Gabimi i trefishtë i Edi Ramës me ”Mini shengenin” Ballkanik

Politika

Gabimi i trefishtë i Edi Ramës me ”Mini shengenin” Ballkanik

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 nëntor 2019 Në ora: 19:42
Rama, Vuçiq dhe Zaev

“Me këtë vlerësoj që kryeministri Rama po bënë gabim të trefishtë si historik, diplomatik dhe ekonomik. Së pari të sillet me Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë si shtete mike ku dihet që pikërisht këto shtete e kanë dëmtuar popullin dhe shtetin shqiptar. Së dyti të humbë agjendën evropiane dhe të bëjnë lëvizje në vendnumërim ky është një tregues që kryeministrit Rama iu ka ndal ora ose po i numëron mbrapa dhe Së treti Shqipëria nuk do përfitoi asgjë nga ana ekonomike sepse qëllimi i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është qetë kenë dalje në det dhe mos të kishin interesim këto dyja nuk do i jepej rasti kryeministrit Rama që të shtrëngoi duart me Zaevin dhe me Vuçiqin”, u shpreh, Kadriaj.

Kryeministri i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti i Serbisë janë mbledhur në Ohër në një takim trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor. Në samitin në fjalë është diskutuar mbi zbatimin e katër lirive të Bashkimit Evropian; lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve.

Gjatë këtij takimi, Rama-Zaev dhe Vuçiq kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me listën e përparësive për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në dokument theksohet qartë se anëtarësimi në BE është objektivi kryesor i Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, prezent në këtë takim nuk ka qenë Kosova, mos-prezenca e tij ka bërë që Kryeministri Rama të akuzoj Thaçin duke i thënë që është dashur të pranoj ofertën për të marrë pjesë pasi që nuk ka qenë hera e parë që ka marr pjesë bashkë me Serbinë.

“Me sa më kujtohet as atëherë Serbia nuk e ka njohur Kosovën”, ka thumbuar Rama Thaçin duke akuzuar se pala shqiptare përjashtoi veten nga kjo nismë rajonale duke e kthyer situatën në kohet kur Serbia dhe Bosnja nuk pranonin të uleshin me përfaqësues nga Kosova në forume rajonale.

Mirëpo ulja në bisedime e kryeministrit Rama, është komentuar mjaftë shumë duke iu drejtuar që nuk është dashur të merr pjesë në këtë takim.

Ish- kryeministri Sali Berisha, ka komentuar “Shengenin Ballkanik” dhe Samitin rajonal të Ohrit, ku po merr pjesë kryeministri Edi Rama, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Përmes një shkrimi, Berisha ka thënë se ky takim është një sukses për Vuçiq, i cili me ndihmën e Ramës po kërkon të krijojë Serbinë e Madhe.

Kështu takimi në Ohër ka nxitur reagime dhe kundërshtimin e krerëve shtetërorë dhe liderëve politikë në Kosovë dhe në Shqipëri, duke e parë të pa arsyeshme veprimet e kryeministrit Rama.

Kadriaj: Kryeministri Rama po bënë gabim e Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë si shtete mike

Njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadriaj, në një prononcim për “Bota sot”, tregon tri arsyet që po gabon kryeministri Rama, duke thënë që korrupsioni i lartë në këto shtete bëri që BE mos të u jep dritën e gjelbër për Ballkanin perëndimor.

Image
Mustafë Kadriaj

“Vlerësoj që korrupsioni i lartë në këto shtet bëri që Bashkimi Evropian mos të u jep dritën e gjelbër për Ballkanin perëndimor dhe tani këta lider po tentojnë që të jetësojnë pushtetin e tyre me këtë lëvizje aspak serioze të vlerësuara si nga faktori ndërkombëtar dhe opinioni publik në vendet e tyre. Me këtë vlerësoj që kryeministri Rama po bënë gabim të trefishtë si historik, diplomatik dhe ekonomik. Së pari të sillet me Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë si shtete mike ku dihet që pikërisht këto shtete e kanë dëmtuar popullin dhe shtetin shqiptar. Së dyti të humbë agjendën evropiane dhe të bëjnë lëvizje në vendnumërim ky është një tregues që kryeministrit Rama iu ka ndal ora ose po i numëron mbrapa dhe Së treti Shqipëria nuk do përfitoi asgjë nga ana ekonomike sepse qëllimi i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është qetë kenë dalje në det dhe mos të kishin interesim këto dyja nuk do i jepej rasti kryeministrit Rama që të shtrëngoi duart me Zevin dhe me Vuqiçin”, u shpreh, Kadriaj.

Më tej, Kadriaj, tha që para se të jap kritika kryeministri Rama, palës shqiptare duhet të shoh gabimet e veta pasi që Kosova është tash e sa kohë në dialog për njohje të saj nga ana e Serbisë, ndërsa Rama është duke u ulur për të biseduar pavarësisht që Serbia po tenton të kthej njohjet Kosovës.

“Ndërsa për kritikën e kryeministrit Rama drejtuar palës Shqiptare më mirë do të ishte që të kërkoi vetës llogari ku para se me i shtrënguar duart të konsultohej me palën shqiptare dhe të shoh këto dy shtete ashtu siç i sheh pala Shqiptare. Aq më shumë si me u ulë me një shtet sikur Serbia që nuk njeh Kosovën si shtet dhe nuk heq dorë si nga ana juridike dhe diplomatike, ku edhe në Kushtetutë të Serbisë. Kosova është pjesë e saj njëherit diplomacia Serbe nuk ndalet në dëmtimin ndërkombëtar të Kosovës duke tentuar që i heq njohjet për Kosovën po ashtu në çdo takim Serbia ka protestuar kur ka vendosur pala shqiptare Flamurin shtetëror në takimet si në nivel te CEFTA-së dhe te ngjashme”, tha, Kadriaj.

Në fund, Kadriaj, përmendi edhe Ilir Metën, duke thënë që duhet të ia përkujtoj kryeministrit Rama që një shtrëngim duarsh nuk do i bëjë nder atij dhe se pavarësisht kësaj Kosova ka miqtë e përhershëm të saj,siç janë, SHBA, Britani e Madhe dhe Gjermani.

“Presidenti Meta dua t` i përkujtoj kryeministrit Rama që shkëlqesia e tij është për kritika dhe ai shtrëngim duarsh nuk do i bënë nder përkundrazi do njollos figurën e tij si në aspektin politik dhe historik. Njëherit pala Shqiptare ka agjendën e vet dhe miqtë të cilët janë gardian i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe në bashkëpunim me miqtë e përhershëm siç janë, SHBA, Britani e Madhe dhe Gjermani do ecim proceset përpara si popull i barabartë në raport me popujt e qytetëraur”, përfundoi, Kadriaj.

Voca: Pa u njohur Kosovca nga Serbia dhe BeH, nuk mund të konsiderohet

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca ka thënë për “ Bota sot”, që në rast që njihet realiteti i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran atëherë një ide e tillë do të ishte e mirëpritur mirëpo në këto rrethana pa u njohur nga Serbia dhe BeH, nuk mund të konsiderohet Mini Shengen.

Image
Mirsad Voca

“Një ide e tillë do të ishte e mirëpritur edhe nga Kosova në rast se do të njihej realiteti i Kosovës si Shtet i pavarur dhe sovran nga Shtetet fqinje. Në rrethanat aktuale, pa u njohur nga Serbia dhe BeH, nuk mund të konsiderohet se një Mini Shengen do të jetë fitimprurës sa i përket funksionalizimit të Shtetit të Kosovës. Besoj se ide të tilla mund të kurorëzohen kur të gjitha palët respektojnë parimin e reciprocitetit duke përfshirë këtu edhe njohjen reciproke. Mirëpo, nëse kjo do të ndodhte, atëherë nuk do të kishim fare nevojë për iniciativa të tilla sepse BE do t’i hapte dyert edhe për këto vende të Ballkanit perëndimor. Dhe këtu kemi një dilemë, e cila duhet paraprakisht të zgjidhet e ajo ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe BeH”, u shpreh, Voca.

Tutje, Voca, u shpreh që Kryeministrit Rama, i konvenon kjo iniciativë pasi që dështoi në procesin integrues drejtë BE-së, mirëpo është në dëm të Kosovës pasi që shteti I Serbisë nuk është duke njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kështu Kosova nuk duhet të shkojë në favorë të figurave politike rajonale për interesat e tyre për pushtet.

“Edi Rama e përkrah këtë iniciativë pas dështimit të përparimit të procesit integrues drejt BE-së, dhe si mbulesë tani po merr kinse iniciativa pas dështimeve për të bërë ndryshime substanciale brenda Shtetit shqiptar. E njëjta vlen edhe për Shtetin serb, sepse ky Shtet nuk lëviz fare drejt njohjes reciproke dhe pranimit të realitetit të Kosovës si Shtet të pavarur, dhe jo vetëm kaq por edhe e pengon Kosovën në të gjitha sferat sidomos në afirmimin, dhe integrimin e saj në arenën ndërkombëtare. Në një konjukturë të tillë, Kosova nuk do të duhej assesi të aderoj në iniciativa të tilla, të cilat shkojnë më shumë në favor të disa figurave politike rajonale për interes të tyre pushteti sesa për një mirëqenie dhe prosperitet të gjithëmbarshëm rajonal”, përfundoi, Voca.

Duhanaj: Mund të bashkëpunojnë më Kosovën, por jo edhe të flasin në emër të saj

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që çdo nismë e cila merret me qëllim për të gjetur një zgjidhje është në parim e mirë. Mirëpo nuk mjafton vetëm aspekti deklarativ duhet të respektohen edhe akterët pjesëmarrës rastin konkret, nuk besoj që janë të plotësuara as njëra e as tjetra.

Image
Leon Duhanaj

“Çdo nismë, cila ka për qëllim gjetjen e zgjidhjes, respektivisht mënyrës se bashkëjetesës në harmoni mes popujve të këtij gadishulli, është në parim e mirë. Por, për të qenë e mirë dhe e suksesshme si nismë, kërkohen të plotësohen disa parime përkatësisht disa parakushte. Kushti i parë dhe elementar është që të gjitha palët, vërtetë ta dëshirojnë dhe të kontribuojnë për paqen e përhershme. Për ta bërë ketë, nuk mjafton vetëm aspekti deklarativ. Prandaj kushti i dytë është që, të respektohen akterët pjesëmarrës. Në rastin konkret, nuk besoj që janë të plotësuara as njëra e as tjetra. Kemi shtetin serb, i cili nga njëra anë bën përpjekje të manipulojë botën, kinse po kërkon zgjidhje paqeje . Përderisa nga ana tjetër mundohet ta përdor nismën si metodë për ta defaktorizuar Kosovën, duke thirrur nga njëra anë për paqe mes shqiptarëve dhe serbëve dhe, jo mes Kosovës dhe Serbisë dhe, nga ana tjetër përderisa manipulon me takime kinse në kërkim të paqes dhe bashkëpunimit rajonal, nuk e ndalon luftën kundrejt shtetit të Kosovës”, u shpreh, Duhanaj.

Duhanaj, më tej tha që kryeministri Rama po merr një rol duke dashur të të shënoj histori mirëpo që i ka ta pabaza iniciativat dhe se ata duhet ta dinë një gjë, që Kosova ka ditë dhe do të di t'u pri proceseve të veta.

“Në ketë kontekst, krejt çfarë mund të thuhet, është përpjekje e kotë, për ta shtyrë status quon dhe agoninë. Në anën tjetër kemi shtetin shqiptarë me në krye me Edi Ramën, i cili mundohet të marr rol historik në ketë periudhë duke u bërë pjesë e nismave të pabazuara në themele të shëndosha të cilat do të garantonin suksesin. Çfarë mund të sjellë një marrëveshje e lirë kur kemi ndasi dhe armiqësi mes veti derisa e mohojmë vetë ekzistencën e tjetrit. A solli diçka marrëveshja e CEFTA-s. Asgjë, sepse ka mungesë të vullnetit politik për ta respektuar atë. Edi Rama, dhe shteti shqiptarë, janë të obliguar ta mbrojnë Kosovën ne arenën ndërkombëtare. Por, as nuk kanë të drejtë juridike e as morale të paternalizmit ndaj sajë. Ata duhet ta dinë një gjë, që Kosova ka ditë dhe do të di t'u prijë proceseve të veta. Mund të bashkëpunojnë më Kosovën, por jo edhe të flasin në emër të saj”, tha, Duhanaj.

Në fund, Duhanaj, tha që me ndërhyrjen e NATO-s, është parë që Shqipëria nuk ka qenë e zonja ta çliroj Kosovën kështu qenë duhet të mos i ikim momenteve në të cilat merren vendime për ne. Ne duhet ta marrim fatin e Kosovës respektivisht shqiptarëve në dorën tonë.

“Shqipëria nuk ishte e zonja ta çliroi Kosovën dhe si pasojë u detyrua ndërhyrja e NATO-s. Edi Rama, duket ta kushtëzojë çdo nismë e cila nuk e njeh Kosovën si pjesë të barabartë të saj. Ai, Edi, e ka lëshuar mjekrën ndoshta për t'u dukur si Ismail Qemali por, ai duhet ta di si se Kosova nuk e synon me atë model Qemalian, ku me shumë se gjysma e territorit mbesin jashtë. Edhe pala kosovare, duhet të jetë e kujdesshme. Mos të zgjedhë rrugën e konfrontimit mediatik me Tiranën, por të kemi dialog intern të vazhdueshëm. Ne duhet të mos i ikim momenteve në të cilat merren vendime për ne! Ne duhet ta marrim fatin e Kosovës respektivisht shqiptarëve në dorën tonë dhe kjo arrihet në radhë të parë duke bashkëpunuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht”, përfundon, Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat