Më mirë zgjedhje të reja apo NISMA në qeveri?

Politika

Më mirë zgjedhje të reja apo NISMA në qeveri?

Faton MEHMETI Nga Faton MEHMETI Më 18 nëntor 2019 Në ora: 10:49
Fatmir Limaj

Pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesën e Vetëvendosjes ndaj vendimit të PZAP që votat e ardhura nga Serbia të shpallën të pavlefshme, me që rast edhe NISMA duket se do kalojë pragun, me këtë rast duket se mund të ndryshojnë edhe gjërat.

Nga ky vendim VV humbë tre deputet, LDK një ose dy, si dhe të tjerat. Pra koalicioni i pritshëm LDK-VV më s’mund të formojë qeverinë pa përfshirjen e një partneri të tretë. Derisa NISMA fërkon duart e të mbeturit në pushtet, këtë gjë s’po e dëshirojnë nga Vetëvendosje, aq sa janë të gatshëm edhe të shkojnë në zgjedhje vetëm që mos të futin në koalicion Fatmir Limajn.

Deri më tani LDK ka heshtur, ndoshta po presin që të numërohen edhe ato pak vota që kanë mbetur, për t’u prononcuar. LDK shquhet si partia që ka ekspertët më të mirë në fushën ekonomisë, dhe besoj se ata fare mirë e dinë se sa më shumë partnerë të përfshihen në koalicion aq më pak do të kenë hise, dhe logjikisht futja e NISMËS në koalicion nuk është e favorshme për ta.

Megjithëse dikush duhet futur patjetër, më e levërdishme është që si partner të tretë të futet grupi 6+, minoritet jo serbe, të cilët edhe kërkesat i kanë më të vogla. Përveç kësaj nuk kanë as mëkatet që i ka NISMA, si parti sinonim i nepotizmit, punësimeve pa asnjë kriter si dhe vandalizmin që kanë treguar gjatë qeverisjes që po ikën.

Andaj, NISMA nuk është pa mëkate, dhe futja  e saj eventuale ne qeverinë e ardhshme do të zbehë pritjet dhe entuziazmin e qytetarëve për ndryshim. Derisa qytetarët kanë votuar LDK dhe VV për ndryshim, kanë ndëshkuar PAN-in, pjesë e të cilës ka qene edhe NISMA. Megjithatë pritet që edhe LDK të thotë fjalën e saj, pas të cilës mund të kemi një panoramë më të qartë së si mund të dukët qeveria e ardhshme, apo edhe mund të shkojmë prapë në zgjedhje.

Duke besuar në pjekurinë politike të LDK, e cila në këtë rast është personazhi kryesor në këtë tregim, nuk besoj se vendi do të shkojë në zgjedhje. Momentalisht LDK nuk mund të merr vota më shumë se në zgjedhjet e tetorit, andaj shkuarja nuk është në interes të saj, shto pastaj këtu që edhe Kosova humb shumë në aspektin financiar, kështu që të gjithë shtigjet qojnë që do të bëhet çdo përpjekje që vendi mos të shkojë në zgjedhje. Pastaj, a do të futet NISMA në qeveri apo jo mbetet në vullnetin e partnerëve të koalicionit.

Një proces zgjedhor që duket se përfundojë shumë mirë, aq sa na kishin zili edhe vendet më të zhvilluara, u damkos nga interferimet nga grupet e interesit jashtë KQZ. Kështu kryetarja e KQZ nuk tregoi autoritet që të mbronte procesin e zgjedhjeve, mirëpo lejoi që ky proces të tejkalonte të gjitha parashikimet.

Nga gjithë kjo tollovi me gjasë do të përfitojë NISMA-AKR-PD. Duke pasur si shkasë këtë tejzgjatje të këtij procesi qeveria e ardhshme duhet që edhe në KQZ të filloi reformimin, pavarësisht se thuhet se KQZ është e pavarur, kjo ka dështuar në praktikë. Për gjithë tollovinë që përfshiu KQZ në këto zgjedhje dikush duhet të jep përgjegjësi, duke shkundur kështu shtetin nga kapja.

Duke qenë se NISMA është pjellë e PDK-së, nuk duhet habitur nëse e tërë kjo është vepër e Hashimit, që të shpërblente kështu ish shokun e  tij të ngushtë Fatmirin, duke shlyer kështu “mëkatin”: Që si pasardhës të tij në krye të PDK nuk e la Fatmirin, por Kadriun, aty ku edhe filloi ndarja e PDK, dhe lindja e NISMËS.

Pavarësisht se kalkulimet dhe hamendësimet anojnë tek interes e njerëzve që tentojnë të kenë ende njerëz të tyre në qeverinë e ardhshme, gjatë kësaj jave pritet që të pasqyrohet qartë panorama se kah do të shkoj Kosova.

Qytetarët kanë votuar për ndryshim, këtë ndryshim e kanë shprehur tek VV dhe LDK, andaj këto edhe e kanë obligim që të dëgjojnë vullnetin e qytetarëve, duke mos futur në qeveri njerëz që kanë bërë mëkate ndaj vendit, me duart e tyre të njollosur në krim dhe korrupsion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat