Ftesat nga Specialja për individët në pozita shtetërore, avokati tregon si duhet të veprohet - Bota Sot
Ftesat nga Specialja për individët në pozita shtetërore, avokati tregon si duhet të veprohet

Politika

Ftesat nga Specialja për individët në pozita shtetërore, avokati tregon si duhet të veprohet

Nga: G.B Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 13:59
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale po vazhdon me dërgimin e ftesave për intervistim.

Së fundmi nga kjo gjykatë është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit ministri në detyrë i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Përpos tij, në media është raportuar se ftesë ka marrë edhe Shpend Maxhuni, i cili së fundmi dha dorëheqje nga kreu i AKI-së, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Se si ndikon kjo në imazhin e Kosovës, që të merren ftesa për njerëz me pozita të rëndësishme, avokati Gent Gjini, ka thënë për gazetën “Bota sot” se si popull na mungon kultura juridike dhe se kemi pasur raste të shumta kur individët janë treguar më të fortë se ligji.

“Jemi dëshmitar dhe kemi parë raste të shumta, që neve si popull na mungon kultura juridike, përkatësisht ne si shtet, jemi ballafaquar me rastet, kur individi është më i fortë se ligji, kur individët kanë sfiduar rendin dhe ligjet tona juridike, duke mos i respektuar dhe i shkelur ato, kemi parë raste kur shpërndahen informacione të natyrës konfidenciale, ato të cilat parimisht janë informacione “top sekret”, kemi parë raste kur janë zbuluar dëshmitaret, të dëmtuarit dhe me këtë të jenë ndikuar në ta, kemi parë raste të arratisjeve spektakolare nga institucionet e drejtësisë, kemi parë raste kur dëshmitë janë vjedhur nga institucionet e rendit, kemi parë rastet kur personat janë grabitur pa u zhvilluar procedurat e ekstradimit ata edhe janë deportuar në shtetet e huaja etj, etj”, është shprehur ai.

Image
Gent Gjini

Gjini thotë se këto gjëra po e vënë në pikëpyetje imazhin dhe reputacionin e Kosovës, duke shtuar e nuk e di përse individët, që janë në funksione të larta shtetërore dhe në poste kryesore qeveritare dhe të agjencive shtetërore presin që këta nga këto poste të largohen, vetëm e vetëm atëherë kur të “bëhet vonë”.

“Pikërisht këto gjëra, vënë në pikëpyetje më pastaj edhe imazhin dhe reputacionin e shtetit të Kosovës, karshi reformave në drejtësi dhe të atyre pritjeve nga ndërkombëtarët, që presin nga ne si shtet dhe shoqëri që këto dukuri t’i mënjanojmë dhe t’i luftojmë. Unë nuk mund ta kuptoj se përse individët, që janë në funksione të larta shtetërore dhe në poste kryesore qeveritare dhe të agjencive shtetërore presin që këta nga këto poste të largohen, vetëm e vetëm atëherë kur të “bëhet vonë” përkatësisht atëherë kur diskreditohet imazhi i tërë i shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar avokati.

Ai përmend rastin e ministrit Tahiri, se përse presin që të marrin ftesa të tilla dhe të mos largohen me kohë.

“Kjo sepse, tanimë që kemi mësuar që njëra prej ftesave të Speciales ajo i ka shkuar edhe ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri qe ai të dëgjohet dhe të dëshmojë, në këtë gjykatë dhe kur kushtimisht personat mund të dinë që edhe atyre mund të ju vjen një ftesë e tillë nga Gjykata Speciale, pra përse këta nuk largohen me kohë nga këto poste, përse presin që një ftesë e tillë ndërkombëtare të hyjë në “pako” edhe i tërë shteti i Kosovës””, ka theksuar Gjini.

Ai shpreson dhe pret që qeveria e re me qëllim që ta ruajë imazhin e Kosovës, ta bëjë një ligj që sanksionon personat në pozita të larta shtetërore në rastet kur ballafaqohen me hetime penale dhe aktakuza gjyqësore.

“Unë duke qenë në profesionin e avokatit dhe duke parë situata të tilla shumë diskredituese të dëmtimit të imazhit të shtetit të Kosovës, mendoj se në një të ardhme të afërt, ndoshta nga qeveria e re, pres dhe duhet që të sendërtohet një ligj imperativ, një standard parimor, e cila shprehimisht do të sanksiononte dhe do të rregullonte çështjen, për personat në funksione të larta shtetërore qeveritare dhe të agjencive shtetërore, që atyre te ju anulohen-pezullohen funksionet shtetërore nga ushtrimi i tyre, në rastet kur ata ballafaqohen me hetime penale dhe me aktakuza gjyqësore, me të vetmin qëllim që te ruhet imazhi, reputacioni i shtetit të Kosovës, si në arenën ndërkombëtare por edhe të brendshme edhe për respektin e treguar qytetareve të saj", ka deklaruar avokati Gent Gjini për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat