Na e këputen shpirtin, na e vranë Astritin!

Politika

Na e këputen shpirtin, na e vranë Astritin!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 tetor 2019 Në ora: 14:46
Familja Dehari

Na e këputen shpirtin, na e vranë Astritin! Këto do të ishin klithmat e një nane në luftën e fundit në Kosovë. Klithma këto që të rrëqethin trupin! Por, fatkeqësisht këto klithma po vazhdojnë të dëgjohen edhe në Kosovën e çliruar nga trimat tanë, nga dëshmorët, gjaku i tyre ende i pa tharë! E mbi këtë gjak, anë e mbanë Kosovës po shkelet nga kriminelët shqiptarë.

Ndoshta edhe mund të duket akuzë e rendë, fjalë që peshon me mijëra tonë “kriminelë”, por aman, këta të pashpirt po vazhdojnë të vrasin shqiptarë – njëjtë si kryekrimineli i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq!

Edhe ky krahasim, ndoshta është i rëndë, më i rendë se fjala “kriminel”, por vallë, si t’i thuash ndryshe një njeriut të pashpirt, i cili vranë shqiptarin e pafajshëm, të burgosur pa pikën e fajit, vetëm pse ishte kundërshtar i tyre politik.

Mos vallë këta janë atdhetar që vrasin këndo që duan, cilindo që i kundërshton për punët e fëlliqta që i bënë që nga dita e parë e çlirimit.

E dhimbshme, tepër e dhimbshme gjendja në të cilën gjendet Kosova. A ka më keq, a ka më zi, a ka më tmerr sesa të vritet njeriu pa pikën e fajin në duart e shtetit.

I lidhur, i burgosur, i mbyllur në dhomën e tmerrit, e rrahën, e torturuan pastaj e vranë.

Kështu ndodhi me Astritin, djalin e dy prindërve të vyer e atdhetar, burrin e një gruaje të re, babin e një vajze të palindur!

Mos u habitni! Kjo nuk ndodhi nga vrasësi shekullor, i cili dinte të bënte çmos ndaj shqiptarëve, Serbia.

Torturat e njëjta pas çlirimit vazhduan për shqiptarët nga shqiptarët!

Vajtoni, qani e bërtisni! Vajtoni e mos u ndalni. Le të na dëgjoj e gjithë bota. Le ta kuptojnë të gjithë se ku jemi katandisur si shtet e milet!

Mjerimi në dy dekada – ndoshta kështu po të ishte gjallë Migjeni do të shkruante për epokën e pasluftës e deri sot.

Megjithatë, nuk duhet ndalur së shkruari për matrapazët tanë.

Vrasja e Astriti Deharit, është vazhdimësi e vrasjeve që ndodhën gjatë e pas luftës.

Nuk është vetëm Astriti. Astritit ia vranë edhe shokun e qelisë, pa pikën e fajit vetëm pse ndoshta ka parë e dëgjuar se çfarë i ndodhi atij.

Ky ishte vetëm fillimi i torturave ndaj familjes Dehari. Këtë familje për tri vjet e gënjyen me deklarata të kota, me pamje të kamerave të montuara, me mjekësi ligjore të kapur nga ata që e mbytën, me Prokurori e cila kamufloi me rastin.

Rrjet i gjerë i kriminelëve të cilën u munduan që rastin ta paraqesin vetëvrasje. Megjithatë, një ekspertizë zvicerane, e cila u bë dhe u shkruajtë në një raport 58 faqesh hedh dyshimet e përfshirjes së një personi të tretë në këtë vrasje.

Pse po themi vrasje, sepse në Kosovë çuditërisht raportet e mjekësisë ligjore kanë kamufluar edhe me vrasje tjera, edhe pse janë gjetur rreth 13 ngulitje me thikë, e sidomos prapa shpinës e kanë bë vrasje.

Pos i mundet vallë nj njeri prapa shpinës ta therë vetën me thikë?

Mundet, mundet në Kosovë!

Po pra, këtu çka nuk mundet të ndodhë. Jemi vend i çudive dhe vakive!

Megjithatë, më askush nuk beson në këto institucione shtetërore me emër, e kriminale me punë!

“1. Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh. 2. Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN. 3. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë  se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i  qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, kështu shkruan në raportin zviceran, i cili ia qiti të palarat prokurorëve tanë dhe ish ministres Dhurata Hoxhaj, e cila e para filloi kamuflimin e rastit Dehari.

Astrit Dehari u vra me 5 nëntor të vitit 2016 në qelinë ku ishte brenda qendrës së paraburgimit në Prizren.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari së bashku me disa aktivistë të kësaj partie politike ishin arrestuar me 30 gusht të po këtij viti si të dyshuar se kanë kryer një sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 3 gusht po atij viti.

Për vdekjen e Astritin, janë bërë ekspertiza ku u konstatua që ka kryer vetëvrasje në qelin e tij, megjithatë diçka të tillë nuk e ka pranuar familja e as Lëvizja Vetëvendosje, e tash raporti zviceran i hodhi poshtë ekspertiza e kryera në Kosovë.

Në ditët e para kur edhe ndodhi vdekja e Astrit Deharit, në organet e drejtësisë në Kosovë, që nga dikasteri më i lartë Ministria e Drejtësisë, Gjykatat, Prokurorët dhe Policia e Kosovës, kemi pasur deklarata kontradiktore të tyre.

Edhe pse, akoma deri më tani nuk e kemi të qartë, se a ka vdekur në burg, apo rrugës për në spital, deklaratat nga vet organet e drejtësisë ishin të kundërta. E për vdekjen e Astritit, askush deri më sot nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Në atë kohë, në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte Dhurata Hoxha, e cila kishte thënë se, po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth rastit të humbjes tragjike të jetës së Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe se “është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet për zbardhjen e rastit”.

“Çdo deklarim para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse, është në dëm të procesit dhe në dëm të zbardhjes së të vërtetës. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë rezultatin e hetimeve. Ju premtoj se do të vazhdoj të ofroj dhe të kërkoj transparencë në çdo hap të zbardhjes së këtij rasti, por edhe ju lus që të mos nxitohemi me deklarime dhe të gjykojmë para se institucionet e vendit tonë të bëjnë punën e tyre”, ka thënë Hoxha.

Mirëpo, me këtë deklaratë ministrja e atëhershme Dhurata Hoxha, kishte kërkuar të mos ketë deklarime paragjykuese, por, vetë organet e drejtësisë kanë paragjykuar me vdekjen e Astritit, duke lënë dyshime se ministrja Hoxha nuk garantonte një proces të pavarur dhe pa ndërhyrje.

Së këndejmi, të gjitha këto ndërhyrje tashmë dolën sheshin me raportin prej 58 faqesh zviceran.

Në këtë kohë, duhet urgjentisht të hetohet vrasja e Astritit, se kush ishte urdhërdhënësi, kush ishte vrasësi, cilat ishin arsyet që Astriti të vritej? Pas kësaj, duhet të hetohen edhe ata që i bënë ekspertizat në Kosovë, si dhe prokurorët e rastin që gënjyen?

Ky zinxhir, sado që është i gjatë ka fund. Duhej të hetohen të gjithë me rend dhe të dalin para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat