Keq-menaxhohet “raporti i Dick Martyt për krimet e luftës” nga institucionet e Kosovës

Politika

Keq-menaxhohet “raporti i Dick Martyt për krimet e luftës” nga institucionet e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 nëntor 2019 Në ora: 08:23
Abelard Tahiri dhe Shpend Maxhuni

Ftesa të shumta kanë ardhur e po vazhdojnë të vijnë nga Gjykata Speciale. Në mesin e tyre, është ftuar edhe ministri në detyrë i drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili u intervistua të martën në cilësinë e dëshmitarit.

Tahiri nuk u deklarua pas intervistimit, por ditë më parë kishte thënë se nga Specialja ishte ftuar për t’i informuar Dhomat e Specializuara mbi procedurat e zbatimit të ligjit për mbrojtjen juridike dhe për mbështetjen financiare të personave të akuzuar nga ky organ.

“Para dy jave kam marrë një ftesë nga Gjykata Speciale nga Prokurori i Dhomave të Specializuara, në cilësinë e dëshmitarit. Kjo ftesë për mua ka qenë e pritshme dhe nuk më ka ardhur si habi. Kemi pasur një komunikim intensiv gjatë këtij viti dhe e kam parë se do të ndodhë si rezultat i disa paqartësive rreth këtyre komunikimeve”, kishte thënë Tahiri.

Në anën tjetër, në media u raportua se ftesë nga Specialja ka marrë edhe kreu i AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili ditë më parë dha dorëheqje nga ky post, për çka u raportua se kjo ishte arsyeja e dorëheqjes.

Nga Agjencia që ai drejtonte as nga Qeveria nuk është konfirmuar një gjë të tillë, por sipas mediave, ai është ftuar për shkak të rrjedhjes së informacioneve të ndjeshme nga AKI që ndërlidhen me Specialen.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se  Shpend Maxhuni është larguar nga posti i të parit të AKI-së për shkaqe shëndetësore.

Por, sa e dëmtojnë imazhin e Kosovës ftesat e Gjykatës Speciale për njerëz me poste të larta shtetërore me dyshimin se ata po ndërhyjnë në drejtësi duke shpërndarë informata konfidenciale?

Një argument i fortë për ideatorët dhe përkrahësit e formimit të Dhomave të Specializuara

Image
Fadil Kajtazi

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ndërhyrja e zyrtarëve të lartë shtetëror në proceset gjyqësore është argument i fortë për përkrahësit e Speciales dhe zhvendosjen e saj në një shtet të huaj.

“Fakti i ndërhyrjes së zyrtarëve të lartë shtetëror në proceset gjyqësore është një argument i fortë për ideatorët dhe përkrahësit e formimit të Dhomave të Specializuara, është një argument i fortë për zhvendosjen e këtyre dhomave në një shtete të huaja”, është shprehur ai.

Për ftesa ndaj ministrit Tahiri dhe një ftesë eventuale ndaj ish shefit të AKI-së, Kajtazi thotë se tregojnë nivelin profesional, moral dhe etik të institucioneve tona, përgjegjësinë, kredibilitetin e njerëzve në to dhe formimin intelektual të tyre.

“Tani që një ftesë bëhet për një ministër të drejtësisë dhe një eventual për shefin e AKI-së, flet për nivelin profesional, moral dhe etik të institucioneve tona, flet për përgjegjësinë e njerëzve të vendosura në to, flet për kredibilitetin e këtyre personave, flet për nivelin e formimit të tyre intelektual dhe qasjen që kanë në raport me shtetin dhe drejtësinë”, ka vlerësuar Fadil Kajtazi.

Sipas tij, sikur të ishte ndryshe, do të kishte një epilog faqebardhë për të akuzuarit, UÇK-në dhe Kosovën dhe se gabojnë ata që mendojnë se me ndërhyrje i lehtësojnë dikujt mbrojtjen.

“Sikur kjo të ishte ndryshe, menaxhimi i “raportit të Dick Martyt për krimet e luftës”do të ishte bërë më ndryshe, do të kishte një epilog faqebardhë për të akuzuarit, për UÇK dhe për Kosovën. Nëse dikush ka menduar se me ndërhyrje (duke krijuar qasje në dokumentacion konfidencial) i lehtëson dikujt mbrojtjen, ka bërë gabim fatal”, ka theksuar ai.

Kjo do të ishte kundërpesha që do të minimizonte faktet e Martyt

Kajtazi tregon se cila do të ishte ndihma më e madhe që do tu bëhej të akuzuarve, duke minimizuar faktet e Dick Martyt.

“Ndihma më e madhe që tani është dashur ta bëjnë në dobi të të akuzuarve duhet të ketë qenë mbledhja e fakteve dhe argumentimi shkencor i tyre për krimet monstruoze të bëra ndaj shqiptarëve nga aparatinpolitik, ushtarak, policor dhe kishtar serb. Do të duhej që strukturat shtetërore të Kosovës të kenë faktet e argumentuara për furrat e djegies së kufomave, për kamionët e hedhur në Danub, për masakrën e Mejës të urdhëruar nga shefi i sigurimit të Ushtrisë Jugosllave Momir Stojaniviq, për përfshirjen e Kishës Ortodokse Serbe në krime, për pjesëmarrje direkte në krime në pozita politike të Vuçiqit dhe Daçiqit. Kjo do të ishte kundërpesha që dotë minimizonte faktet e Martyt nëse ato eventualisht janë”, ka deklaruar Kajtazi për “Bota sot”.

Lepaja: Imazhi i institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të saj nuk ka ku të rrënohet më tej

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, mendon se imazhi i institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të saj nuk mund të rrënohet më shumë, derisa përmend skandalet në polici dhe AKI.

“Mendoj se imazhi i institucioneve të Kosovës dhe zyrtarëve të saj nuk ka ku të rrënohet më tej. Për shkak të mosbesimit në shtetin ligjor, në drejtësinë dhe në institucionet e tjera, edhe gjykata është bartur në Hagë.Skandalet e njëpasnjëshme të policisë, AKI-së dhe Gjykatave, i kanë shënjuar në përmasa ndërkombëtare si jofunksionale dhe të kontrolluara drejtpërdrejtë nga individët dhe grupet në politikë dhe jashtë kontrollit të qytetarëve, të cilët këtë kontroll do të duhej ta ushtrojnë përmes përfaqësuesve të vet në kuvend”, ka thënë ai.

Lepaja vlerëson se qeveria e re duhet të formohet sa më shpejtë, që me këto ingerenca të brendshme të mos merret bashkësia ndërkombëtare.

“Zgjedhjet e fundit, në fakt ishin një votë për ndryshime për vënien nën kontroll të shoqërisë dhe qytetarëve të institucioneve që janë formuar mbi bazën e vullnetit të tyre politik.Sa më shpejtë që të reformohen institucionet e drejtësisë dhe shtetit, do të ketë më pak nevojë që me këto ingerenca të brendshme të Kosovës të merret bashkësia ndërkombëtare.Pra, imazhi i tyre nuk mund të rrënohet më tepër, por me qeverisjen e re mund të ndryshojë kjo, nëse tejkalohen përpjekjet për ta ruajtur status kuonë dhe ta bllokojnë qeverisjen e re, ende pa u konstituuar”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Kelmendi: Këtu është fjala për dy njerëz të cilët kurrë në jetën e tyre nuk e kanë zbatuar ligjin

Image
Muhamet Kelmendi

Se imazhi i organeve të Kosovës është mjaft i rrënuar mendon edhe profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se ftesat janë një vërtetësi për mos zbatimin e ligjit.

“Imazhi i organeve të Kosovës është mjaft shumë i rrënuar nga mos kryerja e punëve në bazë të ligjit. Mos zbatimi i ligjit dhe mos funksionimi i pushtetit në ligj i ka bërë dëme të mëdha Republikës. Tashmë ftesat aktuale ky dëm është vetëm një vërtetësi tjetër e mos zbatimit të ligjit. Organet e shtetit ka kohë që ligjin nuk e kanë zbatuar në formë të njëjtë për të gjithë. Kjo del nga gjykatat dhe nga organet tjera të zbatimit të ligjit në fushën e rendit dhe të sigurisë”, është shprehur Kelmendi.

Sa i përket Tahirit dhe Maxhunit, ai thotë se ata nuk e kanë respektuar ligjin.

“Këtu është fjala për dy njerëz të cilët kurrë në jetën e tyre nuk e kanë zbatuar ligjin. Ata kanë vepruar sipas njerëzve, pozitës dhe interesave të tyre. Asnjëherë nuk e zbatuan ligjin dhe kurrë nuk vepruan sipas tij. Është dashur që me të të merren organet e Kosovës. Dihen veprat e tyre të rënda. Madje Shpend Maxhuni është tërësisht i mbushur me veprimtari antiligjore. Atij dhe Abelard Tahirit i kanë ndodhur vepra dhe vepra, deri te vrasjet në burg, si Astrit Dehari, apo vjedhjet në polici, te cilat i kanë bërë dhe kurrë nuk janë përgjigjur. Pra, ka dyshime të bazuara”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat