Novi Sadi dhe Ohri rikthejnë Versajën, ndërsa Edi Rama pro Jugosllavisë së Re!

Politika

Novi Sadi dhe Ohri rikthejnë Versajën, ndërsa Edi Rama pro Jugosllavisë së Re!

Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Më 8 nëntor 2019 Në ora: 21:20
Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Vuçiq foli në telefon para tri ditësh me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin. Temë i bisedës ishte samiti i radhës për krijimin e asaj që quhet “Minishengeni Ballkanik”! Pse mini e jo ballkanik? Sepse vendet, të cilat janë përzgjedh ta themelojnë këtë lloj Jugosllavie të Re, janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Janë përjashtuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. A është kjo rastësi? Jo, pavarësisht retorikës së Edi Ramës se “Minishengeni ballkanik është i hapur për të gjitha vendet”! Kur e quaj këtë retorikë kam parasysh se Ramën nuk e shqetëson fakti që Kosova izolohet vazhdimisht për shkak të destruktivitetit serb dhe aleancës së kryeministrit shqiptar me këtë lloj destruktiviteti.

Sot dy vëllezërit siamezë, Sandri i Beogradit dhe Edi i Tiranës, kanë udhëtuar drejt Ohrit. Po ashtu gjysmë-vëllai i tyre, Zaev. Të tre këta do të vijojnë bisedimet e Novi Sadit për formatimin e zonës gjysmë ballkanike me objektiva dhe synime ruso-serbe. Ndër këto objektiva bën pjesë edhe strategjia serbe e krijimit të një Jugosllavie të Re, pjesë e së cilës të ishte jo vetëm Kosova ende e panjohur ndërkombëtarisht në OKB, por edhe Shqipëria e Edi Ramës. Ndërkaq kryeqendra e kësaj Jugosllavie do të ishte sërishmi Beogradi.

Në një fjalim të Enver Hoxhës në fund të Luftës së Dytë Botërore thuhet shprehimisht: “Te Titua ne shifnim mikun e madh të popullit Shqiptar, në luftë dhe në paqe, ashtu si shihnim në popujt e Jugosllavisë miqtë dhe vëllezërit e popullit t’onë, me të cilët po shkonim krah për krah në luftën kundër fashizmit dhe do të shkonim krah për krah në rindërtimin e vendeve t’ona”. Qëmtova këtë dëshmi për të qartësuar dilemën, nëse Edi Rama sheh te njëjtën gjë te Aleksandër Vuçiq dhe populli serb?! A po përsërit ai të njëjtën histori në marrëdhëniet shqiptaro-serbe?! A dëshiron kryeministri i Shqipërisë që në maskën e integrimit dhe kërkesës për fqinjësi të mirë të realizojë programin e Partisë Komuniste dhe diktatorit Hoxha të periudhës 1941-1948?!

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq u bënë në vitin 2015-2016 nismëtarë të krijimit të një zone Shengen në të gjithë Ballkanin Perendimor, të cilën Vuçiq e pati emërtuar si Jugosllavia e Re me një ndryshim, minus Sllobenia e Kroacia dhe plus Shqipëria. Më pas ata u morën me një projekt më specifik, atë të ndryshimit të kufijve në Ballkan, duke nisur nga ndarja e Kosovës. Në të dy këto iniciativa Vuçiq u mbështet fuqishëm nga Rama. Por të dyja ato iniciativa dështuan me sukses. Pas kësaj gjatë takimit Vuçiq-Rama në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lindi ideja e “Minishengenit”, ide që josh në pamje të parë, por në fakt fsheh përpjekjet e Beogradit e të Edi Ramës për ta shndërruar rishtas Serbinë në vend lider në rajon.

Kjo iniciativë erdhi në momentin kur Macron po rishkruante në stilin e Versajës një projekt të ri për këto vende, ende jo anëtare të BE-së. Ky projekt u garanton vendeve “kandidate” për ta krijuar Jugosllavinë e Re të Vuçiq dhe Ramës, përkatësisht Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, një status special në raportet me Bashkimin Europian, por jo anëtarësimin e këtyre vendeve në Union. Macron përmend modelin norvegjez. D.m.th një rajon “neutral” ose siç konsiderohej Jugosllavia e Titos, “të paangazhuar”, por që do të duhej të ishte i hapur me Bashkimin Europian. Dhe më tej, duket se projekti Macron parashikon një rajon me ndikim 50:50 për qind të Perendimit dhe të Lindjes ruse.

Projekti Macron rikthen në vëmendje vendimet e Versajës, kur me iniciativë të Francës u krijua fillimisht Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene dhe më pas Jugosllavia e Parë si dhe vendimet e Konfetencës së Jaltës, kur u konfirmua Jugosllavia e Dytë si dhe prezenca me 50:50 për qind në të e Bashkimit Sovjektik dhe e Fuqive Perëndimore. Nuk ka asnjë dyshim se vendimet e Versajës dhe Jaltës ishin në favor të Francës e të boshtit Paris-Moskë. Të tilla ishin ato vendime edhe lidhur me Norvegjinë, për shkak të presionit rus.

Edi Rama, ndonëse kundërshton votën e Macron kundër Shqipërisë, vihet në funksion të projektit të tij, projekt i cili provokon gjeopolitikën e rajonit tonë. Mini-shëngeni ballkanik ose Mini-Jugosllavia e Re janë iniciativa antieuropiane, antiamerikane dhe për pasojë antishqiptare. Samiti i Ohrit dhe çdo përpjekje tjetër për formatimin e këtij projekti duhen parë si opsion antishqiptar në funksion të prezencës ruse dhe lidershipit serb në rajonin tonë. Pikërisht këtë do të duhej ta evitonte qeveria e Tiranës. Por ajo është investuar në të kundërtën, në krah të Serbisë dhe kundër interesave të Shqipërisë e sidomos të Kosovës, shtetësisë dhe pavarësinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat