Emërimet e Gashit dhe Ramadanit, abuzimet e fundit të Haradinajt e Thaçit me pushtetin

Politika

Emërimet e Gashit dhe Ramadanit, abuzimet e fundit të Haradinajt e Thaçit me pushtetin

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 27 nëntor 2019 Në ora: 21:18
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

Të hënën, kryeministri në ikje Ramush Haradinaj si dhe Presidenti aktual Hashim Thaçi, kanë emëruar dy persona në poste shumë të rëndësishme në Agjencinë e Inteligjencës, AKI.

Kështu bëri të ditur vet kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, i cili nëpërmjet një postimi deklaroi se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në bashkërëndim me Presidentit, ka emëruar Kreshnik Gashin në postin e Drejtorit të AKI-së, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

“Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, deklaroi Haradinaj.

Ky vendim i kryeministrit në ikje, ka zgjuar reagime të shumta.

Miftaraj: Emërimet shkelin Kushtetutën e Kosovës

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se emërimet e sotme kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Agjencinë për Inteligjencë, që taksativisht ndalon emërimin e personave politik.

Image
Ehat Miftaraj

“Emërimet e sotme shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Agjencinë për Inteligjencë, që taksativisht ndalohet emërimi i personave politik në AKI.  Emërimet po ashtu nuk kanë legjitimitet pasi bëhen nga një Kryeministër në dorëheqje, në kohën kur pritet shumë shpejtë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re”, tha Miftaraj.

Tutje, Miftaraj, theksoi se fatkeqësisht, kjo qeveri në ikje nuk ka të ndalur me skandale dhe emërime politike në institucione të rëndësisë së veçantë për sigurinë e Republikës së Kosovës.

Dauti tregon qëllimin e Thaçit dhe Haradinajt me këto emërime

Edhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit dhe publicist i njohur Daut Dauti, nëpërmjet një deklarate për “Bota sot”, ka thënë se ky kryeministër dhe president janë duke vazhduar që t’i sistemojnë njerëzit e tyre në pozicione të rëndësishme.

Sipas tij, ata po synojnë t’i dërgojnë njerëzit e tyre nëpër institucionet më në zë të shtetit.

Image
Daut Dauti

“Me këtë, ata synojnë ta forcojnë pushtetin e vet personal dhe të dy partive të tyre. Të gjithë e dimë se qeveria e cila është duke ia lëshuar vendin qeverisë së re nuk duhet që gjatë kësaj faze të merr vendime të këtilla. Këto janë vendime të cilat me siguri i anulon qeveria e re. Por, kryeministri në largim dhe presidenti do ta shfrytëzojnë këtë rast për ta akuzuar qeverinë e re për shkak se po i largon njerëzit nga funksionet për t’i zëvendësuar me të vetët”, tha ai.

Muja: Harardinaj nuk gëzon kompetenca ekzekutive pas dorëheqjes

Një reagim tjetër, erdhi edhe nga publicisti Armend Muja, i cili në Facebook, u shpreh se emërimet  në AKI nga Thaçi e Haradinaj, të jashtëligjshme.

Muja, ka thënë se emërimet në AKI nga Thaçi e Haradinaj janë të jashtëligjshme dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, Kushtetuta parasheh që Kryeministri së bashku me Presidentin emërojnë Drejtor dhe Inspektor të AKI-së, por meqë Haradinaj nuk është më Kryeministër i Kosovës, ky veprim është i jashtëligjshëm.

“AKI: sot është dhënë lajmi që ish- Kryeministri dhe Presidenti kanë emëruar Drejtorin dhe Inspektorin e AKI-së. Këto nominime janë të gabuara për tri arsye: (1) janë të kundërligjshme, (2) nuk përfaqësojnë realitetin politik dhe (3) kandidaturat janë politike”, ka thënë Muja.

Më tej, Muja, theksoi se Kushtetuta e Kosovës (Neni 94.? parasheh që Kryeministri së bashku me Presidentin emërojnë Drejtorin dhe Inspektorin e AKI-së. Megjithatë, sipas tij, Haradinaj nuk është Kryeministër i Kosoves.

“Ai është ish-Kryeminister që ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Neni 95.5 i Kushtetues e definon shumë qartë se në rast të dorëheqjes së Kryeministrit, Qeveria bie. Gjykata Kushtetuese në rastin Qeska e ka definuar qartë që dorëheqja nënkupton që personi i autorizuar qeveritar nuk gëzon kompetenca të mëtutjeshme ekzekutive”, tha Muja.

Murati: Nuk emërohen bre njerëz politik ne institucione si AKI

Reagoi edhe Artan Murati nga shoqëria civile pas emërimit të Kreshnik Gashit në krye të AKI-së.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se nuk duhet të emërohen njerëz politik në institucione si AKI, përcjell Bota sot.

Murati madje e ka quajtur shtet tallava Kosovën.

“Me rëndesi “u ndal shkëmbimi i territoreve”. Për që të zhvatet shteti, e nuk ngopen para të taksapaguesve, e që politizohet secili institucion, madje edhe siguria kombëtare, pikë lidhje s`ka. Nuk emërohen bre njerëz politik ne institucione si AKI. Shtet tallava.

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje

Në një reagim për medie, Lëvizja Vetëvendosje emërimin e drejtorit dhe inspektorit të ri të AKI-së e ka quajtur pazar të ri të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në largim Ramush Haradinaj.

Emërimi i tyre në këto poste ka zgjuar reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila një gjë të tillë e ka quajtur antikushtetuese dhe politike.

“Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin. Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s'mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s'mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike”, thuhet në reagim.

“I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t'i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet më tej në reagim.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron se pas konstituimit të institucioneve vendimi për emërimin e këtyre dy zyrtarëve në krye të AKI-së do të adresohet si shkelje e rëndë e paprecedent.

“Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues”, përfundon reagimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat