Deputetët e rinj në Kuvend, profesori tregon pritjet

Politika

Deputetët e rinj në Kuvend, profesori tregon pritjet

Nga: G.B Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 14:23
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, u bë i ditur edhe numri dhe deputetët që do t’i përfaqësojnë partitë në Kuvendin e Kosovës në këtë legjislaturë.

E ajo që u vërejt nga këto zgjedhje, është që në këtë mandat, gati gjysma e deputetëve të zgjedhur janë të rinj në Kuvend, që marrin këtë post për herë të parë.

Se si komentohet kjo dhe cilat janë pritjet nga këta deputetë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Riza Smaka.

Image
Riza Smaka

Legjislaturën e fundit ai e ka quajtur anemike, të plogësht dhe korruptive, të cilët kanë gabuar me votimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, të cilët thotë se nuk do të duhej të ishin më pjesë e Kuvendit.

“Legjislatura e përparme ishte anemike, e plogësht, e pa nisma elementare madje edhe korruptive veçanërisht përkitazi me votimin e gabuar e të famshëm të Marrëveshjes për Kufirin e Kosovës e të Malit të Zi, sipas së cilës vendi ynë panevojshëm e krejtësisht pa skrupull shtetëror e kombëtar Kosova jonë është copëtuar e ndrydhur për mbi 8000 hektarë. Nga këto rrethana ish deputetët 80 sosh që e patën votuar pro atë Marrëveshje, kurrsesi nuk do të duhej të rivotoheshin për këtë legjislaturë”, është shprehur ai.

Profesori vlerëson se Kuvendi me deputetë të rinj do të ishte zgjidhja më e mirë, që pritet të ketë një ngjallje cilësore të funksionimit dhe aktiviteteve të Kuvendit.

“Një strukturë e përtërirë e Kuvendit me deputetë e deputete të rinj e të reja, do të ishte zgjidhja më e mirë. Megjithatë kryesisht në saje të deputeteve e deputetëve të reja e të rinj mund të pritet një ngjallje cilësore e funksionimit dhe e aktiviteteve të Kuvendit, në radhë të parë në ngritje e trajtim serioz të shumë çështjeve të hapura aktuale e akute si dhe në fushën e miratimeve të jo pak akteve ligjore, duke përfshirë përmirësime e plotësime, po ashtu të jo pak akteve juridike të përgjithshme të legjislacionit primar. Veçanërisht t'i urojmë për punë të mbarë deputetet e deputetët e posamandatuar”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat