A është ky plani i Lutfi Hazirit për Vjosa Osmanin?

Politika

A është ky plani i Lutfi Hazirit për Vjosa Osmanin?

Nga: D.RR Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 17:11
Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani

Një deklaratë e Lutfi Hazirit ka ngjallur reagime të mëdha në opinion, shkruan “Bota sot”.

“Emri i kryeministrit kalon në zyret e LDK-së”, ishte deklarata e Hazirit i cili mori shumë kritika, e disa prej tyre iu përgjigj me fjalor të rrugës.

Siç e komenton opinioni, kjo deklaratë e tij nuk i kontribuon aspak arritjes së një marrëveshje LDK-VV.

Analisti politik dhe ish pjesëtar i UÇK-së, Liri Loshi, duke folur lidhur me këtë temë, i tha “Bota sot” se duket se kemi të bëjmë me një koordinim të menduar të garniturës së vjetër të LDK-së që pas humbjes së zgjedhjeve t’i bëjnë shantazh Albin Kurtit, i cili po llogaritë ende në mirëbesimin me LDK-në, ndërsa po pritet diçka jo e mirë për Vjosa Osmanin.

Image
Liri Loshi

“Isa dhe Luta, po luajnë me qibrita! Duket se kemi të bëjmë me një koordinim të menduar të garniturës së vjetër të LDK-së që pas humbjes së zgjedhjeve t’i bëjnë shantazh Albin Kurtit, i cili po llogaritë ende në mirëbesimin me LDK-në. Në këtë moment ata po tentojnë që të përfitojnë sa më shume për vete. Plani i dyshes Mustafa - Haziri është që pas dy vitesh zoti Mustafa të bëhet president i Kosovës, zoti Haziri ta marrë drejtimin e LDK-së, kurse zonja Osmani të devalvohet si humbëse e zgjedhjeve! Shkuarja në zgjedhje të reja nuk i konvenon LDK-së dhe sidomos nuk iu konvenon Isa Mustafës dhe Lutfi Hazirit. Vjosa Osmani nuk do të pranonte më të ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, kur e di se përballë Albin Kurtit humbjen e ka të sigurtë. Por, ajo mund të kandidonte vetëm me një kusht: që së pari të zgjidhej kryetare e partisë e pastaj të nominohej si kandidate për kryeministre. Në një situate të këtillë LDK mund ta ruante pozitën e dytë, kurse pa Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre, LDK do të ishte partia e tretë pas PDK-së, ndërkohë që Vetëvendosja do të dilte më 40+ deputetë”, tha Loshi.

Mirëpo ai thotë se Albin Kurti e kupton lojën e tyre, teksa thekson se partneri i vërtet i Kurtit është Vjosa Osmani.

“Albin Kurti e kupton mirë lojën me qibrita të Lutfi Hazirit dhe Isa Mustafës dhe nuk do të bjerë në kurthin e tyre. Duke përçuar vetëm mesazhe pozitive dhe konstruktive rreth koalicionit me LDK-në, ai po tregon se është një politikan i vërtetë që interesin e vendit e ka mbi të gjitha interesat tjera. Më bë fund, partner i vërtetë i Albin Kurtit nuk është Isa, as Lutfiu, por është Vjosa Osmani. Nëse brezi i ri arrin që ta reformojë LDK-në dhe ta vë Vjosa Osmanin në krye, zonja Osmani nuk do të mbetet vetëm një partnere koalicioni e zotit Kurti, por do të zhvillohet më tej me gjasa reale për t’u bërë konkurrente serioze e tij dhe në të ardhmen t’ia rrezikojë postin e kryeministrit. Një konkurrencë e tillë është e dobishme për LDK-në, por është e dobishme edhe për Vetëvendosjen, si dhe për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, Loshi beson se koalicioni VV-LDK do të arrihet, pavarësisht pengesave.

“Mirëpo, pavarësisht prej kësaj situate, unë jam shumë optimist se koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së do të bëhet menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, kurse Lutfi Haziri gradualisht do të kalojë nga qendra e LDK-së në margjina të saj, aty ku vërtet e ka vendin. Sidoqoftë, lidershipi i LDK-së duhet të jetë i kujdesshëm dhe të sillet me përgjegjësi në këtë moment krucial për Kosovën e mbase më shumë për faktorizimin e partisë së tyre. Ata duhet të faktorizojnë individët (në këtë rast veten) përmes partisë dhe jo partinë përmes individëve, siç janë duke vepruar tash. Shantazhi i LDK-së me shkuarje në opozitë mund t’i kthehet bumetang vetë asaj, si një fenomen autodestruktiv që do ta redukonte LDK-në në një parti të parëndësishme”, theksoi Loshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat