Merr epilog “Odisejada” e zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosova së shpejti me qeveri të re!

Politika

Merr epilog “Odisejada” e zgjedhjeve të 6 tetorit, Kosova së shpejti me qeveri të re!

Nga: N.H Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 17:14
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 6 tetor të këtij viti, për t’i dhënë epilog këtij procesi të tej zgjatur, sidomos pjesës së  administrimit të votave, e që la nën hije një proces zgjedhjesh që kishte filluar mirë, siç ishte dita e votimit ku nuk u raportua në ndonjë ekses serioz, për çka edhe u vlerësua, sidomos nga  ndërkombëtarët, si model për rajonin.

Por “modelit” do t’i dal “boja”,menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare nga administrimi i votës, që nxori LV-në të parën, LDK-në të dytën, PDK-në të tretën, AAK-në të katrën, e NISMA-n të pestën me një përqindje që nuk mund ta kalonte pragun prej 5 % për tu bërë pjesë e legjislaturës së re në Kuvend, u përcjellë me ankesa të shumta për vjedhje votash brenda listës së njëjtë të kandidatëve për deputet, kontestim të votave të ardhura me postë nga mërgata, votat e ardhura nga Serbia, inskenimi i helmimit të kutive me fletëvotime të ardhura nga Serbia nga ata që tashmë e kishin të vulosur humbjen (PAN-i), ankesat e shumta të subjekteve politike garuese në PZAP dhe në Gjykatën Supreme, vendimet e këtyre të fundit herë herë kontraverse, e deri të vendimi për rinumërim i 60 % i kutive të votimit, Të gjitha këto bënë që “Odisejada” e këtyre zgjedhjeve , të nxjerrë në pah problemin me sistemin zgjedhor dhe  nevojën imediate që ka vendi për reformën zgjedhore. E në anën tjetër, të metat e sistemit zgjedhor,  i krijuan hapësirë manipulimi partive humbëse të ish-koalicionit PAN, të cilat bënë gjithçka në tentimin e tyre dëshpërues për ta ndryshuar rezultatin apo edhe së paku për ta ngushtuar diferencën e partive të ish- bllokut opozitar, LV-së e cila doli e para si fituese e zgjedhjeve, pasuar nga LDK-ja si e dyta, parti këto të cilat do ta formojnë koalicionin e ardhshëm për ta qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme, bazuar edhe në deklaratat e fundit nga zyrtar të këtyre partive. Qëllimi i bllokut “Panist”, sidomos përmes ankesave të NISMA-s, ishte krijimi i vonesave për certifikimin të zgjedhjeve, e më këtë edhe vonesën e arritjes së marrëveshjes në mes LV-së dhe LDK-së. Kjo periudhë që nga 6 tetori e deri më sot, nga partitë e PAN-it u shfrytëzua në maksimum, për punësime, emërime të militantëve partiak në institucionet e vendit, si në misione diplomatike, ministri të ndryshme, e deri te nënshkrimi i marrëveshjeve gjoja për  lobimi siç ishte ajo në ministrinë e punëve të jashtme me një organizatë amerikane, e deri te rasti më eklatant i emërimit të shefit të AKI-së nga kryeministri në shkuarje Haradinaj në kordinim me presidentin Thaçi, duke sfiduar hapur kryeministrin në ardhje z. Kurti, emërim ky që mund të jetë edhe burim konflikti në mes institucionit të presidentit dhe qeverisë së re.

Pra sot edhe zyrtarisht, iu dha vula fituesit të zgjedhjeve LV-së dhe obligimi për formimin e qeverisë së koalicionit së bashku me LDK-në si e dyta.  PDK-ja që e dominoi për më shumë se një dekadë skenën politike në Kosovë, u “certifikua” si parti opozitare, AAK-ja ashtu siç ishte, një parti rajonale, pa ndonjë “nafakë” më që ndonjëherë lideri i saj Ramush Haradinaj mund të bëhet kryeministër, mbase sot është dita më e dhimbshme për të. Koalicioni NISMA-AKR-PD, që më së shumti u identifikua më NISMA-n dhe Fatmir Limajn, për fije të perit kaloi “pragun”, që si rrallë herë  këto parti politike, të vogla që më shumë duken si “dugaja”  për liderët e tyre, kishin vëmendjen e opinionit, për faktin se futja e tyre në Kuvend, ndikonte në zvogëlimin e numërit të  deputetëve të partisë fituese LVV-së nga 32 në 29, por edhe si një “Kal Troje” për PDK-në, që përmes NISMA-s të tentoj t’i prishë llogaritë e dy partive të para LV-së dhe LDK-së në formimin e koalicionit qeveritar. Asgjë e re sa i përket përfaqshmit të  minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, serbët përmes Listës serbe do të vazhdojnë të përfaqësohen me 10 deputetë ndërsa ato jo serbe po ashtu me 10.

Dhe tani “topi është në fushën” e partive fituese të këtyre zgjedhjeve, LV-së dhe LDK-së të cilat pa humbur kohë, ashtu siç edhe kanë premtuar duhet të reflektojnë me shpejtësi e “dritës” për të arritur marrëveshjen e bashkëqeverisjes, për t’i dhënë vendit institucione me kredibilitet politik dhe tashmë edhe të konfirmuara me legjitimitet qytetar, për ta nderprerë këtë periudhë të vakuumit institucional pasojat e së cilës do t’i ndjejnë që në ditët e para të qeverisë së re, më të cilat do të ballafaqohen për një periudhë të gjatë në vazhdim. Çdo vonesë në këtë drejtim është humbje për Kosovën, dhe në anën tjetër do t’iu shkojë përshtati vetëm presidenti Thaçi dhe partive të ish bllokut qeverisë PAN, për t’i vazhduar keqpërdorimet financiare dhe të formave të tjera në institucionet e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat