Kjo ishte porosia e Apostolovës për qeveritarët tanë rreth vizave

Politika

Kjo ishte porosia e Apostolovës për qeveritarët tanë rreth vizave

Nga: D. B. Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 11:14
Nataliya Apostolova

Nuk ka kaluar shumë kohë që kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj dha premtimin e fundit për viza, që sipas tij do të liberalizohen në dhjetor.

Sidoqoftë, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova po thotë se ky është një proces i ndërlikuar, dhe se shteti duhet të bëjë më shumë përpjekje për sundim të ligjit, migrim dhe siguri. Premtime për viza dha shumë, deri tani, asnjëherë nuk ia qëlloi.

Analisti politik Ejup Berisha ka thënë për gazetën “Bota sot” se institucione të BE-së, vendosin në bazë të kritereve të përmbushura nga shtetet të cilat kërkojnë që të miratohet vendimi për dhënien e liberalizimit të vizave ndërsa kriteret janë të përcaktuara nga vetë institucionet e BE-së.

Image
Ejup Berisha

 

“Ish Kryeministri Haradinaj, ka mundur lirisht të kalkuloj me data se kur vendi do ta merr liberalizimin e vizave, por një gjë është evidente se te ne të gjithë bartësit e posteve më të larta shtetërore dhe kyçe të vendit, i kemi analfabet sepse ata asnjëherë nuk ja kanë qëlluar datave të proceseve pozitive të cilat i janë dashur shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Le të më korrigjon ndokush nga njohësit e rrethanave dhe realitetit politik në vendin tonë se kur Ish Kryeministri, Presidenti, ish Krye parlamentari apo ndonjë Zv/ Kryeministër apo dhe ndonjë ministër ka dal para opinionit që të kumtoj datën e saktë të ndonjë çështjeje të rëndësishme dhe pozitive që ka qenë e domosdoshme për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve të vendit. Por me përgjegjësi individuale, materiale dhe morale them asnjëherë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai ka thënë se këto figura të larta shtetërore gjithmonë kanë ditur të premtojnë shumë por të realizojnë shumë pak kanë realizuar.

“Mendoj se punët që më së shumti u kanë shkuar përdore atyre janë mashtrimi, manipulimi dhe të gënjyerit e qytetarëve këtu në këto çështje këta janë mjeshtër të kualifikuar ndërsa në të qëlluarit e datave se kur do të ndodhin proceset dhe projektet mese të nevojshme për të mirën e qytetarëve të vendit dhe për të mirën e shtetit përfaqësuesit më të lartë politik të RKS-së janë analfabet më të mëdhenj”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se në këtë kontekst vlen të theksohet se edhe ish Kryeministri Ramush Haradinaj ka manipuluar dhe e ka gënjyer opinionin dhe qytetarët e vendit duke mos ua thënë atyre të vërtetën absolute se Institucionet e vendit nuk kanë bërë punë të mjaftueshme për plotësimin e kushteve dhe detyrave të marra nga institucionet e BE-së për ta fituar çështjen e liberalizimit të vizave.

“Pra këta mund të na gënjejnë neve qytetarëve se kanë bërë shumë punë rreth marrjes së vendimit pozitiv nga BE për liberalizimin e vizave por nuk kanë mundur dhe nuk munden kurrë që ti gënjejnë Institucionet relevante të BE-së. E them këtë sepse këto të fundit gjithmonë e thonë të vërtetën, e jo gënjeshtrën ndërsa e vërteta për punët e bartësve të posteve më të larta të institucioneve shtetërore të RKS-së, është se këta nuk e luftojnë me efikasitet krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas saj, këta nuk kanë bërë asgjë për ta instaluar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë që përfshihen bashkë me termin sundim i ligjit apo nuk kanë siguruar funksionimin e shtetit juridik.

“Po ashtu edhe detyrimet e pakryera rreth migrimit janë një pengesë plus për marrjen e liberalizimit të vizave por edhe niveli i ulët i sigurisë në vend e ve kapakun për ta penguar marrjen e vendimit pozitiv për vizat. Kur i kemi të gjitha këto parasysh nuk ka rezultate prandaj nuk ka si dhe nuk do të ketë Liberalizim të vizave. A duhet të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës përgjigja saherë është absolutisht po dhe atë sa më shpejtë aq më mirë. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë procesin e lëvizjes së lirë dhe të papengueshëm nëpër shtetet te BE-së por këtë privilegj nuk mund ta gëzojnë për fajin e politikanëve të tyre të pa përgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm të cilët nuk punojnë asnjëherë si duhet dhe sa duhet rreth përmbushjes së kushteve dhe obligimeve për marrjen e vendimit pozitiv nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostollova ka plotësisht të drejtë në deklarimet e saja se institucionet tona duhet të bëjnë edhe më shumë punë dhe detyrime për ta marrë liberalizimin e vizave.

“Porosia e shefes e zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostollova duhet të jetë e qartë për të gjithë politikanët dhe institucionet shtetërore, se duhet të punohet dhe duhet angazhim maksimal për përmbushjen e kushteve dhe obligimeve të dhëna nga institucionet e BE-së për ta fituar procesin e liberalizimit të vizave. Porosia e saj indirekt është se politikanët duhet të premtojnë më pak por të punojnë më shumë për marrjen e përgjigjes pozitive për liberalizimin e vizave”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat