Milaim Zeka flet për “Bota sot” rreth ftesave të Gjykatës Speciale, jep disa detaje që do të ndërmerren

Politika

Milaim Zeka flet për “Bota sot” rreth ftesave të Gjykatës Speciale, jep disa detaje që do të ndërmerren

Nga: N.H Më: 22 tetor 2019 Në ora: 19:09
Milaim Zeka

Gjykata Speciale edhe ditën e sotme ka vazhduar me dërgimin e ftesave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Së fundi, ftesë ka marrë edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Samjl Latifi, dhe Milaim Latifi, që ishte pjesë e UÇK-së dhe epror i TMK-së.

E, lidhur me këto ftesa të shumta që po vijnë ditëve të fundit, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, dhe kandidatin për kryeministër të Kosovës nga radhët e PEK-ut, Milaim Zeka.

Zeka në një përgjigje të shkurtër dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Gjykata Speciale me seli në Hagë këtë vit do të bëjë edhe ndalesa, ndërsa është shprehur se nuk ka dijeni rreth ngritjeve të aktakuzave të para.

"Mendoje që këtë vit do të këtë ndalesa nga Gjykata Speciale në Hagë. Për aktakuza nuk e di”, është shprehur Zeka, për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur nëse ka dijeni se ftesa të tilla do të marrin edhe krerët më të lartë të shtetit, ish-deputeti Zeka ka dhënë një përgjigje interesante.

“Për spekulime e keni Vebi Kajtazin dhe Tomë Gashin. Unë thash atë që e di”, ka deklaruar Zeka.

Ndërsa, me shtimin e ftesave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë paralajmëruar edhe protesta.

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor. E pas këtyre arrestimeve, në OVL-të UÇK-së nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë me protesta, për të kundërshtuar këto veprime.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka deklaruar se në 10 ditët e fundit ka arritur në 50 numri i të ftuarve, ku javën që shkoi ftesa ka marrë edhe Azem Syla, ndërsa sot Shaban Syla, Jetullah Krasniqi e ish-rektori Ibrahim Gashi.

“Sot kanë arritur prapë ftesa të reja, profesori i nderuar Ibrahim Gashi, sipas informacioneve edhe Shaban Syla, Jetullah Krasniqi nga Prizreni është ftuar sot, kështu që sot nëse nuk gaboj mbi shtatë ftesa janë shpërndarë vetëm në ditën e sotme e martë. Gjykata Speciale e ka shpeshtuar trendin e këtyre ftesave, mbi 40 apo 50 janë brenda javës që ka shkuar, dhe këto dy ditë, që 10 ditë janë mbi 50 ftesa që janë shpërndarë nëpër territorin e Kosovës, arsyeja nuk e dimë, shpërndarja e ftesave nuk është në mënyrën më të mirë që bëhet si një gjykatë ndërkombëtare apo që i thotë vetes se janë gjykatë e lartë, ftesat janë shpërndarë më së shumti nëpër kafene të ndryshme nëpër rrugë, qorrsokakë, nëpër çajtore…kështu që është një turp i madh i kësaj drejtësie që nuk e tregon seriozitetin e vet”, thotë Gucati.

Kujtojmë se të paktën 35 ftesa janë pranuar nga ish-ushtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, vetëm brenda 10 ditëve të fundit. Ftesa nuk janë duke pranuar vetëm ish-ushtarët e UÇK-së, por edhe qytetarë që nuk kishin luftuar në cilësinë e dëshmitarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat