Flasin nga AKR-ja për “Bota sot”, zbulojnë të vërtetën nëse po shkojnë në koalicion me Albin Kurtin

Politika

Flasin nga AKR-ja për “Bota sot”, zbulojnë të vërtetën nëse po shkojnë në koalicion me Albin Kurtin

Nga: N.H Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 18:06
Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli

Gjatë ditës në media është raportuar se zyrtarë të AKR-së janë deklaruar se janë të hapur për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Është pikërisht Islam Pacolli, anëtar i AKR-së,ai i cili ka thënë se në momentin që certifikohen zgjedhjet çdo bisedim me Vetëvendosjen e Kurtit është i mirëseardhur.

Ndërsa, lidhur me ketë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar zyrtarin e lartë të kësaj partie.

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka sqaruar gjithçka rreth raportimeve të fundit në media.

Makolli deklaruar se për shkak të “ngërçit” të krijuar me procesin zgjedhor, edhe me tej nuk e kanë menduar përfshirjen apo mos përfshirjen e tyre në koalicionin qeverisës.

Image
Vesel Makolli

“Së pari ne ende nuk kemi certifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorir, pasi që është në proces numërimi i mbi 1400 vendvotimeve, e i cili do të zgjat edhe minimum dy javë. Ky proces i rinumërimit i ka stopuar si duket edhe bisedimet për marrëveshje rreth formimit të qeverisë edhe dy partitë fituese Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, andaj edhe ne ende nuk kemi menduar rreth përfshirjes apo mos përfshirjes sonë në koalicionin qeverisës”, ka thënë Makolli për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Makolli është shprehur se AKR-ja është parti liberale, demokratike dhe se i respektojnë mendimet dhe sugjerimet e çdo njërit anëtar, mirëpo thekson se vendimet merren në organet gjegjëse të partisë.

“Ju e dini se ne kemi garuar në këto zgjedhje në koalicion edhe me dy parti tjera, andaj edhe veprimet në të ardhmen do të jenë të menduara, të planifikuara dhe të sinkronizuara së bashku. Ne jemi parti liberale demokratike dhe i respektojmë mendimet dhe sugjerimet e çdo njërit anëtar, por vendimet merren në organet gjegjëse të partisë, duke respektuar rregullat demokratike dhe duke pas parasysh në rend të parë interesat shtetërore”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kujtojmë se koalicionit të paralajmëruar VV-LDK i duhen vetëm edhe katër vota për të ndërtuar Qeverinë, të cilat mund të sigurohen nga pakicat jo serbe por edhe te AKR-ja e Pacollit.

Kurse, sa i përket rinumërimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së fundi ka njoftuar se deri më tani janë rinumëruar 65 vendvotime, të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Gjatë ditës së sotme, deri në orën 16:00, janë rinumëruar 65 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të rinumëruara është 364 vendvotime, apo rreth 26%”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në QNR është duke u zhvilluar procesi i rinumërimit të 1428 vendvotimeve, për të cilat ka vendosur ditë më parë PZAP-i, pas pranimit të shumë ankesave që kishte nga subjektet politike dhe kandidatët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat