Prapaskenat e takimit Thaçi-Vuçiq me ndërmjetësimin e Macron në Francë - Bota Sot
Prapaskenat e takimit Thaçi-Vuçiq me ndërmjetësimin e Macron në Francë

Politika

Prapaskenat e takimit Thaçi-Vuçiq me ndërmjetësimin e Macron në Francë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 nëntor 2019 Në ora: 11:26
Thaçi-Vuçiq në Francë

Përderisa Gjermania është kundër ndarjes së Kosovës, Franca nuk do të arrijë kurrë që të zbatojë planin e saj.

Kosova dhe Serbia e kanë pezulluar dialogun tash e një kohë.

Megjithatë, pikërisht në kohën kur Kosova nuk ka Qeveri apo ekip të dialogut, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, u takuan ditë më parë në Francë me ndërmjetësimin e Presidentit Emmanual Macron.

Lidhur me këtë, njohësit e çështjeve politike,kanë deklaruar se,  presidenti Thaçi është i vetëdijshëm, se pa formimin e qeverisë së re, konstituimin e legjislaturës së re të kuvendit të Kosovës i dal nga zgjedhjet e 6 tetorit, nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh me palën serbe.

Haziri: Këto bisedime nuk po i kërkojnë as faktori ndërkombëtar

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se takimi Thaçi -Vuçiq në Francë me ndërmjetësimin e Presidentit Macron, i zhvilluar në margjinat e Samitit të Paqes, i cili u mbajt këto ditë në Paris, ka qenë një takim që më shumë pjesëmarrësit e tij e kanë shfrytëzuar për protoganizëm se sa një takim që ka prodhuar diçka.

Sipas tij, palët kanë përsëritur mendimet apo pozicionet e veta karshi vazhdimit të dialogut, ndërsa për presidentin Macron ky ndërmjetësim ka ardhur në kohën kur ai është kritikuar shumë për rrolin e tij në mos përkrahjen për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë për anëtarësim në BE.

“Edhe presidenti Thaçi është i vetëdijshëm se pa formimin e qeverisë së re konstituimin e legjislaturës së re të kuvendit të Kosovës i dal nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk mund të ketë kurrfarë bisedimesh me palën serbe. Këto bisedime nuk po i kërkojnë as faktori ndërkombëtar, sa do që Thaçi edhe mund të provojë në këto takime si ky i fundit në Paris, për ta paraqitur vetën si fajtor kryesor në Kosovë sa i përket procesit të vazhdimit të bisedimeve me Serbinë dhe arritjes së ndonjë marrëveshjejë eventuale me shtetin serb”, ka thënë opinionisti Haziri.

Krasniqi: Përderisa Gjermania është kundër ndarjes së Kosovës, Franca nuk do të arrijë kurrë që të zbatojë planin e saj

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se takimi Thaçi -Vuçiq nuk është diçka për t'u befasuar, pasi vet Aleksandër Vuçiq deklaroi që me Hashim Thaçin janë takuar një herë në muaj.

“Kjo lë të kuptohet se dyshja Vuçiq dhe Thaçi janë takuar në mënyrë sekrete. Macron është ndërmjetësues i planit për ndarjen e Kosovës, dhe kjo është edhe arsyeja se përse Franca ose më mirë të them Macron është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është një lloj shantazhi nga ana e Macron, në mënyrë që të pranojmë planin Thaçi-Vuçiq- Rama për ndarjen e Kosovës. Përderisa Gjermania është kundër ndarjes së Kosovës, Franca nuk do të arrijë kurrë që të zbatojë planin e saj, edhe pse Kosova është peng i Macron, dhe kësaj treshe në përgjithësi”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Zogaj: Vet Presidenti Thaçi duhet të bëjë gjithçka që të formohet sa më shpejt qeveria e re

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj ka pohuar se Presidenti Hashim Thaçi është legjitim në postin e tij dhe pavarësisht nga përshtypjet e shumta dhe të ndryshme që i bëhen, është zyrtari i cili ka disa vjet që e përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë.

Ai konsideron, se ky është fakt i pamohueshëm që e ngarkon me përgjegjësi të veçantë, për gjithçka që ka ndodhur në dialogun.

“Vlerësimin padyshim që kanë për ta bërë institucionet e Kosovës dhe, kjo çështje nuk mendoj se ka vend që të diskutohet tash, kur Kosova ndodhet në çastet më dramatike të përcaktimit të fatit të saj historik. Por, mendoj se Presidenti do të bënte mirë nëse partnerëve ndërkombëtar ua kërkon që t'i pezullojnë takimet derisa të formohet qeveria e re dhe të krijohen kushte për vendim marrje të qëndrueshme. Pra, mendoj që vet Presidenti Thaçi duhet të bëjë gjithçka që të formohet sa më shpejt qeveria e re dhe të integroj funksionin presidencial në ekipin dialogues, për ta fuqizuar zërin shtetëror të Kosovës”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Burjani: Problemi më i madh i Kosovës mbetet Serbia

Image
Blerim Burjani

Kurse njohësi i çështjeve juridike e politike, Blerim Burjani, ka thënë se deri më tash ka regres të madh në këtë çështje dhe përgjegjësitë janë të dyanshme.

Sipas tij, problemi më i madh i Kosovës, mbetet Serbia dhe gënjeshtra zvarritëse se ata janë të interesuar për zgjidhje.

“As Vuçiq e as Serbia nuk dëshiron zgjidhje, por dëshiron shans tjetër historike hegjemoniste, prandaj është e kotë të merret SHBA-ja dhe BE-ja me Serbinë në këtë çështje, për faktin se nuk ka gatishmëri për zgjidhje, por për lojë ndërkombëtare, për cirk dhe jo seriozitet.

Deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze për zgjidhje, andaj perëndimi duhet të merret shkurt e qartë me Serbinë ose pranim në parim të një zgjidhjeje që do të propozohet nga ndërkombëtarët ose nuk do të ketë finalizim fare të ndonjë marrëveshjeje. Propozimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, obligativ dhe kush nuk e pranon do të izolohet nga zhvillimet ndërkombëtare dhe grantet ndërkombëtare dhe do të vendosen sanksione ekonomike. Në të kundërtën nuk pres asnjëherë zgjidhje dhe seriozitet në këtë çështje ”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat