Inkuadrimi i Nismës, rrezikon marrëveshjen Vetëvendosje- LDK

Politika

Inkuadrimi i Nismës, rrezikon marrëveshjen Vetëvendosje- LDK

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 nëntor 2019 Në ora: 07:56
Ilustrim/ Bota sot

“PAN janë të njëjta me karakteristika plotësisht të njëjta, e cila duhet në të ardhmen të shkrihen në një parti të vetme, reformim i plotë Kadrovik duhet të ndodhë, koalicioni mund të jetë vetëm VV dhe LDK në të kundërtën do të këtë skena të njëjta dhe probleme të PAN-it, nëse Nisma merret në koalicionit do të jetë problemi kryesor i shantazhit të koalicionit dhe do të prishet shumë shpejt”, ka përfunduar juristi Blerim Burjani.

Janë bërë 42 ditë që nga data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, dhe partitë e dala fituese nga këto zgjedhje edhe me tej nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Koalicionit të paralajmëruar VV-LDK, në rast të kalimit të pragut nga Nisma Socialdemokrate i duhen vetëm edhe katër vota për të ndërtuar Qeverinë, të cilat mund të sigurohen nga pakicat jo serbe, por jo edhe nga AKR-ja e Pacollit, pasi kjo e fundit sipas të gjitha gjasave do t’i ketë vetëm dy ulëse në Kuvendit e Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend parashohin se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani po shfaqë interesim vetëm për AKR-në e Behgjet Pacollit e cila i ka vetëm dy deputetë, ndërsa, këtë qasje nuk e ka edhe për Nismën e Fatmir Limajt.

Sipas analistëve, Albin Kurti dhe Vetëvendosja e tij nuk do të lidhin kurrfarë koalicioni qeverisës me Nismën Socialdemokrate, pasi sipas tyre ky subjekt nuk ka kurrfarë peshe në skenën politike.

Burjani: Nisma është njëjtë si PDK e AAK

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se partia e Fatmir Limajt është e njëjtë dhe nuk dallon shumë nga PDK-ja e Veselit, dhe AAK-ja Haradinajt.

“Së pari problemi kryesor është kalojë pragun e që ky kaos i rinumërimit dhe numërimit po ndodhë për shkak të kërkesave dhe ankesave të shumta në procesin aktual, Nisma është njëjtë si PDK dhe AAK, subjekt politik problematik me nepotizëm dhe korrupsion. Ky subjekt ka punësuar përplot militantë politik”, ka thënë Burjani.

Sipas Burjanit, nëse nuk ndodhë koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, do të ndodhin skena të njëjta sikurse të PAN-it.

“PAN janë të njëjta me karakteristika plotësisht të njëjta, e cila duhet në të ardhmen të shkrihen në një parti të vetme, reformim i plotë Kadrovik duhet të ndodhë, koalicioni mund të jetë vetëm VV dhe LDK në të kundërtën do të këtë skena të njëjta dhe probleme të PAN-it, nëse Nisma merret në koalicionit do të jetë problemi kryesor i shantazhit të koalicionit dhe do të prishet shumë shpejt”, ka përfunduar juristi Blerim Burjani.

Rexhaj: Vetëvendosje po shfaqë interesim vetëm për AKR-në

Image
Sali Rexhaj

Veprimtari dhe analisti, Sali Rexhaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, duke e komentuar gjendjen aktuale politike në vend, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani po shfaqë një interesim më të theksuar për AKR-në e Behgjet Pacollit.

Rexhaj potencon se është problem të arrihen tani 61 deputetë nga partitë shqiptare, pa Nismën e Fatmir Limajt.

“Sa i përket Nismës në LDK ajo është e pranueshme për koalicion. Ketë e tha edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa në një intervistë para do ditësh. Në anën tjetër Vetëvendosje pas rinumërimit e cili ia hoqi tre deputetë, u pozicionua kundër Nismës. Po në anën tjetër, VV-ja po shfaqë interesim vetëm për AKR-në e Pacollit e cila i ka vetëm dy deputetë. Por në anën tjetër Ramush Haradinaj deklaroi shumë qartë se AAK-ja do ta votojë qeverinë edhe nga opozita, vetëm që të formohet qeveria sa më shpejtë”, ka thënë Rexhaj.

Sipas Rexhajt, partia e Albin Kurtit më shumë është e interesuar për një pozicion të mirë në zgjedhjet e radhës, se sa për qeverisje në këtë mandat.

“Pra, për mua problem është koalicioni fitues, VV e LDK të cilat nuk po arrijnë marrëveshje. Si duket partia e Kurtit më shumë është e interesuar për një pozicion të mirë në zgjedhjet e radhës, se sa për qeverisje në këtë mandat. Me futjen në lojë të koalicionit Nisma-AKR –PD është e pamundur te mbahet premtimi për një qeveri me 12 ministra, si Limaj si Pacolli kërkojnë dy-tri ministri. Vetëvendosje po sillet sikur t’i kishte fituar 62 për qind e jo 26 për qind të votave. Kjo po e ve në pozitë qesharake, aq më shumë kanë menduar se LDK-së shndërrohet në paterice dhe nuk kërkon asgjë, po vetëm ja vë në shërbim Vetëvendosjes votat e deputetëve të saj”, ka shtuar ai.

Rexhaj e ka komentuar edhe kërcënimin e LDK-së se nëse nuk ka marrëveshje me VV-në shkojnë në opozitë, për këtë ai ka thënë se këto duhet të merren seriozisht.

“Pozita e kryeparlamentarit, presidentit dhe Ministria e Punëve të Jashtme i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje e merr postin e kryeministrit. Kërcënimin e LDK-së nëse nuk ka marrëveshje me VV- në shkojmë në opozitë, duhet marrë seriozisht. Isa është politikan me përvojë të gjatë, prandaj është gabim nëse dikush mendon se është lehte të bisedohet me të, aq më pak ta shantazhosh apo mbështetësh për muri”, ka përfunduar analisti politik, Sali Rexhaj.

Elezaj: Kurti nuk do të lidhë kurrfarë koalicioni qeverisës me këtë parti minore

Image
Rexhep Elezaj

Kurse, nga ana tjetër, analisti politik, Rexhep Elezaj, në një bisedë për “Bota Sot”, ka deklaruar se Nisma e Fatmir Limajt me “dhunë ligjore” të ushtruar nga KQZ-ja dhe PZAP-i, po e kalon pragun zgjedhor pas vendimit të refuzimit të 3600 votave të ardhura nga Serbia.

“Për të dhënë përgjigje të duhur lidhur me gjasat që Nisma Socialdemokrate të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës LVV-LDK, pasi që ajo me “dhunë ligjore” të ushtruar nga KQZ-ja dhe PZAP-i, duket se po e kalon pragun zgjedhor pas vendimit të refuzimit të 3600 votave të ardhura nga Serbia dhe atë me vendim politik të Gjykatës supreme, së pari duhet kuptuar shkaqet që çuan në këtë vendim arbitrar si dhe në rinumërimin e mbi 86% të votave të gjithmbarshme të zgjedhjeve të 6 tetorit”, është shprehur Elezaj, për gazetën “Bota sot”.

Elezaj është i mendimit se edhe naivët më të mëdhenj e kanë kuptuar se KQZ-ja është e kapur nga politikanë dhe elemente të SHIK-ut.

“Sepse, sipas rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve i dhënë para disa ditëve nga vetë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ku LVV-je doli bindshëm fituese e këtyre zgjedhjeve, edhe naivët më të mëdhenj e kanë kuptuar se KQZ-ja është e kapur nga politikanë dhe elemente të SHIK-ut, të instaluara brenda saj, ngase nuk ka ekzistuar asnjë shkak i arsyeshëm që certifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të zhargitet mbi një muaj e gjysmë, e as që të rinumërohet asnjë kuti votuese, sepse zgjedhjet e 6 tetorit ishin ndër aktet më të mira dhe demokratike të pas luftës në Kosovë’, ka thënë ai.

Elezaj nënvizon se mjerisht këtë fitore dhe imazh kaq pozitivë që dha qytetari në këto zgjedhje, mjerisht atë e shkatërrojë me qëllim vetë KQZ-ja së bashku me PZAP-in.

“Sipas mendimit tim, kalimi me zor i pragut zgjedhur i Nismës pas rinumërimit disa herë të votave të sovranit dhe manipulimeve me votën e sovranit dhe jo me vota të fituara nga votuesit e saj, pa dyshim, paraqet njollën më zezë në procesin zgjedhor në Kosovë, sepse po shihet qartë se pas këtyre dallavereve me votat e popullit, qëndron një forcë e zezë politike, e cila me çdo kusht dëshiron të mbetet në pushtet përmes NISMA-s, ngase humbja dhe ndëshkimi i tyre nga ana e qytetarit, ishte vetëvrasje për pushtetarët e korruptuar dhe oligarkët mafioz, të cilët për të ngelur në pushtet janë të gatshëm ta shesin edhe Kosovën”, ka nënvizuar ai.

Në fund, Elezaj shprehet i bindur se Kurti nuk do të lidhë kurrfarë koalicioni qeverisës me Nismën Socialdemokrate, e cila, sipas tij, në fakt nuk ka kurrfarë peshe në skenën politike të Kosovës.

“Prandaj, unë mendoj se LVV-je, si fituese e zgjedhjeve nuk do ta merr në koalicion qeverisës Nismën, sepse kështu do i thyente dhe shkelte parimet dhe përkushtimin e saj për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant, i cili e ka kapluar çdo pore të shoqërisë sonë të varfër dhe të sunduar nga diktati dhe dhuna e oligarkisë djallëzore, e cila shtetin e Kosovës e ka vu para një imbisi të pafund. Kështu që, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që Nisma të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, dhe, jam shumë i sigurt së kryeministri i ardhshëm Albin Kurti nuk do të lidhë kurrfarë koalicioni qeverisës me këtë parti minore, e cila në fakt nuk ka kurrfarë peshe në skenën politike të Kosovës”, ka përfunduar Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat