Qeveria Kurti duhet t`u jap fund segmenteve politikomafioze

Politika

Qeveria Kurti duhet t`u jap fund segmenteve politikomafioze

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 nëntor 2019 Në ora: 22:37
Albin Kurti

Me formimin e Qeverisë së re duhet të shqyrtohen të gjitha rastet, ku një person punon në 3-4 vende të punës, në kohën kur papunësia në Kosovë është shumë e madhe. Por se si duhet të veprohet me këtë çështje, kur një pjesë e madhe e të rinjve janë të papunë, kurse një pjesë tjetër brenda një orari punon në disa vende?

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se duhet që të rishqyrtohen këto vende të punës dhe të iu bëhet kusht që ata persona që mbajnë 2-3 apo më shumë vende të punës të zgjedhin njërin prej tyre dhe t`ua lirojnë vendet atyre që janë të papunë.

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se nëse qeveria e re e Kurtit nuk ka kujdes ndaj personave që mbajnë tri-katër punë e dikush hiç, atëherë asgjë s’do bënte. Sipas tij, kjo e keqe e ardhur nga qeveria e mëparshme sa më shpejt duhet eliminuar.

Image
Sulejman Mehazi

“Shumë shpresëdhënëse është edhe deklarata e Kurtit për kushtëzimin e mjekëve të cilët mbajnë nga dy punë, e duhet zgjedhur njërën, ose në shtëpi duhet punuar, ose në spital; këto thënie të Kurtit na japin shpresë, se, kjo qeveri do ketë kujdes në të gjitha sektorët e katedrat qeveritare e jo vetëm në shëndetësi. Kjo oligarki e të punësuarit me shumicë në tri-katër punë institucionale sa më shpejt duhet pakësuar në një vend pune”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Ai konsideron, se në asnjë shtet normal të botës kjo nuk ndodh, përveç shteteve oligarke sikurse që ka qenë qeveria e mëparshme e Kosovës.

“Besimin që pati popullata ndaj opozitës, LVV e LDK, duhet çuar në vend, s’mundet të rinjtë e Kosovës të enden andaj e këndej botës, rrethe përqark, duke kërkuar punë e dikush të ketë trikatër vende pune. Qeveria e re e LVV dhe LDK, së pari duhet të kënaqte e lumturonte me punësime popullatën, të rinjtë e të rejat e Kosovës e pastaj vetveten. Të vetëvendosin hareshëm popullata e Kosovës e jo interesat personale të Vetëvendosjes e LDK-së. Shpresojmë në të mirën e Kosovës me qeverisjen e Albin Kurtit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Mehazi.

Shahu: Bizneset dhe shteti nuk e konsiderojnë fuqinë punëtore apo krahun e punës si aset të parë dhe ndaj nuk e paguajnë për sa duhet

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se punësime në dy e tre vendeve vjen si shkak i pagave të vogla, vjen si shkak se bëhet sikur punohet, dhe nuk paguhen njerëzit në mënyrë të dinjitetshme. Sipas tij, bizneset dhe shteti nuk e konsiderojnë fuqinë punëtorë apo krahun e punës si aset të parë dhe ndaj nuk e paguajnë për sa duhet.

Image
Rexhep Shahu

“Për pasojë njerëzit nga nevoja kërkojnë dy punësim. Kështu ne po krijojmë gradualisht skllavërinë e re moderne në Kosovë e Shqipëri. Bizneset që paguajnë mirë punëtorët kanë rezultuar gjithmonë me të suksesshme. Ndërsa sa i përket punësimit edhe në shtet edhe në sektorin privat edhe këtu hyn pagesa e vogël por edhe korrupsioni, edhe degjenerimi i shtetit përmes veprimeve mafioze. Specialistë të zotë që japin minimum në shtet e maksimum në sektorin privat

e bëjnë së nuk paguhen mirë. Ka segmente politiko mafioze që tentojnë ta dobësojnë shtetin për ti marre klientët, për ti marrë nga shteti tek privati pacientët, nxënësit, etj etj. Kjo kërkon veprime të forta për rritje pagash në total dhe nuk bëhet as me urdhra e as me ligje”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Berisha: Praktika e mbrapsht që zbatohet deri tani, ka marr hov disa vite të eliminohet njëherë e përgjithmonë

 Kurse, analisti politik Ejup Berisha, ka thënë se në një shtet me sistem demokratik të qeverisjes, qeveria në sektorin publik, duhet të ushtrojë kontroll mbi punësimet, sepse ajo më konkretisht Qeveria është punëdhënësi kryesor.

 “Qeveria duhet të mbajë llogari, që çdo individi në shtet ti siguroj një vend pune sepse gjithashtu çdo individi i takon një punësim dinjitoz me qëllim që ai të mund ta siguroj ekzistencën e vete dhe të familjes së tij. Kushtetuta flet për një vend pune e jo për më shumë se një vend pune për një individ siç është bërë praktikë te ne jo vetëm se në Kosovë por edhe në rajon pra që një individ të zë dy tre apo katër vende të punës. Një fjalë popullore thotë kush është i zoti mos i shkoftë i zi moti. Por në kushte të papunësisë shumë të madhe njerëzit duhet të bëhen më të vetëdijshëm dhe më solidar dhe të mbajnë llogari edhe për individ të tjerë që edhe këta të zënë nga një vend pune e jo vetë të uzurpojnë më shumë se një vend pune”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha

Image
Ejup Berisha

Sipas tij, nuk është normale që një individ të mbajë më shumë se një vend pune në kushte kur shumica e njerëzve nuk kanë mundësi të punësohen dhe ta sigurojnë kafshatën e gojës.

 “Kjo na bën të ditur se ata individ kanë zënë nga gjashtë apo shtatë vende pune. Këtu duhet analizuar se sa janë produktiv ata individ apo se sa janë në gjendje ti kryejnë obligimet e tyre që dalin nga kontratat të cilat janë nënshkruar mes tyre dhe institucioneve që u ofrojnë punë atyre. Pra po që se dëshiron Qeveria të vendos sistem të drejtësisë duhet që individëve që zënë më shumë se një vend pune tu rekomandojë apo dhe tu sugjerojë që të heqin dorë nga vendet e tjera të punës dhe ta mbajnë vetëm një prej tyre duke e ngritur kështu vetëdijen e individëve se edhe individ të tjerë përpos tyre kanë të drejtë të punësohen e jo vetëm se ata”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha

Ai konsideron se, Qeveria e Republikës së Kosovës në vend që të vendos rend e rregull në politikën e punësimit deri tani edhe vetë e ka stimuluar praktikën që një individ të ketë në dispozicion edhe nga dy, tre, katër, pesë, gjashtë apo dhe shtatë vende pune e disa individ të tjerë të papunë të mos mund as të imagjinojnë që të zënë një vend të vetëm pune. “Pra duhet rishqyrtuar punët dhe rezultatet të cilat arrihen nga individët që mbajnë më shumë se një vend pune dhe Qeveria duhet të përkujdeset që secili individ i aftë për punë që ta zë një vend pune. Praktika e mbrapsht që zbatohet deri tani dhe ka marr hov disa vite të eliminohet njëherë e përgjithmonë sepse ajo e pengon parimin e barazisë kushtetuese dhe ligjore në sferën e punësimit”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat