Vetëvendosje: E hëna duhet të na gjejë me marrëveshje koalicioni

Politika

Vetëvendosje: E hëna duhet të na gjejë me marrëveshje koalicioni

Nga: G.B Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 19:03
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, VV ka falënderuar votuesit, derisa ka thënë se do të kenë 30 deputetë, duke u bërë kështu grupi më i madh parlamentar në Kuvend, përcjell Bota sot.

Nga kjo parti kanë thënë se e hëna duhet t’i gjejë me marrëveshje koalicioni.

“Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës”, shkruan në njoftimin e VV-së.

Postimi i plotë në Facebook:

U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë.

Falënderojmë të gjithë votuesit për besimin te ne, shprehur në 6 tetor. Mirënjohje edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati kaq shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas.

Grupi ynë parlamentar do të jetë më i madhi, me 30 deputetë. 29 prej tyre vijnë nga lista e Lëvizjes, 1 nga IRDK që na u bashkua rishtas.

Në grupin tonë parlamentar do të jenë 10 deputete, të cilat e kanë fituar që të gjitha mandatin e tyre pa ndihmën e kuotave gjinore, dhe kjo është hera e parë që ndodh kësisoj me një grup parlamentar në Kosovë.

Këto zgjedhje janë karakterizuar nga gara e kandidatëve për kryeministra, si kurrë më parë. Këtë garë e ka fituar Albin Kurti. Madje për herë të dytë. Në vitin 2017 Albin Kurti ka marrë 143.621 vota, ndërsa kësaj radhe është votuar nga 183.952 persona, duke u bërë përfaqësuesi politik më i votuar në Kosovë qysh prej kur ka filluar aplikimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura.

Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës.

Populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat