Kurti – Osmani të “pamëshirshëm”!

Politika

Kurti – Osmani të “pamëshirshëm”!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 22 tetor 2019 Në ora: 09:29
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Formimi i Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, me një koalicion shpresëdhënës Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, është mese e nevojshme.

Epoka Kurti – Osmani, duhet të mbahet mend me shekuj, për kthesën e madhe pas pavarësisë së Kosovës.

Kosova e cila vuajti me shekuj, në momentin e çlirimit nga okupatorët serbë, filloi të okupohet nga shqiptarët, nga ata që thirrën se filluan luftën e lavdishme ndaj Serbisë.

Kosova pasi njëherë e përgjithmonë qeli sytë prej luftërave të cilat shqiptarët i përcollën me shekuj, filloi okupimi tjetër brenda territorit të saj.

Kosovën e zaptuan njerëzit që u fuqizuan në luftë. Ata që për fillim ia kthyen pushkën armikut e më pas edhe “mikut”!

Më ndihmën e mërgimtarëve tanë, të cilët dhuruan edhe centin e fundit për fondet e krijuar në emër të luftës e çlirimit, një pjesë e madhe e komandantëve, të etur për lakmi e pushtet, ndërruan qëndrimet e tyre, morën miliona marka e dollarë të asaj kohe, dhe pas çlirimit filluan ndërtimin e perandorive, pallateve e vilave. Por, nuk ishte e tëra kjo.

Në Kosovë, grupacionet guerile të luftës filluan sulmet edhe pas çlirimit. Kështu u vranë qindra veprimtarë të devotshëm, shumica zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por jo vetëm këta, pasi edhe shumë eprorë të latë dhe komandantë të cilët shpëtuan nga lufta përballë Serbisë, u vranë pabesisht në kohën e paqes.

Veprimtarët vriteshin, grupet mafioze rriteshin, pasuroheshin duke marrë haraç në popull, duke vrarë e plaçkit, duke uzurpuar e shantazhuar.

Pra nga lypsarët paraluftës, u shndërruan në mbretër pasluftës.

Të gjithë flasin për pasurinë e tyre, për shtëpiat, për vilat e pallatet.

Dy dekada ishin mjaftë frytdhënëse për këtë kategori njerëzish. Megjithatë çdo gjë ka fund, dhe fundi po iu vije edhe këtyre.

Tashmë po fillon epoka Kurti-Osmani. Edhe pse Vjosa ishte vetëm kandidate për kryeministre e Kosovës nga LDK-ja, padyshim që ajo duhej të bëhej edhe kryetare e kësaj partie në mënyrë që, të bëhet ndryshimi i madh, i cili filloi me këto zgjedhje Parlamentare.

Kurti – Osmani duhet të jenë të pamëshirshëm ndaj gjithë atyre që keqpërdorën lirinë. Ndaj atyre që u pasuruan në mënyrë të paligjshme, ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, ndaj nepotizmit dhe jo vetëm.

Kurti – Osmani, tashmë kanë filluar epokën e tyre. Fryma e ndryshimit ka filluar të dëgjohet. Drita në fund të tunelit pas kaq vitesh tashmë po shihet. Kosova duhet të bëhet, edhe përkundër vështirësive të shumta.

Në këtë kohë, koalicioni LVV-LDK janë shpresa e rinisë, janë shpresa e familjeve shqiptare, janë shpresa e kombit shqiptar. Ndryshe, historia do ti mallkoj për tradhti, ashtu siç do t’i mallkoj qeveritë paraprake për largimin e të rinjve nga Kosova, për shkatërrimin e Kosovës dhe për pallatet e ndërtuar në emër të shtetit të së drejtës nga keqpërdoruesit e luftës dhe paqes.

Kosova duhet të çlirohet njëherë e mirë nda bandat mafioze dhe të kemi perspektiven si komb shqiptar përpara drejt Bashkimit Evropian dhe Perëndimit.

Për fund, nëse qeveria e re nuk fillon luftën e saj për çkapjen e shtetit, për kthimin e dinjitetit në shëndetësi, arsim e kulturë, në zhvillim ekonomik, punësim e mirëqenie, atëherë Kosovën e mori lumi!

Vetëm me ndryshime Kosova mund ta rikthej shpresën e humbur edhe tek fëmijët. Qytetarët kanë vuajtur shumë, e kjo vuajtje duhet të ndalet medoemos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat