Diplomacia e Kosovës në “paralizë”, sfidë e madhe për qeverinë e re

Politika

Diplomacia e Kosovës në “paralizë”, sfidë e madhe për qeverinë e re

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 nëntor 2019 Në ora: 18:16
Flamuri i Kosovës

Zëvendësministri i Jashtëm i Ganës, Charles Oëiredu ka konfirmuar se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Agjencia franceze e lajmeve AFP ka thënë se Gana e ka tërhequr njohjen “e nxituar” të pavarësisë së Kosovës, veprim që u përkrah nga Serbia e cila e kundërshton shtetësinë e Kosovës.

“Qeveria e Ganës ka vendosur që të tërheq njohjen e Kosovës si shtet të pavarur”, ka thënë të martën për AFP-në zëvendësministri i Jashtëm i këtij vendit, Charles Oëiredu. Ai tha se arsyet për këtë vendim i janë komunikuar Serbisë në një letër.

Dhe siç shihet fushata e Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për të tërhequr njohjet e shtetit të Kosovës, po vepron pandalshëm ndaj Kosovës, duke tentuar të bëj tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Ofensiva diplomatike serbe vazhdon të jetë e përqendruar, jo vetëm për të bllokuar njohjet e reja të shtetit të Kosovës, por edhe për të siguruar tërheqjen e njohjeve.

E deri më tani janë 14 vende që e kanë tërhequr njohjet e tyre të Pavarësisë së Kosovës, duke filluar nga Sao Tome dhe Principe, Surinam, Guineja Bisao, Burundi, Liberia, Papua Nova Guinea, Lesoto, Komonvelt Dominika, Grenada, Unioni i Komoras, Ujdhesa Solomon, Madagaskar dhe Palau, e deri tek Gana.

Njohësi e çështjeve politike vlerësojnë se fushata e egër e Serbisë ndaj Kosovës është vërtetë shqetësuese për të ardhmen e Kosovës dhe ngrit dilemën e kontestimit të shtetësisë dhe të qenit subjekt juridik ndërkombëtar.

Sipas tyre, Serbia nuk do të ndalojë fushatën e saj të egër kundër Kosovës, dhe vazhdon të prodhoj strategji për “zhbërjën” e shtetit të Kosovës.

Blakaj: Fushata e egër e Serbisë ndaj Kosovës është shqetësuese për të ardhmen e Kosovës

Njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ofensiva diplomatike serbe fatkeqësisht vazhdon të jetë e përqendruar jo vetëm për të bllokuar njohjet e reja të shtetit të Kosovës, por edhe për të siguruar tërheqjen e njohjeve.

“Shembull për këtë është së fundi edhe entuziazmi i Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daciq për të deklaruar se Gana ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës. Ndonëse një gjë e tillë u demantua me pastaj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, megjithatë kjo fletë shumë për propagandën dhe përpjekjet e pandalshme të diplomacisë serbe në zbehjen e subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj.

Image
Sami Blakaj

Ai konsideron se fushata e egër e Serbisë ndaj Kosovës është vërtetë shqetësuese për të ardhmen e Kosovës dhe ngrit dilemën e kontestimit të shtetësisë dhe të qenit subjekt juridik ndërkombëtar.

“Fajtor për këtë gjendje të brishtë është pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila viteve të fundit ndonëse nuk arriti të sjellë njohje të reja për Kosovën, por i humbi edhe disa nga ato shtete që tashmë kishin njohur Republikën e Kosovës. Në këtë kuptim duhet nënvizuar se gjendja e "përgjumur" e diplomacisë kosovare dhe heshtja e saj karshi ofensivës serbe e ka shpirë Kosovën drejt dështimit jo vetëm në rrafshin e njohjeve të reja, por edhe në defaktorizimin e saj në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Blakaj.

Megjithatë, Blakaj ka theksuar se aktualisht,  Kosova gjendet në një situatë të re politike.

“Është në pritje të shkuarjes së qeverisë aktuale, respektivisht në pritje të qeverisë në ardhje dhe unë jam optimist dhe dua të besoj se pasivizimi i diplomacisë së "vjetër" do të shërbejë si mësim për aktivizimin dhe fuqizimin e diplomacisë së re” ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane.

Maloku: Serbia nuk ka ndaluar së provuari çdo gjë për të shembur faktin e quajtur shteti i Kosovës

Politologu Albinot Maloku ka pohuar, se prej 17 shkurtit të 2008-ës e këndej, dihet mirëfilli që, Serbia nuk ka ndaluar së provuari çdo gjë për të shembur faktin e quajtur shteti i Kosovës.

“Shteti i Kosovës është i lindur dhe nuk mund të zhbëhet, mirëpo, a e ka sakatosur Republikën e Kosovës sa më nuk ka diplomacia e saj, pakontestueshëm që po. Ministri aktual në detyrë i punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ishte krye kapaku i dështimit të këtij dikasteri të rëndësishëm qeverisës në vend. Është interesant se gati të gjitha këto shtete që gjoja po e çnjohin Kosovën, sipas asaj që po e proklamon diplomacia serbe, ishin njohje që vet Pacolli ia atribuonte vetës si meritë”, ka thënë politologu Albinot Maloku.

Image
Albinot Maloku

Ai konsideron se Diplomacia e Republikës së Kosovës, pa dyshim se ishte pasqyrim i gjendjes së brendshme politike, mirëpo, nën drejtimin e Behgjet Pacollit, kjo diplomaci ka degraduar deri në pamasë.

“Serbia nuk do të ndalojë fushatën e saj të egër kundër Kosovës, por duhet të shpresojmë që gjatë Qeverisë së re do të vije dikush pakrahasueshmërisht më i mirë se ky që është për të punuar në dy drejtime brenda MPJ-së: Rregullimin e saj të brendshëm dhe nisjen e një faqe të re e më intensive në raport të jashtëm”, ka thënë politologu Albinot Maloku.

Ahmeti: Serbia, në vazhdimësi ka prodhuar strategji për “zhbërjën” e shtetit të Kosovës

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë se Serbia, në vazhdimësi ka prodhuar strategji për “zhbërjën” e shtetit të Kosovës, e nganjëherë më shumë duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës në rendin ndërkombëtar.

Sipas tij, Kosova si subjekt ndërkombëtar nuk mund të zbehet si shtet, edhe pse njohjet e stagnuara janë si rrjedhojë e dështimit të politikës së jashtme dhe si rrjedhojë e propagandës nga politika serbe në vendet që kanë njohur dhe potencialisht mund ta njohin shtetin e Kosovës.

Image
Hidajet Ahmeti

“Gjykoj se, këto veprime të shtetit serb nuk ndihmojnë në raportet fqinjësore, por njëkohësisht ndihmojnë dialogun dhe marrëveshjet e nënshkruara në mes dy shteteve. Mendoj se logjika e tillë nuk prodhon stabilitet, por as mundësi potenciale për të prodhuar një “pajtim” në të ardhmen në mes dy shteteve”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Ai konsideron se politika e jashtme duhet të punoj e veprojë brenda kornizës së reciprocitetit, por jo nënshtrimit e servilizmit, të cilat nuk ndihmojnë të ndërtohen raporte të shëndosha bilaterale e multilaterale në mes shteteve.

“Ka shumë faktor që kanë ndikuar në stagnimin e procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të mëdha ndërkombëtare. Një ndër faktorët kyç që i ka ndihmuar procesit të stagnimit të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat e fuqishëm ndërkombëtarë lidhët me instalimin e politikave të dëmshme publike të cilat kanë pasur si qëllim interesat personale e klienteliste”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Sipas tij, Ministria e Jashtme më shumë prinë për shpenzime enorme nga zyrtarët e kësaj ministrie, me vizitat e tyre të luksit, e të cilat nuk sjellën as suksesin me të vogël për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

“Pa marrë parasysh grumbullit të institucioneve apo aktorëve shtetërorë që ndikojnë në diplomacinë shtetërore, barra për dështimin e kësaj bie mbi ministrat të cilët kanë udhëhequr me Ministrinë e punëve të jashtme. Por njëri ndër faktorët e dështimit të realizimit të misionit të politikës së jashtme është edhe mos koordinimin adekuat të ministrive tjera për t’i quar proceset përpara. Mbi të gjitha nuk ka një strategji afatgjate për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në raport ndërkombëtar, e që të kishte impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Berisha: Dobësi dhe paaftësi e Kosovës

Kurse, analisti politik Ejup Berisha, ka thënë se kjo mund të interpretohet si një sulm shumë i egër dhe agresiv i diplomacisë së Serbisë ndaj subjektivitetit shtetëror dhe politik të Republikës së Kosovës.

“Kjo mund të interpretohet si një sulm shumë i egër në planin ndërkombëtar, dhe si një aktivitet i ngjeshur dhe i suksesshëm i shtetit serb në marrëdhëniet politike ndërkombëtare, në periudhën kur Republikës së Kosovës i nevojitet, çdo njohje prej secilit shtet që është anëtarë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga njohjet e të cilave varet edhe ajo se a do të mund të zërë vend edhe Republika e Kosovës nën ombrellën e o OKB-së”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Image
Ejup Berisha

Ai më tej ka shtuar, se shteti serb është në ofensivë aktive të jashtme diplomatike dhe politike, pasi që të gjitha resurset njerëzore e materiale si dhe të gjitha përpjekjet i ka orientuar drejt bindjes së shteteve të cilat deri tani e kanë njohur subjektivitetin shtetëror të Kosovës që t`i tërheqin njohjet e tyre.

“Megjithatë, nga ana tjetër si duket diplomacia dhe shërbimet diplomatike të Republikës së Kosovës ndodhen të paralizuara apo dhe në gjumë të thellë dhe nuk po ndërmarrin asgjë që ti ruajnë njohjet e arritura deri tani apo dhe të sigurojnë njohje të reja të cilat nuk do të ndikonin mbi pozitën politike dhe diplomatike të jashtme të Republikës së Kosovës. Në momentin kur Republika e Serbisë është vënë në sulm ndaj subjektivitetet shtetëror politik dhe diplomatik të Shtetit tonë edhe diplomacia e jonë është dashur të vihet në kundërakcion që të tentoj ti ruaj njohjet apo dhe siç thashë më lart të siguroj njohje të reja të shteteve me qëllim që të vendos një baraspeshë e cila do ta ruante pozitën dhe autoritetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, nëse të gjitha instrumentet shtetërore kushtimisht mund të vihen në defanzivë politika e jashtme e Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, diplomacia e saj është dashur dhe duhet të jenë shumë aktive duke e pasur parasysh faktin se makineria subversive diplomatike e Republikës së Serbisë është super aktive dhe me elan të plotë është vënë kundër interesave shtetërore të shtetit tonë në sistemin politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Këtu pra nuk mund të gjykohet Serbia se pse e bën këtë gjë por institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat nuk ndërmarrin asgjë për ta pamundësuar suksesin e diplomacisë Serbe që ta dëmtojë subjektivitetin shtetëror dhe juridik dhe autoritetin e Republikës së Kosovës në raport me shtetet e tjera”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai më tej ka shtuar se, nëse Diplomacia e Kosovës është e pa-aftë që t`i mbrojë interesat shtetërore në arenën ndërkombëtare, atëherë kjo mund të interpretohet si dobësi dhe paaftësi e saj për të bërë aktivitet të domosdoshëm dhe të dobishëm Diplomatiko-politik me qëllim të mbrojtjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Apo nëse Serbia është nisur me ‘Ferrari’ në trasenë e marrëdhënieve politike ndërkombëtare diplomacia e Republikës me Gomarë nuk do të mund kurrë të arrijë që ta pengojë diplomacinë Serbe që të veproj në marrëdhëniet politike dhe diplomatike ndërkombëtare në dëm të Kosovës. Pra, kjo e imponon nevojën e ndërrimit të strategjisë, por edhe të personelit diplomatik”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, prandaj edhe nevojitet mobilizim i menjëhershëm dhe i hatashëm i të gjitha resurseve njerëzore dhe materiale me qëllim që të mbrohen interesat e Republikës së Kosovës në marrëdhëniet e saj me shtetet tjera kryesisht dhe me ato që janë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Sa më shpejtë që bëhet kjo aq më mirë me qëllim që Serbia me vrap të ndikojë edhe mbi shtetet e tjera të mbetura që t`i tërheqin njohjet apo dhe të ndikojë mbi ato që nuk e kanë njohur deri tani shtetësinë e Republikës së Kosovës që mos ta bëjnë këtë gjë. Diplomacia bëhet me vepra konkrete e jo me fjalë sepse diplomacia e Serbisë tani për tani po vepron e diplomacia e Kosovës ka mbetur që të vajtoj”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat