E vërteta rreth vdekjes së Astrit Deharit, ende në sirtarët e Prokurorisë

Politika

E vërteta rreth vdekjes së Astrit Deharit, ende në sirtarët e Prokurorisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 tetor 2019 Në ora: 11:42
Astrit Dehari

Prokuroria Themelore në Prizren edhe më tutje po e mban larg publikut raportin e autopsisë për vdekjen e Astrit Deharit, të cilin para pak ditësh e kanë pranuar nga autoritetet zvicerane. Prokuroria e Shtetit me 17 tetor ka pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës për rastin Dehari, nga instituti zviceran përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Lidhur me këtë, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, në një konferencë për media ka thënë se raporti është dërguar për tu përkthyer urgjent dhe se do të marrë kohë tri ditë.

Gashi: Raporti ka ardhur në Kosovë para datës 8 tetor 2019, por shtrohet pyetja se përse po e fshehin këtë Raport?

Image
Tom Gashi

Avokati Tomë Gashi ka thënë se tanimë të gjithë e dimë që i ndjeri Astrit Dehari është vrarë.

Sipas tij, kjo fare nuk ka qenë kontestuese që nga dita e parë e vrasjes së tij, kur në trupin e tij janë parë haptas plagë mbrojtëse që i kanë vërtetuar edhe ekspertët e pavarur në aspektin e mjekësisë ligjore, si dhe në aspektin juridik ato plagë janë plagë të shkaktuara që kanë sjell deri te vdekja e Astritit, e që i bie vrasje dhe atë në institucionin shtetëror ku jeta e tij, do të duhej të ishte e sigurt.

“Astrit Dehari është vrarë me 5 nëntor 2016 dhe prokurori i atëhershëm pat deklaruar se rastin do ta mbyllin shumë shpejt, madje pat deklaruar se nuk i duhen më shumë se 10/15 ditë. Dhe ja që nuk mundi ta mbyll rastin as pas gati 3 viteve. Dhe pas shumë veprimeve që e kanë vërtetuar vrasjen e duke parë se prokuroria dëshiron ta mbyll si vetëvrasje. Është kërkuar nga familja Dehari të cilët unë i përfaqësoj që rasti të dërgohet në Zvicër për hetime të pavarura dhe në kuadër të atyre hetimeve edhe ekspertiza të cilat instituti zviceran i mjekësisë ligjore në Lozan mund ti sheh si të nevojshme”, ka thënë avokati Gashi.

Ai konsideron se tani një gjë është e sigurt, që Raporti ka ardhur në Kosovë para datës 8 tetor 2019, por shtrohet pyetja, se përse po e fshehin këtë Raport?

“Unë të them të drejtën nuk e kuptoj ndryshe, pos që kanë me dalë me një analizë të atij raporti, e cila analizë nuk ka me treguar të vërtetën siç është në atë raport. Arsye tjetër nuk ka që përveç fshehjes së Raportit të njëjtë as mos të ju jepet familjes së Astrit Deharit në gjuhën në të cilën është përpiluar” ka thënë avokati Tomë Gashi.

Mehazi: Si është e mundur që nuk ka asnjë lajm, kur raporti i autopsisë për vdekjen e Astrit Deharit nga autoritetet zvicerane është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit nga data 17 tetor?

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për “Bota sot” se për fat të keq jo në Kosovë, por në të gjitha shtetet shqiptare, nuk ekziston prokurori e drejtësi.

“Si është e mundur kjo, që nga 17 tetori, kur raporti i autopsisë për vdekjen e Astrit Deharit nga autoritetet zvicerane është dërguar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit e asnjë lajm, nam e nishan për familjen e Astrit Deharit. E them këtë pasi drejtësinë e prokurorinë e udhëheqin djallëzorët kjo është më se e vërtetë, psikologjia juridike tregon se aty ku fshihen e vonohen dokumentet s'ka asnjë të mirë, bisedat e dokumentet e fshehta në drejtësi janë djallëzore e me shumë sherre. Hapur shihet dhe sherri i Prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, i cili gjatë konferencës me mediat tha, që duhet tri ditë kohë për të përkthyer raportin e autopsisë së Astritit, qesharake, raporti juridik sikur me qenë vepër e rëndë poetike me figura të fuqishme artistike e duhet kohë e gjatë për ta përkthyer, përveç gënjeshtrës e djallëzores asnjë argument tjetër për Admir Shalën. Turpi madh, të mos di asgjë familja e Astritit për mënyrën e shkakun e vdekjes së tij, kjo ndodh vetëm te Prokuroritë të shteteve shqiptare” ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Kelmendi: Politika ka arritur të fut nën kontroll tërë pushtetin dhe tërë mekanizmat që i ka shteti

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se politika ka arritur të fut nën kontroll tërë pushtetin dhe tërë mekanizmat që i ka shteti.

“Nuk ka dikaster që nuk vepron dhe kjo jo pse ndikohet si në të kaluarën, por pse është krijuar sistemi i tillë i nënshtrimit. Kemi tërësisht kontroll. E ky ndikim pa masa të rrepta në të gjitha nivelet nuk mund të krijohet. E pa dyshim që hap i parë do të ishte shqyrtimi i prejardhjes së pasurisë të të gjithëve, si në pushtet e politikë ashtu edhe në sistemin e drejtësisë të firmave publike e shtetërore, sikundër edhe në sektorin privat, atje ku kemi mashtrime dhe krime të mëdha”, ka thënë profesor Kelmendi.

Sipas tij, në këtë gjendje është edhe prokuroria e cila i ka vijat e përcaktuara dhe vepron në kuadër të tyre.

“Këtu lypset të kërkohet dhe gjendet mos formimi me kohë në rastin Dehari dhe në rastet tjera. Thash se kërkohet spastrim dhe ai i detalizuar. A do të bëhet kjo nëpërmjet VETTING-ut apo ndonjë formë tjetër nuk ka rëndësi. Por, as këtu nuk ka sukses, sepse nëse nuk nxirren dy ligje bazike për të luftuar krimin dhe s’pastrua pushtetin. Se pari, është Ligji mbi konfiskimin e pasurisë se tundshme dhe te patundshme dhe Se dyti, nxirrja e Ligjit mbi prejardhjen e pasurisë dhe konfiskimin e saj. Nëpërmjet këtyre krijohet baza ligjore dhe fillon të luftohet krimi pasuria e paligjshme konfiskohet dhe fillon spastrimi i tëra radhëve në vend” ,ka thënë njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi.

Burjani: Kjo çështje i takon prokurorisë e cila është e pavarur në punën e vet, që ia garanton kushtetuta

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani, ka thënë se kjo është çështje dhe kompetencë e prokurorisë.

“Thënë shkurt, mendoj se kjo çështje i takon prokurorisë e cila është e pavarur në punën e vet, që ia garanton kushtetuta. Andaj ajo e vlerëson vet, se kur do të jep detaje tjera të plota për Raportin rreth rastit të të ndjerit Astrit Dehari ”, ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat