Hashim Thaçi me skenar për të mos e mandatuar Albin Kurtin për kryeministër?

Politika

Hashim Thaçi me skenar për të mos e mandatuar Albin Kurtin për kryeministër?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 15 nëntor 2019 Në ora: 12:21
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor të këtij viti, shkuan kryesisht të qeta dhe pa ndonjë incident që mund të dëmtonte procesin zgjedhor.

Megjithatë, numërimi i votave, zgjati shumë. Ishte partia e Fatmir Limajt, respektivisht koalicioni Nisma – AKR që kishin vështirësi për të kaluar pragun zgjedhor.

Procesi i vonuar për krijimin e qeverisë, shkakton jo pak probleme në vend.

Analistët dhe njohësit e çështjeve politike, për “Bota sot” deklarojnë se Kosova është në një situatë shumë kaotike dhe se krijimi qeverisë mund të sjellë probleme.

Bytyçi: Flirtimet e Dakës me Thaçin, janë jo vetëm rrezik për paralizimin e jetës institucionale

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Njohësi i çështjeve politike dhe politologu Enver Bytyçi për “Bota sot” deklaroi se prej se Ramush Haradinaj dha dorëheqjen, Kosova ndodhet në një vakuum institucional.

Sipas tij, një vend si Kosova me një mijë e një halle e probleme, një situatë si kjo veç çka i shton hallet dhe dramën e saj.

“Prej se Ramush Haradinaj dha dorëheqjen e deri tani Kosova ndodhet në vakuum institucional. Një vend si Kosova, me njëmijë halle e probleme, kjo situatë i shton dhimbjet dhe dramat e saj. Por besoj se Kosova do të ketë një qeveri legjitime dhe funksionale, e cila të shërojë shumë nga këto plagë. Nëse zgjat kjo situatë, atëherë efektiviteti i qeverisjes nuk do të jetë premtues as vitin që vjen. Jemi në muajin nëntor. Kosovës më 1 janar i duhet një buxhet i miratuar, me qëllim që puna të fillojë menjëherë. Por, vonesa në krijimin e qeverisë e pamundëson këtë. Kjo do të thotë se viti buxhetor i Kosovës nuk do të ketë 12 muaj, por 10 ose më pak. Mjafton ky fakt për të dalluar se cilat janë pasojat e kësaj vonese në krijimin e qeverisë”, tha ai.

Bytyçi është i mendimit se këtë vonesë nuk e shkaktoi LDK-ja e as Vetëvendosje por, direkt, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Këtë vonesë nuk e ka shkaktuar Vetëvendosja dhe LDK si fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit. Atë e ka krijuar dhe po e vijon Valdete Daka me porosi dhe sipas intrigave të presidentit Thaçi. Loja politike e Thaçit mbetet rrezik kryesor për vendin. Mungesa e daljes së rezultateve zgjedhore, zvarritja që krijoi qëllimisht Komisioni i Zgjedhjeve, flirtimet e Dakës me Thaçin, janë jo vetëm rrezik për paralizimin e jetës institucionale, por edhe për destabilizimin e vendit. Qëllimi i humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit është të gjejnë një alibi për të mos e mandatuar Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë. Thaçi e di se një koalicion VV-LDK pamundëson një mandat të dytë presidencial për të. Ai është përkushtuar jo vetëm ta ngadalësojë, por edhe ta manipulojë rezultatin zgjedhor të votimeve të 6 tetorit. Për këtë ai ka marrë garancitë e Dakës dhe ndonjë gjykate”, tha Bytyçi.

Bytyçi, shtoi ajo që është nevojshme tani, është përgjegjshmëria politike.

“Nëse ndodh kjo, nëse në stilin e Edi Ramës në Shqipëri, ndodh të mos mandatohen për qeverinë VV dhe LDK, atëherë vendi mund të shkojë në anarki, jo vetëm në zgjedhje të parakohshme. Duhet përgjegjshmëri politike, duhet angazhim qytetar, duhet presion ndaj presidentit Thaçi, që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe me korrektësi dhe pa manipulime”, tha ai.

Sipas tij, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë detyrë që menjëherë t’i japin fund detyrimit që kanë për mbylljen e procesit të bisedimeve për programin dhe kabinetin qeveritar. Ata duhet t’i thonë shpejt qytetarëve të Kosovës se janë gati ta krijojnë qeverinë dhe të nisin qeverisjen, edhe për t’i bërë presion presidentit të vendit dhe Komisionit të Zgjedhjeve për t’i dhënë fund procesit të manipulimit dhe për të mandatar Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për qeverinë e re.

Pa qeveri dhe pa parlament është gjithmonë kohë kaosi

Image
Rexhep Shahu

Se një Kosovë pa qeveri është një Kosovë kaotike, e vlerëson edhe publicisti tjetër Rexhep Shahu.

Shahu, për “Bota sot”, tha se vendi pa qeveri pëson deformime. Sipas tij kohën pa qeveri e shfrytëzojnë shkelësit që tentojnë nëpërmjet shkeljeve të përfitojnë ilegalisht.

“Patjetër që vendi pëson edhe deformime në mungesë të një qeverie stabile dhe jetëgjate. Është si ajo thënia, po iku macja turrën minjtë. Kohën pa qeveri e synojnë dhe e shfrytëzojnë të gjithë shkelësit dhe potencialisht të gjithë janë synues për përfitime në shkelje të ligjit. Kjo pa qeveri dhe pa parlament është gjithmonë kohë kaosi, nuk nxirren ligje, nuk zbatohen si e sa duhet ligjet. Ngelin pezull shumë probleme në sektorë të ndryshëm në të cilët kërkohet operativitet qeverisës”, tha ai.

Nga ana tjetër, zyrtari i Vetëvendosjes, Daut Dauti, deklaroi se është e domosdoshme që qeveria të krijohet sa më parë për shkak të pasojave afatgjate që mund t’ketë vendi nëse shkon gjatë pa qeveri.

Dauti: Vonesa e pakuptimtë në rastin tonë është duke sjellë probleme

Image
Daut Dauti

Sipas tij, vonesa e pakuptimtë si në rastin e Kosovës është duke sjellë shumë probleme.

“Qeveritë duhet të formohen sa më shpejt pas përfundimit të zgjedhjeve për shkak të programeve të reja që ato sjellin. Vonesa e pakuptimtë në rastin tonë është duke sjellë probleme. Në këto raste qeveritë që presin të ndërrohen, pushojnë nga aktivitetet e mëdha apo nga zbatimi i ndonjë programi të ri por edhe nga marrja e vendimeve të rëndësishme që kanë efekt brenda dhe jashtë shtetit”, tha ai.

Dauti, shtoi se qeveritë, që nga shpallja e zgjedhjeve, vazhdojnë të funksionojnë kryesisht për të mos lejuar paraqitjen e vakuumit.

“Qeveria, e cila nuk është ndërruar ende, shpesh ka marrë vendime të cilat nuk është dashtë të merren. Ky është një problem për të cilin pretendentët për pushtetin e ardhshëm, më saktësisht LVV, kanë bërë me dije se nuk do t’i pranojnë këto vendime dhe kanë bërë thirrje që kjo praktikë të ndalet”, tha Dauti.

Krasniqi: KQZ mban përgjegjësi për këtë vakum të krijuar

Image
Faik Krasniqi

Faik Krasniqi, njohës i çështjeve politike, ka deklaruar për “Bota sot”, se çdo vonesë e krijimit të institucioneve të Kosovës, shkon në dëm të shtetit dhe qytetarëve të saj.

Sipas tij, këtë vakum e shfrytëzon maksimalisht qeveria në largim, me vendime që u shkon përshtati xhepave të tyre.

“Ky vakum ndikon drejtpërdrejtë edhe në fusha të tjera. Ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe drejtësia. Por pa anashkaluar edhe politikën e jashtme. Ç’njohje për Kosovën po vazhdojnë, kurse Ministria e Jashtme po bën sehir. KQZ mban përgjegjësi për këtë vakum të krijuar. Siç po shkojnë punët me numërim dhe rinumërim të votave, s'ka gjasa të kemi Qeveri të re para Janarit të vitit e ardhshëm”, tha ai.

Krasniqi theksoi se rinumërimi i 1470 kutive të tjera do të marrë së paku 3-4 javë, por pas këtij rinumërimi mund të dalin akoma kuti që do të rinumërohen.

“Lojë e pistë e KQZ-së, që dëmton shtetin dhe qytetarët e saj. Më mirë do të ishte të shkojmë edhe një herë në zgjedhje, se sa të numërohen e rinumërohen votat”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat