Pse po nguten Thaçi e Vuçiqi?

Politika

Pse po nguten Thaçi e Vuçiqi?

Nga: D. B. Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 16:24
Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi

Takimi i presidentit francez Emanuel Macron, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq, është një përpjekje e radhës për të përafruar palët që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë midis Serbisë dhe Kosovës.

Kështu ka vlerësuar njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se është një sinjal që tregon qartë një lloj ngutje nga ana e Thaçit dhe Vuçiqit për të realizuar projektin e tyre tashmë të parapërgatitur për normalizim të raporteve.

“E quaj nguti për shkak se do të kemi së shpejti një Qeveri të re të Kosovës e cila ka qëndrime të ndryshme nga ato të Presidentit Thaçi lidhur me dialogun dhe raportet me Serbinë. Prandaj, para se të formohej Qeveria e re, mund të kemi një situatë ku Qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë në një pozitë para një akti të kryer”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se ky takim apo këto orvatje të të dy presidentëve Ballkanik, mund të shihen nga dy këndvështrime.

“Njëri këndvështrim mund të jetë si përpjekje e fundit për të realizuar planin për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, për të cilën çështje Sovrani i Kosovës ka dhënë Verdiktin në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit 2019, duke nxjerr fituese partinë që kundërshton këtë projekt. Dhe tjetri mund të jetë një nismë e re për dialog me Shtetin serb, i cili po ashtu me qëllim të realizimit të të njëjtit projekt me disa ndryshime dekorative duke shpresuar se edhe Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të ketë zgjidhje përveç se ta pranoj këtë projekt për normalizim raportesh meqë do mund të jetë e vetmja zgjidhje që do gjej përkrahje nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat