Liberalizimi i vizave, “patatja e nxehtë” që iu la qeverisë Kurti nga keqqeverisja e kaluar

Politika

Liberalizimi i vizave, “patatja e nxehtë” që iu la qeverisë Kurti nga keqqeverisja e kaluar

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 nëntor 2019 Në ora: 08:14
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ditë më parë, është raportuar se Kosova nuk do ta prek “ëndrrën e kahmotshme” për liberalizimin e vizave. Kjo pasi që Franca ka njoftuar se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën derisa të përmbushen kushtet për sundimin e ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe pse vendi së shpejti do të ketë qeverinë e re, pas certifikimit të zgjedhjeve kjo e fundit do të ketë përballet me problemin e mos liberalizimit të vizave, njësoj sikurse qeveritë e kaluara, shkruan gazeta “Bota sot”.

Madje, problematika e liberalizimit të vizave pritet të jetë një barrë për qeverinë e re, e cila do ta ketë për detyrë që t`i rregullojë gabimet e qeverive të shkuara në fushën e sundimit të ligjit.

Elezaj: Fajin kryesor dhe ekskluziv e kanë qeveritë tona të mëparshme

i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar arsyen pse vendi nuk ka liberalizim të vizave dhe ka treguar se kush janë fajtorët kryesor pse qytetarët e Kosovës nuk janë të barabartë me shtetasit e shteteve që janë pjesë e BE-së.

Image
Rexhep Elezaj

“Pyetja juaj ngërthen në vete disa aspekte politike si dhe shkaqe të shumta, se pse vetëm Kosova, gati 20 vite pas luftës erdhi në këtë situatë jashtëzakonisht të pa lakmueshme krahasuar me vendet tjera ballkanike, duke ngelur vendi i vetëm i izoluar si një geto në shkretinë, të cilës BE-ja sikur me qellim nuk po ia heq vizat, pranë deklarimeve verbale të udhëheqësve të saj më të lartë, se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e regjimit të vizave! Unë mendoj, se pranë qëndrimeve tejet të ngurta dhe mjaft rigoroze që kanë mbajtur organet më të larta të BE-së dhe Parlamenti Evropian, sidomos në dekadën e fundit ndaj Kosovës, siç është folur edhe për shkaqe të mospajtimeve të mëdha midis vendeve anëtare të Bashkimit Evropian rreth heqjes së vizave për Kosovën, se ajo i ka plotësuar, apo, se ajo nuk i ka plotësuar standardet evropiane për liberalizim të vizave, fajin kryesorë dhe ekskluziv e kanë qeveritë tona të mëparshme, përkatësisht udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës, duke filluar nga presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri..!?”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Elezaj ka theksuar, se Franca ka marrë qëndrim të prerë, se Kosovës nuk duhet hequr vizat, derisa organet shtetërore të saj ta luftojnë rrënjësisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin.

“Pra, ka qenë shumë e qartë për çdo vëzhgues politik, se BE-ja nuk do ia heq regjimin e vizave vendit tonë, derisa brenda vetë institucioneve shtetërore korrupsioni vazhdon të jetë në nivel të lartë, kundër të cilit qeveritarët tanë nuk ndërmerrnin asnjë veprim. Kështu që Franca, si njëri ndër vendet kyçe brenda BE-së, unë them me të drejtë, ka marrë qëndrim të prerë, se Kosovës nuk duhet hequr vizat, derisa organet shtetërore të saj ta luftojnë rrënjësisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe nepotizmin. Nuk duhet harruar se ishte pikërisht Franca ajo e cila i vuri veto Shqipërisë dhe Maqedoninë veriore për hapjen e negociatave me BE-në!”, ak thënë ai për “Bota sot”.

“Qeveria e re do ta fitojë këtë luftë”

Gjithashtu, Elezaj është shprehur se kjo luftë do jetë ndër sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme, në krye të cilës për fatin tonë si shtet dhe si shoqëri, do jetë Kurti si, kryeministër i saj.

“Prandaj, lufta kundër këtyre dukurive shumë të dëmshme për shoqërinë kosovare si dhe për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, është kushti themelor për ndërtimin e shtetit ligjor, për organe të pavarura të drejtësisë, ku politika nuk guxon të ndërhynë gjyqësorin, etj, që pa asnjë dyshim, se kjo luftë do jetë ndër sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme, në krye të cilës për fatin tonë si shtet dhe si shoqëri, do jetë z. Albin Kurti, kryeministër i saj.”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Elezaj mendon se me Qeverinë Kurti brenda disa muajve qeveria e re do ta fitojë këtë luftë të vështirë për ta bindur BE-në për liberalizimin e Vizave.

“Besoj shumë se ai së bashku me ekipin e tij qeverisës do ia dalë që ta pastrojë vendin tonë nga bartësit kryesorë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç jam i sigurt se brenda pak muajve qeveria e re do ta fiton këtë luftë shumë të vështirë, për ta bindur BE-në më në fund, se Kosova nuk mund të ngelë në pafundësi vrimë e zezë në Ballkan, dhe atë jo për fajin e shqiptarëve, por për shkakun se ata udhëhiqeshin nga pushtetarë të korruptuar, të pamoralshëm dhe antikombëtarë..!?”, ka thënë Elezaj për “Bota sot”

Daku: Dy çështjeve me të cilat po ballafaqohet BE karshi Ballkanit

Image
Selim Daku

Në një prononcim, Selim Daku, drejtor i Qendrës Kosovare për Diplomaci, për “Bota sot”, ka pohuar se kërkesat që Franca ka adresuar janë legjitime.

“Për qytetarët e Kosovës, diskutimi për lëvizjen pa viza në Evropë, është bërë temë demode. Diskutimi për të, në raste mund të jetë jo i këndshëm. Sidoqoftë, kërkesat që Franca ka adresuar janë legjitime. Kosova vazhdimisht duhet të punoj në intensifikimin e përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, fillimisht për forcimin e rendit dhe ligjit brenda shtetit dhe më pas edhe për plotësimin e “super kritereve” për liberalizim të vizave”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai i ka përmendur deklaratat e Komisionit dhe Parlamenti Evropian për Kosovën rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

“Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar në vitin 2016, gjithashtu në vitin 2018, që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kriteret shtesë për lëvizje pa viza në vendet schengen”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shpjeguar frazat të cilat po i përdorin shtetet e BE-së, si dhe çështjet të cilat po ballafaqohet kjo e fundit.

“Prandaj, frazat që dalin nga Franca dhe disa shtete të tjera të BE-së, janë rezultat i dy çështjeve me të cilat po ballafaqohet organizata. E para është vetë brishtësia e organizatës dhe e dyta është mungesa e vëmendjes së BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor, si rezultat i problemeve të brendshme.

BE-ja po ballafaqohet me sfidën e largimit të Britanisë së Madhe, gjë që është njëra nga goditjet më të mëdha që nga themelimi i saj. Kjo sfidë e BE-së, ka c ‘orientuar liderët e organizatës dhe veprimet e tyre në procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht liberalizimit të vizave për Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se çdo kërkesë të re, që Franca apo shtete tjera të BE-së mund të adresojnë për Kosovën, është pengesë e paarsyeshme, e cila tregon mosgatishmërinë e tyre, për të pranuar qytetarët e Kosovës si të barabartë me evropianët.

“Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nga viti 2018 nuk është i varur nga institucionet e shtetit të Kosovës. Ai varet direkt nga vullneti dhe gatishmëria e shteteve si Franca, të cilat me veprimet e tyre, pa arsye të logjikshme po zvarrisin këtë proces.

Çdo kërkesë tjetër të re, që Franca apo shtete tjera të BE-së mund të adresojnë për Kosovën,është pengesë e paarsyeshme dhe tregon për mos gatishmërinë e tyre, për të pranuar qytetarët e Kosovës si të barabartë me fqinjët dhe bashkëqytetarët tjerë evropian”, ka përfunduar Daku për “Bota sot”.

Mirsad Voca: Qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë

Image
Mirsad Voca

Ndërkaq, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë “Bota sot” se deri tani nuk është parë që po punohet seriozisht për sundim të ligjit, luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

“Siç kam theksuar edhe herëve tjera, Liberalizimi i vizave për Kosovën bëhet vetëm atëherë kur shihet qartë se po punohet seriozisht për sundim të ligjit, luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Deri më tani nuk kemi parë në teren diçka substanciale lidhur me luftimin e këtyre fenomeneve”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Voca ka thënë se Qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë sepse kemi të bëjmë me një paradigmë politiko-mafioze që është ndërtuar që nga paslufta, e cila ka depërtuar edhe në një lloj mentaliteti shoqëror në çdo sferë të jetës.

“Natyrisht se është një sfidë për Qeverinë e re duke e patur parasysh se këto fenomene negative janë të ngulitura thellë edhe në mentalitetin politik e juridik të vendit dhe për t’u luftuar ato duhet një qasje me organizim e përgjegjësi të lartë, si dhe konsistencë sepse këto fenomene duhet luftuar pa reshtur e jo vetëm për një mandat qeverisës.

Qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë sepse kemi të bëjmë me një paradigmë politiko-mafioze që është ndërtuar që nga paslufta, e cila ka depërtuar edhe në një lloj mentaliteti shoqëror në çdo sferë të jetës. Mbi këtë paradigmë disa shihnin të ardhme e sidomos ata që e kanë ndërtuar atë, ndërsa shumica nuk shihte të ardhme në Kosovë dhe këtë e tregoi edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit, duke i larguar nga skena politike parti e figura që i sollën vendit realitetin e tanishëm”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Por, ai ka përmendur qasjen me të cilën Kosova mundet t`i thyej muret e Paradigmës së vjetër për të shkuar drejt një të ardhme prosperuese.

“Besoj se së pari kjo paradigmë nga e cila u krijua kjo situatë e pashpresë në Kosovë, dhe të cilën e krijuan disa grupe të ndryshme interesi e politike, dhe e cila krijoi përvojën e kapjes së Shtetit e u tentua edhe kapja e tërë shoqërisë, duhet të zhbëhet plotësisht dhe të krijohen themele të reja mbi të cilat do të kemi sundim të ligjit, luftim të parreshtur të krimit mafioz e të korrupsionit. Vetëm me një qasje të tillë do të mund t’i thyejmë muret e Paradigmës së vjetër për të shkuar drejt një të ardhme prosperuese”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka ritheksuar themelin në të cilin Qeveria e Kosovës do të ndërtonte një e ardhme progresi afatgjatë.

“Liberalizimi i vizave do të bëhet një ditë mirëpo Qeveria e re duhet të bëj së pari atë që i takon asaj dhe që varet ekskluzivisht vetëm prej saj, e që është funksionalizimi i Shtetit ligjor. Ky është themeli mbi të cilin do të ndërtohet një e ardhme progresi afatgjatë”, ka thënë Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat