Dy kushtet themelore për heqjen e vizave nuk janë kryer nga Kosova

Politika

Dy kushtet themelore për heqjen e vizave nuk janë kryer nga Kosova

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 nëntor 2019 Në ora: 11:25
Ilustrim

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ditë më parë ka thënë se në ditët e para të Qeverisë së ardhshme, pritet të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët.

Ai në një konferencë për media ku shpalosi raportin e punës së Qeverisë dy vjeçare të drejtuar nga ai tha se është i pakënaqur me procesin e liberalizimit.

“Në ditët e para të qeverisë së re do ta kemi liberalizimin. Një pjesë e punës do të ndodhë edhe tani në fund të nëntorit. por liberalizimi do të ndodh në dhjetor. Të gjithë bartim edhe merita edhe faj,  këto i kam edhe unë se pse nuk i kemi vizat. BE është e interesuar të ecë përpara në këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike dhe profile të ndryshme të skenës politike, vlerësojnë se kushtet e përmbushjes së liberalizmit të vizave, janë plotësuar kaherë. Sipas tyre, Kosova meriton heqjen e vizave, sepse tashmë ajo po ngjallë zhgënjime që po e forcojnë bindjen euro-skeptike mbase edhe anti-euroaltlantike që e gjejmë të përpunuar tashmë tek disa subjekte politike ku ka ekstrem të majtë dhe keqinterpretime fetare.

Kollçaku: Qeveria Haradinaj nuk luftoi krimin dhe korrupsionin

Image
Fatmire Mulhaxha- Kollçaku

Fatmire Mulhaxha- Kollçaku nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se VV asnjëherë nuk ka marr si dhuratë asgjë, prandaj nuk duhet të presim dhurata të tilla të pabazuara në realitet.

Sipas saj, kjo Qeveri po e përfundon mandatin pa dhënë prova se e kishte pasur seriozisht sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar institucional.

“Përkundrazi kontribuuam shumë në prolongimin e procesit të liberalizimit të vizave me veprimet dhe mosveprimet e tyre. Tani Qeveria e re do të angazhohet maksimalisht që ky proces të përshpejtohet , me rikthim të besimit të qytetarëve por edhe faktorit ndërkombëtar, se ky shtet ka mundësi të funksionon ashtu siç duhet”, ka thënë ajo.

Avdullahu: Kosova meriton heqjen e vizave

Image
Faton Avdullahu

Kurse publicisti Faton Avdullahu konsideron se është për të gjykuar në bazë të përmbushjes së kushteve për heqjen e vizave ato është dashur të hiqen.

Sipas tij, kushtet e përmbushjes së liberalizmit të vizave, janë plotësuar kaherë, por tashmë si duket kemi vazhduar të bëjmë gabime të reja me çka kemi trembur BE-në se jemi të denjë për diçka të tillë.

“Një nga këto veprime është rasti i turqve, por edhe vendosja e taksës. Ne anën tjetër ajo më e keqja që mund të bëj BE është që punën e vizave ta mbaj si kartë shtesë politike për të na ndëshkuar tutje apo kushtëzuar qeverinë e re në raport me dialogun me Serbinë. Kjo nuk do të ishte korrekte. Kosova meriton heqjen e vizave, sepse tashmë ajo po ngjallë zhgënjime që po e forcojnë bindjen euro-skeptike mbase edhe anti-euroaltlantike që e gjejmë të përpunuar tashmë tek disa subjekte politike ku ka ekstrem të majtë dhe keqinterpretime fetare”, është shprehur publicisti Faton Avdullahu.

Kadriu: Heqja e vizave do të jetë një proces shumë i mundimshëm për Kosovën

Image
Kushtrim Kadriu

Ndërsa analisti politik Kushtrim Kadriu pohon se heqja e vizave do të jetë një proces shumë i mundimshëm për Kosovën, madje më shumë gjasë do të zgjasë edhe më gjatë, e si proces që do të marr së paku edhe tri vite të tjera.

Ai konsideron se Bashkimi Evropian është i interesuar që Kosovën ta mbajë në status kohë dhe ta shantazhoi atë në proceset e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë me kartën e liberalizimit të vizave.

“Kemi të qartë procesin nga e kaluara kur akterët Evropian mashtruan ish kryeministrin Haradinaj, me premtimin  nëse zgjidhë  telashet me Çakorrin do të ketë liberalizim por kjo nuk ndodhi Kosova duhet të heq dore me intensitet të marrët me liberalizimin e vizave por duhet fokusuar në zhvillimin e brendshëm ekonomik dhe prurjen e investitorëve nga jashtë. Pas realizmin të kushteve të mira atëherë do të jetë dhe interes i shteteve të Be-së të liberalizoj shtetasit e Kosovës", është shprehur analisti politik Kushtrim Kadriu.

Voca: Liberalizimi i vizave do të ndodh kur të filloj instalimi i Shtetit ligjor

Image
Mirsad Voca

Kurse njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë se  nëse veç ndodh liberalizimi i vizave për Krishtlindje, do të jetë më shumë një dhuratë Babadimri, ndërsa një gjë e tillë nuk varet nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet.

“Besoj se liberalizimi i vizave do të ndodh vetëm atëherë kur të filloj instalimi i vërtetë i Shtetit ligjor nga Qeveria e re, dhe vetëm nga një perspektivë e tillë reale mund të ndodh liberalizimi i vizave. BE ka ndryshuar qëndrimin për zgjerim nga përvoja me shtetet tjera të Ballkanit. Kjo ka bërë që Kosova të lihet anash sa i përket liberalizimit ani pse kjo çështje është politizuar pikërisht nga bisedimet Kosovë-Serbi”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se liberalizimi tani mund të ndodhë duke u nisur nga dy qasje, njëra ka të bëjë me normalizim të raporteve Kosovë - Serbi, kusht që e konsideroj jo të drejtë nga ana e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në anën tjetër, Kosova ka edhe një detyrë e që është më themelorja, luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe instalimit i Shtetit të së drejtës. Qasja e dytë varet ekskluzivisht nga Qeveria e ardhshme e Kosovës, e cila do të duhet të ndryshoj qasjen lidhur me ri-organizim shtetëror dhe kjo në të gjitha sferat", ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat