Çfarë duhet të ndodhë me ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian?

Politika

Çfarë duhet të ndodhë me ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 nëntor 2019 Në ora: 21:39
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Me shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, në procedurë pa u miratuar kanë mbetur 43 ligje.

Për shkak të vonimit të procesit zgjedhor legjislatura ka mbetur pa u rishikuar dhe pavendosur për ligjet që kanë mbetur pa u miratuar nga Kuvendi.

Në mesin e tyre janë edhe ligjet të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian e që kanë për qëllim ndër të tjera edhe përafrimin e Kosovës me BE-në.

Meqë përbërja e kaluar e Kuvendit nuk arriti t’i miratojë këto ligje, të gjitha kthehen në pikën zero, por disa prej tyre, sidomos ato që ndërlidhen me kriteret dhe standardet e BE-së, konsiderohen se do të jenë prioritet i punës së institucioneve të reja që do të formohen si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Deputetët e ardhshëm të partive politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë mendime të ndryshme për atë se si duhet të veprohet me ligjet të cilat kanë mbetur në proces.

Burjani: Ligjet e ish-kuvendit nuk po vijnë në shprehje te shikohen e as rishikohen

Image
Blerim Burjani

Në një prononcim për “Bota sot”, juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, u shpreh që ky vonim  i procesit të rinumërimit ka ndikuar negativisht edhe në shtetin kështu duke u qenë proces i degraduar.

“Ka shumë për të bërë realiteti është plotësisht i kundërt, ka një proces të delegjitimum me rinumërim total pothuajse të votave, ky është procesi më i keq në historinë e Kosovës, degradim i plotësisht, tash mund të konstatohet si proces i prishur zgjedhor mbi 50%. Ky proces i dëmtuar plotësisht me 98 % të rinumërimit duhet shteti të përgatitet për zgjedhje të reja”, tha, Burjani.

Tutje, Burjani, u shpreh që ligjet nuk po vijnë në shprehje të shikohen nga institucionet pasiqë ka degradim të procesit zgjedhor.

“Njëherë duhet të ketë një qeveri kalimtare për një vit deri në përgatitje normale të zgjedhjeve dhe për të bërë një reformë zgjedhore adekuate. Ligjet e ish-Kuvendit nuk po vijnë në shprehje te shikohen e as rishikohen institucionet nuk po mund të formohen. Ka degradim të procesit dhe të institucioneve që pritet të themelohen”, përfundoi, Burjani.

Haxhiu: Sa i takon projektligjeve që kanë qenë në procedurë, ato nuk mund të kthehen në legjislaturën e re

Image
Agnesa Haxhiu

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, u shpreh që deri në shpërndarjen e legjislaturës së VI-së, pavarësisht se në cilën fazë, ato nuk vlejnë për legjislaturën e re.

“Të gjitha ligjet të cilat kanë qenë në procedurë të shqyrtimit deri në shpërndarjen e legjislaturës së VI-të, pavarësisht se në cilën fazë, ato nuk vlejnë për legjislaturën e re. Përjashtim bëjnë ligjet të cilat janë miratuar nga Kuvendi dhe janë dërguar për nënshkrim të tyre ose peticionet ose punëve që nuk kanë nevojë për vendim nga ana e Kuvendit”, tha Haxhiu.

Më tej, Haxhiu, tha që i takon Qeverisë së re të vendos nëse do të të përfshij apo jo ato në programin legjislativ për vitin e ardhshëm.

“Sa i takon projektligjeve që kanë qenë në procedurë, ato nuk mund të kthehen në legjislaturën e re në atë fazën ku kanë mbetur. Tash i takon qeverisë që të vendos nëse do t’i përfshij ato në planë programin legjislativ për vitin e ardhshëm dhe t’i procedoj për në Kuvend, por që amendamentimi i tyre proceduralisht fillon nga zero”, përfundon, Haxhiu.

Duhanaj: Disa ligje duhet të jenë të përshtatura standardeve të kërkuara nga BE

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, u shpreh për “Bota sot”, që bazuar në synimet e deklaruara kombëtare për integrim në BE, projektligjet e pamiratuara nga legjislatura e kaluar, nëse kanë qenë në lexim në Kuvend, duhet të procedohen.

“Një legjislaturë e mirë, me përbërje kualitative, është e obliguar të sjellë ligje të mira për qytetarët dhe vendin. Natyrisht bazuar me synimet e deklaruara kombëtare për integrim në BE, disa ligje duhet të jenë të përshtatura standardeve të kërkuara nga BE. Tani, dihet mirëfilli që Kosova ka goxha deficit në aspektin kualitativ, për sa i përket përbërjes së Kuvendit. Projektligjet e pamiratuara nga legjislatura e kaluar, nëse kanë qenë në lexim në Kuvend, duhet të procedohen me tutje në komisionet parlamentare dhe prapë në Kuvend”, u shpreh, Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, tha që nëse e shohin të arsyeshme komisionet e reja të ndryshojnë ligjet atëherë duhet të bëjnë ndonjë plotësim apo ndryshim. Në këtë rast duhet të thirrej në përgjegjësi përbërja e komisionit përkatës.

“Nëse komisionet e reja, kanë përshtypjen që duhet të bëhet ndonjë plotësim ndryshim, atëherë ta bëjnë, por nuk mendoj që tash ligjet duhet nisur nga e para. Për ta bërë një gjë të tillë, projektligji do duhej të ishte totalisht i pazbatueshëm dhe pa asnjë standard. Në një rast të tillë, do duhet të thirrej në përgjegjësi përbërja e komisionit përkatës. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe ashtu bëhet shumë pak punë efektive dhe, nëse tash fillojmë në çdo ndërrim legjislature, t'i ndryshojmë rrënjësisht edhe punët e përfunduara apo të papërfunduara më parë, atëherë nuk besoj që do të lëvizim nga vendi”, përfundoi, Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat