Gati një muaj e gjysmë pas mbajtjes së zgjedhjeve me 6 tetor, ende po vazhdojnë të rinumërohen vota.
E votat e fundit që janë duke u rinumëruar, do të shtyjnë shpalljen e rezultateve përfundimtare edhe për disa ditë apo javë.
Nga KQZ kanë thënë se certifikimi i rezultateve do të bëhet në muajin dhjetor.
E pa certifikimin e rezultateve, nuk mund të formohet qeveria e re.
Lidhur me gjithë këtë, ish anëtari i KQZ-së, njëherësh njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se po tentohet të ndryshohet rezultati dhe kjo është jo ligjore dhe e dëmshme.
“Po ka tentativë për të ndryshuar rezultatin zgjedhor, kjo është e dëmshme, jo ligjore. Po shkelet rezultati përfundimtar, po bëhet presion të ndërrohet rezultati zgjedhor që është i pamundur, s’ka gjasa. Tentativë e rrezikshme e vazhdueshme për të eliminuar rezultatin përfundimtar të 6 tetorit”, është shprehur ai.
Ai thotë se edhe KQZ është në presion nga partitë dhe nëse vazhdohet kështu, duhet të formohet një qeveri kalimtare.
“Ide e rrezikshme, KQZ është në presion, përplot presione nga partitë. Nëse kështu vazhdon duhet të themelohet një qeveri kalimtare që deri ka fundi i vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e reja. Tashmë është e qartë intenca e shkatërrimit të procesit zgjedhor të 6 tetorit me shantazh e presion. Tentativa më e rrezikshme deri më tash për të minuar edhe themelimin e institucioneve të reja të vendit”, ka vlerësuar Burjani.
Sipas tij, Supremja duhet të tregojë pse po ndodhë vazhdimisht rinumërimi, ku është faji e ku është përgjegjësi.
“Rinumërimi veprim jo i drejtë i gjykatës supreme, duhet kjo gjykatë t’i bëjë publike shkaqet që kanë sjellë deri te ky rinumërim i vazhdueshëm. Ku është faji? Ku është përgjegjësi? Mbi cilat fakte është nxjerrë vendimi për numërim, pra duhet po ashtu një proces hetimor të ndodhë”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.