A do të burgoset presidenti Thaçi në qeverisjen e Albin Kurtit?

Politika

A do të burgoset presidenti Thaçi në qeverisjen e Albin Kurtit?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 tetor 2019 Në ora: 10:19
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se Hashim Thaçi si president, por edhe si kryeministër ka kryer veprime antiligjore të cilat, siç thotë ai, me një drejtësi të çkapur do ta çonin atë në burg.

I pyetur nëse kjo i bie që në një qeverisje të VV-së presidenti rrezikon të hyjë në burg, Sveçla ka thënë se partia e tij do t’i çkap institucionet e drejtësisë, e ato në bazë të ligjit do t’i dënojnë ata që kanë kryer veprime antiligjore.

Kjo deklaratë e Sveçlës, po shihet nga njohësit e rrethanave politike si deklaratë e shterur.

Ata thonë se drejtësia në Kosovë ka vepruar politikisht dhe në mënyrë selektive dhe për këtë është e nevojshme të ndodhin ndryshime substanciale në sistemin e drejtësisë, por jo me tendenca të caktuara politike.

Lepaja: Vetëvendosja do të angazhohet për këtë

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka theksuar se këtë nivel të deklaratave e kemi parë edhe më herët, teksa ka theksuar se do të jetë problem arrestimi i presidentit Thaçi, ndonëse Vetëvendosja do të angazhohet, sipas Lepajës.

Image
Fadil Lepaja

“Në nivel të deklaratave, kemi pasur edhe më herët denoncime publike të ish kryeministrit dhe presidentit aktual për veprime të jashtëligjshme, në raport me krimin. Sidoqoftë deri më sot nuk është arritur të fillohet një procedurë formale lidhur me këto dyshime, të besueshme për shumë qytetarë të cilët nëpër tubime protestuese e kanë brohoritur emrin e tij si njeriun më përgjegjës për "kapjen" dhe për ndërlidhjen e shtetit me korrupsionin e krimin e organizuar. Gjithsesi, Vetëvendosje do të angazhohet në këtë drejtim edhe pse kur është në pyetje presidenti i vendit, ata e kanë theksuar se janë të vetëdijshëm se nuk ka vota të mjaftueshme me iniciua procedura të shkarkimit, dhe rrjedhimisht as të dënimit, pasi "kapja" e shtetit në fakt nënkupton kontrollin e individëve mbi institucionet e drejtësisë, sigurisë etj, jashtë kompetencave kushtetuese. Se a do t arrijë Vetëvendosje dhe LDK të bëjnë një "vetting" në drejtësi, mbetet të shihet, dhe në fakt, këtu do të tregohet serioziteti i këtij koalicioni”, theksoi Lepaja.

Gjygjësia e pavarur duhet të mbledh fakte për presidentin

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, tha për “Bota sot” se deklarata e Xhelal Sveçlës është konstatim, mirëpo duhet të mblidhen shumë fakte, e ato mund t’i mbledhë vetëm një gjygjësi e pavarur.

“Ky është konstatim por për këtë kërkohen shume fakte dhe këto fakte mund të i mbledh një gjyqësi e pavarur. Mos të harrohet se 2/3 e VV-së është akuzuar për lloj lloj vepra penale, tash këta kanë kryer vepra penale kandër rendit dhe ligjit. Hashim Thaçi ka kryer vepra tjera po sikur komplet lidershipi i PDK gati i përfshirë në uzurpime dhe gjëra tjera korrupsioni, punësim familjar , punësim nëpër ambasada etj. Kjo skenë politike e ka krijuar VV e cila po ashtu ka rënë ndesh ligjit, kjo i bije që secili njeri edhe VV që ka ra ndesh me ligjin nuk mund të jetë pjese e qeverisë dhe kuvendit, jo tash të gjithë kryerësit e lloj lloj veprash penale të gjithë bëhen bashkë në Kuvend e shumica kalojnë në ekzekutive dhe thonë se do ta sjellin ndryshimin? Pra, ka shumë gjëra të paqarta. E vërteta është se Kosova për momentin nuk ka çka të i dhuroj qytetarit, pra një parti të re e këto që janë e secila më e keqe se tjetra apo qe dalin nga ekstremi nuk sjellin ndryshim por stagnim, inati dhe gjëra tjera apo revanshizëm”, u shpreh Burjani.

Politika nuk duhet të ketë tendenca në drejtësi

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë se duhet të ndodhin ndryshime substanciale në sistemin e drejtësisë, por jo me tendenca të caktuara politike.

“Drejtësia në Kosovë ka vepruar politikisht dhe në mënyrë selektive dhe për këtë është e nevojshme të ndodhin ndryshime substanciale në sistemin e drejtësisë, por jo me tendenca të caktuara politike. Fillimisht duhet të çlirohet drejtësia nga politika dhe atëherë çdo dyshim i bazuar për shkelje të ligjit të hetohet e gjykohet profesionalisht dhe pa anime politike. Gjykoj se një drejtësi objektive, profesionale dhe pa anime politike do ta nxjerrë vendin nga anarkia e mbizotëruar që nga pas lufta”, potencoi Ahmeti.

Ai shton tutje se, të gjithë duhet të trajnohen si të barabartë përballë ligjit, por se politika nuk duhet ta instrumentalizoj sistemin e drejtësisë për interesa politike.

“Por, një duhet ta kemi të qartë se vullneti politik ju paraprinë këtyre ndryshimeve substanciale në sistemin e drejtësisë, nëse ky vullnet do të jetë në frymën e qeverisë së re, ndryshimet e pritura do të sjellin rezultat e pritura brenda një kohe shumë të shkurtër. Shteti i së drejtës duhet të trajtoj të gjithë qytetarët njëjtë, edhe zoti Thaçi duhet të trajtohet njëjtë sikur të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës dhe për të njëjtin, dyshimet e ngritur në publik duhet të hetohen nga Prokuroria e shtetit dhe nëse ato dyshime vërtetohen atëherë fati i tij dihet se ku përfundon. Por, po potencojë politika duhet të ketë vullnet dhe përkushtim në ndryshimet në sistemin e drejtësisë, por jo ta instrumetalizoj sistemin e drejtësisë për interesa politike”, përfundoi Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat