Kadri Veseli i “tmerruar” përballë viktimave të SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës

Politika

Kadri Veseli i “tmerruar” përballë viktimave të SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 tetor 2019 Në ora: 19:36
Kadri Veseli

Vrasjet anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës vazhdojnë të mbesin enigma të pazgjidhura, shkruan gazeta “Bota sot”.

Shpresat se këto vrasje do të zbardhen kryesisht forcohen kur themelohen qeveritë e reja, e në veçanti kur pjesë e saj do të jetë edhe “viktima e këtyre vrasjeve” – Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për këto vrasje zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës gjithnjë gishtin e kanë drejtuar tek  Shërbimi Informativ i Kosovës. Mirëpo, kjo organizatë në legjislaturën e shtatë është “përforcuar” jashtëzakonisht shumë.

Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, dhe katër bashkëpunëtoret e tij në Shërbimin Informativ të Kosovës, kanë arritur t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për tu bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kadri Veseli së bashku me Elmi Reçicën, Bekim Haxhiun, Fatmir Xhelilin dhe Ferat Shalën, do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës besojnë fuqishëm se kjo legjislaturë do të bëjë më tepër lidhur me këtë çështje të ndjeshme se sa ato të kaluarat.

Ndërsa, analistët politik vlerësojnë se prania e Rudit, Mustafës dhe e Manajt në Kuvendin e Kosovës,  do t’i vejë në siklet ish-shefin e SHIK-ut dhe vartësit e tij.

Rudi: SHIK-u përgjegjëse për pothuajse gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës

Image
Fetah Rudi

Për vrasjet politike, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe deputetin e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi.

Rudi është shprehur se Shërbimi Informativ i Kosovës i Kadri Veselit ka përgjegjësi për të gjitha ndodhitë jo të mira që i ka përjetuar vendit përgjatë gjithë këtyre viteve.

“Së pari SHIK është një organizate kriminale e cila është përgjegjëse për pothuajse gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës. Po sikur të mos ishin në institucionet e shtetit kjo strukturë kriminale e që ka shtrirje në të gjitha institucionet qendrore, polici e drejtësi, këto raste do të ishin zbuluar shumë kohë më parë, e jo që në 20 vite nuk është bërë asgjë. Drejtësia në Kosovë ka qenë e kapur nga SHIK-u dhe vazhdon të jetë ende”, ka thënë Rudi.

Deputeti i ardhshëm i LDK-së ka shtuar gjithashtu duke thënë se zbulimi eventual i vrasjeve politike do të jetë edhe një lajm i keq për SHIK-un dhe udhëheqësit e saj.

“SHIK-u është përgjegjës për vrasjet politike në Kosovë, dhe zbulimi i vrasjeve politike është një tronditje për SHIK-un dhe udhëheqësit e saj, të cilët padyshim do të përfundonin në burg. Dhe kjo është arsyeja pse SHIK-u ka penguar dhe do të mundohet vazhdimisht ta pengojë zbardhjen e vrasjeve politike”, ka shtuar deputeti i ardhshëm i LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Ai ka premtuar se do të jetë  një zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës, ku do të bëjë thirrje që të hetohen dhe zbulohen të gjitha vrasjet politike të kryera në Kosovë ndaj aktivistëve të LDK-së.

“Do të jem një zë i fuqishëm në Kuvendin e Kosovës ku do të bëjë thirrje që të hetohen dhe zbulohen gjitha vrasjet politike në Kosovë, e ku viktima janë aktivistët e LDK-së. Po ashtu, do t’i ndjekim rrugët institucionale duke mos heshtur dhe duke kërkuar vazhdimisht në parlament që të zbulohen këto raste, nuk janë të pakta. Nëse drejtësia çlirohet nga ndikimi i SHIK-ut, padyshim që vrasjet politike do të zbulohen, pasi deri më tani drejtësia në Kosovë nuk ka guxuar që t’i hetojë vrasjet e aktivistëve të LDK-së”, ka potencuar Rudi.

Në fund, veprimtari i LDK-së ka theksuar se janë gjithashtu me shpresën se edhe Specialja do të angazhohet shumë për ta zbuluar të vërtetën e këtyre vrasjeve.

“Është mirë të pyetën personat përgjegjës pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Gjithashtu, shpresat janë te Gjykata Speciale për zbulimin e këtyre vrasjeve. Besojmë dhe shpresojmë që ajo do të arrijë të zbulojë dhe dënojë autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjeve dhe tentim vrasjeve të aktivistëve të LDK-së. Po ashtu, besoj që  kjo legjislaturë do të bëjë më tepër lidhur me këtë çështje të ndjeshme se sa ato të kaluarat”, ka përfunduar Rudi.

Hajdaraj ka shpresa te Specialja

Image
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, djali i zyrtarit, deputetit të vrarë të Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Smajl Hajdaraj, në një përgjigje të shkurtër dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, ka shpresa vetëm tek Gjykata Speciale.

Ndërsa, ai është shprehur skeptik, se për këtë çështje do mund të kryejë punë edhe Kuvendi i Kosovës.

“Vetëm nëse bënë diçka Gjykata Speciale, se Kuvendi i Kosovës s’mundet të bëjë asgjë”, ka thënë Hajdaraj.

Ai uron gjithashtu deputetët e rinj (viktimat e SHIK-ut) që të jenë shumë më të zëshëm lidhur me këtë çështje.

“Uroj që deputetët e rinj (viktimat e SHIK-ut) të jenë shumë të zëshëm, edhe kisha preferuar me i dëgjuar ata se çka po thonë”, ka deklaruar Shpëtim Hajdaraj, djali i zyrtarit, deputetit të vrarë të LDK-së, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Prania e Rudit, Mustafës dhe e Manajt në Kuvend do të vejë në siklet ish-shefin e SHIK-ut

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, Nexhat Haziri, analist politik në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se do të jetë një përballje interesante në Kuvendin e Kosovës mes SHIK-ut dhe “viktimave”, për të cilat thotë se dyshohet se ka autorësi kjo organizatë.

“Është diçka interesante që në një përbërje të tillë të kësaj legjislature do të kemi një përballje të SHIK-ut, ku pesë nga drejtuesit e kësaj organizate kriminale janë deputetë, dhe përballë tyre do të jenë viktimat që për të cilat dyshohet se ka autorësi kjo organizatë”.

Ai është i mendimit se prania e Rudit, Mustafës dhe e Manajt në Kuvendin e Kosovës  do t’i vejë në siklet ish-shefin e SHIK-ut dhe vartësit e tij.

“Fetah Rudi, Shkëmb Manaj, Besian Mustafa, etj, prania e së cilëve do të vejë në siklet shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin dhe vartësit e tij në këtë organizatë, dhe jo vetëm, por shpresojë se si Rudi, Manaj dhe Mustafa, do të angazhohen fuqishëm që t’i demaskojnë të dyshuarit për plagosjen, respektivisht vrasjen e etërve të tyre, duke u angazhuar për ndërtimin e një shteti funksional me sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pa politizuar, të bëjë zbardhjen e vrasjeve politike dhe autorët e këtyre krimeve të nxirren para drejtësisë”, ka thënë mes tjerash Haziri.

Tutje, Haziri ka thënë se deputetë e LDK-së duhet të angazhohen që përmes një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, SHIK-u, të shpallet dhe të trajtohet vetëm si një organizatë kriminale.

“Po ashtu, mendoj se këta tre deputetë nga LDK-ja, së bashku edhe më të tjerët duhet të angazhohen që përmes një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, SHIK-u, të shpallet dhe të trajtohet vetëm si një organizatë kriminale më të cilën duhet t’i merret drejtësia, duke e kundërshtuar dhe penguar çfarëdo iniciative hetimi parlamentar për veprimtarinë e kësaj organizate kriminale, i cili nuk do të sillte as edhe një rezultat dhe do t’i jepte legjitimitet”, ka thënë analisti politik, Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat