët e BE-së në një samit që do të mbahet në Bruksel më 17-18 tetor.

Por, sa mund te reflektoj kjo në rastin e Kosovës, e cila as liberalizimin e vizave nuk e ka? Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo është një kërkesë perfide e Shqipërisë, e Maqedonisë, e Serbisë dhe edhe e Kosovës, të cilat edhe sikur të ishin anëtare, qysh janë aktualisht, do të duhej që përjashtoheshin, e jo të anëtarësohen.

Sipas tyre, faktorët politik në Maqedoninë e veriut dhe Shqipërisë, duhet të dinë se qeverisja e së drejtës është kriter kyç për inkuadrim në BE.

Zogaj: Shqipëria ashtu edhe Maqedonia, janë vende, ku nuk funksionon ligji, dhe ku lulëzon krimi i organizuar

Analisti politik Skender Zogaj, ka pohuar se Bashkimi Evropian nuk punon me emocione dhe me besim të rrenacakëve ballkanas, që sikurse edhe në të kaluarën edhe pas luftës së fundit.

Sipas tij, gjithçka janë duke e mbështetur tek rrena, mashtrimi, vjedhja, korrupsioni, nëntoka e krimit të organizuar, ndërsa akuzojnë botën që nuk ua lejon të anëtarëson në gjirin e saj.

Image
Skender Zogaj

“Kjo është një kërkesë perfide e Shqipërisë, e Maqedonisë, e Serbisë dhe edhe e Kosovës, të cilat edhe sikur të ishin anëtare, qysh janë aktualisht, do të duhej që përjashtoheshin, e jo të anëtarësohen. Pra, BE me të drejtë nuk po pranon të hap bisedimet për anëtarësinë, sepse si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia, janë vende ku nuk funksionojnë institucionet shtetërore, ku nuk funksionon ligji, ku lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe ku jeta e njeriut dhe pasuria e tij janë të rrezikuara, nëse nuk e ka mbrojtjen e nëntokës mafioze e cila qëndron e instaluar në institucionet shtetërore”, ka thënë Zogaj.

Ai konsideron se me anëtarësimin e shteteve të këtilla BE-ja do të bastardonte kriterin e vlerave dhe të standardeve të drejtësisë që me mund të madh i kanë ndërtuar vendet dhe popujt evropian, të cilët kanë arsye të frikësohen nga lëvizjet e lira të njerëzve me prirje të theksuara të keqbërjes.

“Kjo është e vërteta që duhet ta kuptojmë dhe vetëm pasi ta kemi korrigjuar të mund të kërkojmë që të na pranojnë të tjerët. Këtë ndëshkim e ka të merituar edhe Kosova që ende nuk ka as liberalizimin e vizave dhe nuk duhet ta ketë pa dhënë prova dhe garanci të sigurta se, e meriton liberalizimin e vizave. Hë për hë nuk e meriton”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Xhelili: Faktorët politik në Maqedoninë e veriut dhe Shqipëri, duhet të dinë se qeverisja e së drejtës është kriter kyç për inkuadrim në BE

Kurse, njohësi i çështjeve politike Zudi Xhelili, ka thënë se shumica e shteteve të BE ishin për caktimin e datës, për të filluar bisedimet për anëtarësim, ani pse disa shtete ishin kundër, mese tyre edhe Franca.

Sipas tij, edhe pse flitet se shkaku ka qenë disa mosmarrëveshje brenda unionit, megjithatë, shkaqet janë se MV dhe Shqipëria nuk i kanë plotësuar detyrimet e marra.

Image
Zudi Xhelili

“Kishte vërejtje konkrete në zbatimin e reformave, në mosfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shumica e shteteve të BE –së kishin mendim që këta dy shtete duhet të shpërblehen për të arritur të caku në disa sfera dhe se do të ishin shembull për Kosovën, Bosnjën, Serbinë etj. Çështja e Kosovës është diçka tjetër, dialogu Kosove-Serbi duhet të filloj nga e para, dhe të arrihet një zgjidhje. Sinjalet nga Serbia janë shpresëdhënëse, por tani nga pala e Kosovës, pritet qasje tjetër dhe më efikase ne bisedime. Kosova është shteti me i ri në Evropë dhe pritet që Evropa edhe më tej të kujdeset për demokratizimin dhe zhvillimin e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politik Zudi Xhelili.

Shahu: Kosova nuk i ka problemet e Shqipërisë

Analisti politik Rexhep Shahu, ka pohuar se Shqipëria me kryeministrin e qeverinë që ka, me problemet me drogën që ka, me karshillekun që shet Edi Rama me shengen me Serbinë, me kërcënimet e tij me anë të Erdoganit, me problemet serioze me demokracinë me eliminim zgjedhjesh dhe kthim votimesh si në diktature, nuk është gati për Bashkim evropian, por është gati për Bashkimin e dikurshëm sovjetik.

Image
Rexhep Shahu

“Kosova nëse shpëton nga haraçistat, nëse nuk niset me gjuhë urrejtje e kërcënime, se do burgos të tillët. Por qeveria as nuk i burgos, e as nuk dënon askënd. Pra, Kosova nuk i ka problemet e Shqipërisë, sepse Serbia do të përpiqet ta paraqesë Kosovën si islamike, por nuk do të mundet të ndikojë”, është shprehur analisti politik Rexhep Shahu.

Berisha: Moszbatimi i Reformave ka qenë vërejtje e përhershme e institucioneve të BE-së, në raportet vjetore të institucioneve të Bashkimit Evropian dërguar të dyja shteteve

Ndërsa, analisti politik Ejup Berisha ka thënë për “Bota sot” se fakti që Bashkimi Evropian në Samitin apo në mbledhjen e fundit të Këshillit Evropian nuk i dha datë Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve nga ana e këtyre të fundit për anëtarësim në BE, mund të komentohet si dështim i këtyre dy shteteve në procesin e afrimit të tyre me Bashkimin Evropian.

“Konsideroj se kësaj radhe Bashkimi Evropian foli shumë drejtë në raport me gjendjet aktuale dhe të pavolitshme që kanë të bëjnë me procesin e integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Veriore të Maqedonisë”, ka thënë analisti politik Berisha.

Bashkimi Evropian e “shpërbleu” mos angazhimin e dy shteteve kandidate për anëtarësim në BE me vendimin më meritor për shkak të faktit se të dyja shtetet kandidate nuk i kanë kryer punët më primare rreth përmbushjes së njërit prej kushteve më të rëndësishme për anëtarësimin e dy shteteve ballkanike në gjirin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, këtu ka të bëjë me zbatimin e reformave të domosdoshme si kërkesa të institucioneve të BE-së.

Image
Ejup Berisha

“Një natë para se të mbahej Mini-Samiti Francezo Gjerman mes Presidentit të Francës dhe Kancelarësh gjermane Angela Merkel u pa se jo vetëm se Franca por edhe Gjermania nuk u shpreh e gatshme dhe entuziaste që të dyja shteteve të Ballkanit Perëndimor tu jepet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e tyre në BE. Gjithashtu duke e parë agjendën e Samitit dy ditor të Këshillit Evropian pra duke i lexuar prioritetet e këtij Samiti apo të mbledhjes dy ditore që përfundoi sot u kuptua se Bashkimi Evropian nuk ishte e fokusuar në çështjen e dhënies eventuale të datës për Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut kjo çështje pra nuk ishte në mesin e temave të cilat qëndronin më lart në agjendën e mbledhjes dy ditësh të Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë Berisha.

Ai konsideron se në BE obligimet dhe detyrimet janë çështje individuale e çdo shteti sovran dhe të pavarura siç janë edhe Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

“Mos marrja e datës nga ana e Republikës së Shqipërisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, mund të merret si zhgënjim nga ana e qytetarëve të RKS-së për dështimin e shtetit amë RSH-së në procesin e anëtarësimit në BE e jo si ndonjë ngjarje që do të mund të ndikoj në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt marrjes së Liberalizimit të vizave tani apo për proceset tjera siç është dorëzimi i Kandidaturës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian më vonë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat