Komandanti i Koshares: “Minishengeni” ide debillesh, ky është skenari për ndikimin rusë në Ballkan

Politika

Komandanti i Koshares: “Minishengeni” ide debillesh, ky është skenari për ndikimin rusë në Ballkan

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 nëntor 2019 Në ora: 08:37
Hisen Berisha

“Kosova në çdo aspekt duhet të bashkërendojë veprimet e saja politike si në nivel vendor apo në raportet ndërkombëtare me SHBA-të dhe pritjet e përbashkëta nga zhvillimet në rajon. Këtë nismë e konsiderojë ide debillesh politik që tentojnë me ble kohë përmes skenarëve të tilla, e me u shitë si njerëz të rëndësishëm në politikën globale, ndërkohë që e kanë humbur kredibilitetin në popullin e tyre”

Ish komandanti i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur për “Minishengenin” ballkanik, për pasojat që mund t’i sjellë Kosovës, si dhe rreth qëllimit të kësaj nisme.

Berisha fillimisht shprehet se si çdo iniciativë e propozuar, duhet parë edhe në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare çdo nismë vendore, rajonale apo më gjerë duhet parë në kontekst të zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike. As Kosova sado  vend i brishtë nuk i shpëton dot përplasjeve ndërkombëtare në rajon. Ato edhe e determinojnë në shumë raste politiken e jashtme të një shteti përkatësisht të Kosovës. Teoritë izolacioniste nuk i shërbejnë zhvillimit as si shoqëri, as si shtet dhe as si ekonomi. Këto teori janë dëshmuar si të rrezikshme dhe të dështuara. Kështu që edhe Kosova ka rrugën e sajë politike të zhvillimit si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare që bazohet mbi parimet e lirisë dhe demokracisë, parime këto që na ndihmuan edhe në luftën tonë politike e ushtarake për çlirim”, ka thënë Berisha.

Komandanti i Betejës së Koshares me tej, ka folur edhe për hapat që do e përgatisin Kosovën për hapin e madh, dhe orientimin strategjik për integrime Euroatlantike.

“Kosova është vend i ri në zhvillimi të identitetit shtetëror territorial dhe politik, si e tillë ka treguar gatishmëri për të qenë pjesë e nismave rajonale për të ndërtuar paqe e siguri siç është angazhimi ynë për të qenë pjesë e Kartës së Adriatikut - A5 dhe SHBA në rajon, pastaj jemi nënshkrues të shumë programeve që krijojnë lehtësira për qarkullimin  e mallrave dhe shërbimeve siç është CEFTA dhe po ashtu jemi nënshkrues dhe implementues të programit IBM për menaxhimin lehtësues të vendkalimeve kufitare të qytetarë. Këto janë hapa që do të na përgatisin për hapin e madh dhe orientimin tonë strategjik për integrime Euroatlantike pra në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme dhe partneritet strategjik me SHBA”, ka thënë komandanti i Betejës së Koshares.

Ndërsa, duke folur për “Minishengen ballkanik”, Berisha ka thënë se, kjo iniciativë nuk duhet parë me paragjykim se do të kemi vlerësim të gabuar dhe për pasojë që do të na dërgojë në vet izolim, mirëpo ai është i mendimit se kjo dëshiron një analizë në kontekst më të gjerë.

“Nisma për një “Minishengen ballkanik” nuk duhet parë me paragjykim se do të kemi vlerësim të gabuar dhe për pasoj do të na qoj në vet izolim ose partner destruktiv në rajon. Pra, kjo do një analizë në kontekst dhe për t’u parë se çfarë kjo paraqet për Kosovën, sa e ndihmon kjo Kosovën dhe qytetaret e ekonominë e sajë në ecjen përpara apo e kundërta. Për mua nuk është asnjë rrezik. Pse? Kosova duhet te inkuadrohet në BE e në NATO. Puna e institucioneve të Kosovës dhe bartësve të pushtetit duhet të jetë përgatitja e vendit, pra përmbushja e detyrave të shtëpisë në raporte ndërkombëtare dhe ngritja e vendit në standardet që kërkohen për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë dhe zhvillimit, dhe integrimit të qytetarëve. Kjo është rruga jonë. Kjo ide si projekt pa “Minshengeni ballkanik”, duket se i ka të integruara edhe katër parimet bazë të BE-së”, tha Berisha, për gazetën “Bota sot”.

Skenari me Minishengenin” ballkanik

Oficeri i shtabit në Kabinetin e Ministrit të FSK-së, konsideron se “Minishengeni ballkanik” nuk do të realizohet, pasi që parakusht për tu arritur çfarëdo marrëveshje është ekzistimi i subjekteve, sipas të drejtës ndërkombëtare publike, për të krijuar kështu një marrëdhënie ndërkombëtare, pra shteteve të barabarta ndaj të cilave synohet marrëveshja në fjalë.

“E, problem kyç  që na del këtu është raporti Serbi-Kosovë. Pra, për çfarë do tutje duhet detyrimisht të ndodh njohja e ndërsjelle Serbi – Kosovë.  E në variantin më të keq të mundshëm qenia e Kosovës pjesë e çfarëdo“minishengeni” a “makroshengeni” do të duhej së pari Kosova të heqë dorë prej shtetësisë së saj, e me iu bashku Serbisë (ruana zot) ose Shqipërisë. Kështu siç janë raportet, nuk mund të krijohet diçka e tillë, nuk paraqet as rrezik as të mirat. Pra, në prizmin personal se a duhet Kosova të jetë pjesë e një nisme të tillë, Jo. Kosova ka rrugën e saj për ndërtimin e identitetit të vet shtetëror dhe polit e që është orientimi drejtë integrimeve euro atlantike, NATO dhe miqësi të përhershme me SHBA-të”, konsideron ai.

Berisha mes të tjerave shprehet se “Minishengenin” ballkanik është ide debillesh politik, përmes së cilës po tentohet blerja e kohës përmes skenarëve.

“Kosova në çdo aspekt duhet të bashkërendojë veprimet e saja politike si në nivel vendor apo në raportet ndërkombëtare me SHBA-të dhe pritjet e përbashkëta nga zhvillimet në rajon. Këtë nismë e konsiderojë ide debillesh politik që tentojnë me ble kohë përmes skenarëve të tilla, e me u shitë si njerëz të rëndësishëm në politikën globale, ndërkohë që e kanë humbur kredibilitetin në popullin e tyre dhe po provojnë të mbahen me nisma që do i faktorizojnë për mbetje sa më gjatë në pushtet në vendet e tyre që i kanë shndërruar në kartele të të gjitha dukurive negative ndaj të cilave edhe vete SHBA kanë shpallur luftë globale. Vërtetë kjo nismë si program i ka integruar pikërisht katër parime e BE, por në sfond vërehen tjera arsye të këtij projekti. Kjo do t’i shërbej hegjemonisë së vendeve të caktuara në rajon. Hegjemonija parimisht është  ekonomiko ushtarako politike ose e kundërta”, shprehet Berisha.

Ai gjithashtu deklaron se me këtë ide u pretendua të lansohet si nismë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ndërkohë që shpjegon se shqiptarët e Kosovës lëvizin me letërnjoftime me Malin e zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Po ashtu me letërnjoftimi lëvizim edhe nëpër Serbi, por jo për arsyet me të cilat kjo lëvizje është rregulluar në shtetet tjera fqinje, por me arsyen se Serbia që po lyp integrim e ka Kosovën pjesë integrale të veten edhe me preambule kushtetues dhe lëvizjen neper territorin e saje me letërnjoftim e ka ngase nuk ta njeh pasaportën si element i shtetësisë. Sa i përket qarkullimit të lire të tregtisë se mallrave, ne i kemi vënë kufizime njeri tjetrit me taksa si me Serbinë, po ashtu edhe me Shqipërinë kemi vu taksa, shembull ne për çimento ata për patate, për kalimin nëpër rrugën e kombit që 80 me 20 është në favor të dobi sjelljes për Shqipërinë në raport me Kosovën. Por, a është normale t’i bëhet dualizëm CEFTA-s, nënshkruese të të cilës marrëveshje jemi të gjithë në rajon.  Pra, kjo po ndodhë si revansh ndaj mbylljes se BE-së,  për shkak të mos përmbushjes së kritereve për anëtarësim”, deklaron ai.

Në këtë intervistë ai ka zbuluar edhe qëllimin kryesor me “Minishengenin”, gjë sipas të cilit po synohet të krijohet një treg ekonomik, i nevojshëm për fuqinë dalluese të Serbisë në rajon.

“Prandaj, “Minishengeni” ballkanik ka qëllim krijimin e një tregu ekonomik, kuptohet i nevojshëm për fuqinë dalluese të Serbisë në rajon. Sot, rivaliteti kryesor janë BE, e cila pas Brexitit , ka një largim nga Mbretëria e Bashkuar dhe vet SHBA dhe një përafrimi me influencinim rus në rajon. Në kontekst të kësaj kemi një rritje të pretendimeve të “Unionin euroaziatk”  për influencë rivale në rajonin e Ballkanit. Kjo edhe mund të vërehet kudo në ekonomitë tona me theks në Kosovë. Pothuaj në të gjitha kompanitë aset të fuqishme të zhvillimit ekonomik të vendit, sot valojnë flamuri i Turqisë. Në asnjë aset të fuqishëm ekonomik nuk valon flamuri amerikan apo ndonjë shtetit tjetër partner. Po të njëjtën situatë në aspektin e investimeve e ke edhe Serbinë, hiq më mirë nuk janë as Maqedonia dhe as Shqipëria”, potencon komandanti i njohur.

“Kosova duhet ta kushtëzojë çfarëdo marrëveshje”

Berisha kujton se në kohën e presidentit Rugova, që ishte arkitekti i shtetit të Kosovës dhe vuri themelet e tij, Kosova nuk ishte për mbyllje as atëherë kur vendi ishte në një pozitë shumë të brishtë në stabilitetin e politikave shtetërore.

Pra, sipas tij, gjithnjë synohej një Kosovë e hapur për lëvizje të lirë për mallra e njerëz, me orientim integrues euroatlantik dhe miqësi të përhershme me SHBA-të.

“Kjo mund të ketë qëllim orientimin e këtyre tregjeve kah “Unioni euroaziatik”. Tani do kesh treg për mallra kineze ruse turke etj. Por a është në rregull kjo. Jo. Por mos harroni se sot në Kosovë po krijohet krizë për barna mjekësore, mos të flasim për cilësinë e tyre dhe masat e kontrollit që kërkojnë më shumë vëmendje se vendosja e taksave bllokuese dhe vet izoluese. Çdo gjë hyn përmes Serbisë. Por, taksa e mbylli Kosovën në këtë aspekt dhe tani jemi kthyer në objektiv të synimeve të ndryshme të tregut dhe jo vetëm. Duket që një qëndrim të tillë të mbaj edhe presidenti aktual i Kosovës, i cili sa di është i vetmi njeri që ende nuk ka investim në këtë projekt dhe  i cili ka deklarua se orientimi i Kosovës janë BE dhe NATO. Ky do të jetë një hap rehabilitues nëse do të distancohej edhe nga idetë e më hershme rreth identitetit territorial të Kosovës, për të cilat njëherë duhet falënderuar Gjykatën kushtetuese që i rrëzoj këto pretendime”, kujton Berisha.

Ndërkaq, Berisha bën me dije se Kosova duhet ta kushtëzojë çfarëdo marrëveshje me Serbinë nëpërmes njohjes, dhe se nuk mund të krijohet asnjë shengen pa u barazuar raportet shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky union nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, ngase ky është rivalitet i Unionit Euro Aziatik me Unionin Evropian në kontekst ekonomik. Por, edhe në çoftëse përmes kësaj nisme është pretendua të sillet Serbia në pozitë që të njohë subjektivitetin shtetërorë të Kosovës, për ta bërë partnere nënshkruese të nismës.  Nëse këto raporte mbesin kështu, “minishengeni” krijohet pa Kosovën. Atëherë Kosova duhet bërë tregti me Malin e zi, Kroacinë, Slloveninë, etj. Në aspektin politik gjeostrategjik, vërejtshëm është pretendimi i daljes në dete të Serbisë dhe krijimin e hapësirës për ndikimin politik rusë. Pra, lidhet me pretendimet e daljes se Serbisë në dete përmes tokave shqiptare. Deri tani ka dal përmes Malit zi e Kosovës. Mali zi shkoi ne NATO e BE dhe Kosova po i ikën nga dora. Ndërkohë që si mundësi tani po pretendojnë tëkrijojnënjë dalje ne dete nga Maqedonia e Shqipëria”, ka thënë ai.

Armatimi i Serbisë

Oficeri për strategji dhe doktrina ka folur edhe për armatimin e Serbisë me S-400 të ardhur së fundi nga Rusia, për të cilën ka thënë përveç saj, mund të pritet një armatim edhe më i sofisitifikuar, deri edhe në posedimin e armëve të shkatërrimit në masë.

“Kjo strategji do i përmbushë kushtet për realizimin e hegjemonisë së Serbisë në aspektin ushtarak, edhe për faktin se sot është e armatosur me sisteme mbrojtëse raketore ruse të tipin S-200, S-400 dhe pritet edhe me më të sofisitifikuara deri edhe në posedimin e armëve të shkatërrimit në masë. Kjo përbën në disbalancim të fuqisë ushtarake në mes shteteve në këtë rajon. Kjo rrite hegjemoninë e Serbisë në rajon si fuqi ushtarake. Pyetja kryesore që shtrohet se kah do i kenë të kthyera tytat këto armë. Pa dyshim se vend dislokimi i tyre në rrethinën e Shabacit, tregon pretendimet serbe ndaj vet Kroacisë si vend determinues i raporteve në rajon në rivalitet me Serbinë, gjë të cilën të gjitha se bashku deri me sot Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova nuk e arrijnë dot nëse flasim me gjuhen e buxheteve që ndajnë në ketë fushë. Këto vende me diplomacinë e tyre, dështuan që ndaj Serbisë të vendoseshin masat ndaluese e njëjta pas luftës në Kosovë, siç ishin vendosur ndaj Gjermanisë së pas Luftës së Dyte Botërore. Pra, të mos kishte të drejta as në ushtri me mision lufte dhe as në industri armatimi dhe armatosje”, ka theksuar oficeri për strategji dhe doktrina.

Si përfundim, ai shprehet se Kosova do t’i shmangë gjithë këto  iniciativa, duke ruajtur kështu strikt dhe vetëm raportet e partnershipit strategjik me SHBA dhe orientimet integruese në BE dhe NATO.

“Përkundër kësaj situate dhe konceptimit të fuqisë ushtarake në serbi, pa tregun ekonomik dhe daljen në dete Serbia edhe si fuqi ushtarake dhe si fuqi ekonomike është e vdekur. Projektet ruse për rajonin, nuk do kenë të ndalur. Pas dështimit të dy sosh, ai për ndryshim kufijsh dhe ky për minishengenin ballkanik do plasohen edhe dy tjera projekte me po të njëjtën autorësi ruse aziatike.  Por, Kosova do t’i shmangë duke ruajtur strikt dhe vetëm raportet e partnershipit strategjik me SHBA dhe orientimet integruese në BE dhe NATO. Përfundimisht, kushdo që pretendon të nxjerr Kosovën prej rrugës se integrimeve euroatlantike duhet rrëzuar me demonstratë, a me luftë, a me çfarë do mjeti tjetër”, shprehet në fund të intervistës, Hisen Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat