Më shumë përkujtim sesa festë

Politika

Më shumë përkujtim sesa festë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 nëntor 2019 Në ora: 09:25
Foto ilustrim

Këtë vit Republika e Shqipërisë shënon 107 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Me shumë sfida e suksese, po shënohet edhe një përvjetor.

Sa i përket Shqipërisë këtë përvjetor në fushën e integrimeve, ajo nuk fitoi çeljen e negociatave as këtë vit.

Në tetor, ministrat e Jashtëm të BE-së në Luksemburg, nuk arritën që të kishin unitet për çeljen e negociatave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Vendimi për dy vendet përçau edhe vetë unionin, pasi pjesa dërrmuese e vendeve të BE-së ishin pro hapjes së dritës jeshile, por Franca ishte kundër duke kërkuar më parë që familja Evropiane të reformohet përpara se të zgjedhoret, ndërsa Holanda kërkuar ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia.

Për këtë dhe si e gjeti Shqipërinë ky përvjetor, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Bytyçi: Në Shqipëri po ndodhë një eksod

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Ai thotë se këtë vit më shumë do ta kujtojnë pavarësinë, se sa që do ta festojnë, e për këtë tregon arsyet.

“Shqiptarët të enjten do të përkujtojnë 107 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Kjo datë shënon ngjarjen më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve dhe vlerësohet si akt i barabartë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Si shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, edhe në vitin 2008 për Kosovën, kemi një akt kombëtar të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar. Në të dy rastet shpallja e pavarësisë ishte vullnet i qytetarëve dhe banorëve në territoret shqiptare të Ballkanit Perëndimor në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Këtë vit shqiptarët më shumë do ta përkujtojnë festën e pavarësisë, se sa do ta festojnë atë. Kjo për shkak se qeveria e Tiranës është shndërruar një qeveri tiranësh për popullin e saj dhe nocionet e kriteret mbi bazën e të cilave është shpallur pavarësia e Shqipërisë po rrënohen”, ka thënë profesori.

Bytyçi thotë se në Shqipëri po ndodhë eksod, shqiptarët kërkojnë azil, e për kryeministrin e Shqipërisë territori është malli më i lirë i tij.

“Le ta konkretizojmë: Shpallja e pavarësisë është bërë bazuar në popullsinë kompakte të faktorit shqiptar në një territor të caktuar. Qeveria e Shqipërisë ka shkaktuar në kushte paqeje në këto 7 vite një eksod prej qindra mijë shqiptarë. Shqipëria në grafikun e eksodit dhe kërkesave për azil është e para, 44 përqind e popullsisë në dhjetë vitet e fundit, ndërkohë që vendet fqinjë janë 5 herë më mirë në këtë aspekt. Eksodin e shkaktojnë zakonisht pushtuesit. Por ja që po e shkakton në Shqipëri keqqeverisja e Rilindjes. Shpallja e pavarësisë u bazua si në Shqipëri edhe në Kosovë në integritetin territorial. Për kryeministrin e Shqipërisë së sotme territori është malli më i lirë i tij. Mjafton që ai të besojë se duhen ndryshuar kufijtë në dobi të armiqve të Shqipërisë dhe gjithçka mund të bëhet sipas vullnetit të këtij kryeministri. Cenimi i integritetit territorial ose pakësimi i popullsisë për shkak të keqqeverisjes janë faktorë të mjaftueshëm që festa e 107 vjetorit të pavarësisë së vendit të kalojë pa entuziazëm ndër shqiptarët”, ka vlerësuar ai.

“Ky vit shënon rekorde zhgënjimi”

Sipas tij, qytetarët presin shumë çdo vit të festës, por që ky vit shënon rekorde zhgënjimi për shqiptarët, me varfëri të madhe dhe pritshmëria për integrim nuk u realizua.

“Ndërsa pritshmëritë për prosperitetin e vendit në çdo vit të festës së pavarësisë rriten, ky vit shënon rekorde zhgënjimi për qytetarët shqiptarë. Ata u zhgënjyen nga premtimet për rritjen e mirëqenies, për rritjen e pagave dhe pensioneve, për rritjen e nivelit ekonomik e të kujdesit social. Varfëria është rritur. Investimet e huaja kanë rënë në nivelin zero, aq sa Shqipëria radhitet në vendet e fundit në botë. Korrupsioni e çon Shqipërinë në vendin e tretë nga fundi në planetin tonë. Pritshmëria për integrimin nuk u realizua për të tretin vit radhazi”, është shprehur Enver Bytyçi.

Profesori thotë se politika e qeverisë së rilindjes në Shqipërinë e sotme nuk ka sjellë asgjë të dobishme dhe nuk ka realizuar asnjë premtim në marrëdhëniet me Kosovën, derisa ka ngritur kufij të rinj, derisa Ramaështë bërë palë me Serbinë kundër Kosovës.

“Asgjë nuk ka sjellë të dobishme politika e qeverisë së rilindjes në Shqipërinë e sotme. As në marrëdhëniet me Kosovën nuk ka realizuar asnjë premtim, përkundrazi ka ngrit kufij dhe trarë të rinj, të cilët i ndajnë Kosovën dhe Shqipërinë. Në raportet me Kosovën kjo qeveria dhe kryeministri Rama do të mbahen mend si qeveria dhe kryeministri i parë shqiptar, i cili është bërë palë me Serbinë dhe qeverinë serbe kundër Kosovës. Për herë të parë në historinë e festimeve të shpalljes së pavarësisë, kemi një kryeministër që sillet me arrogancën më të ashpër me institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre. Para dy ditësh i quajti ata “patriotë me pizhame”, duke dëshmuar kësisoj se i takon një detashmenti që punon me zell për interesat e Serbisë. Kjo sepse atë që nuk ka mundur ta bëjë së paku publikisht me Kosovën Beogradi, po e bën me përkushtim kryeministri i Shqipërisë. Ai e akuzoi Prishtinën për “vetizolim”, ndërkohë që këtë nuk e thotë as Aleksandër Vuçiq”, ka theksuar ai.

Shqipëria e përçarë

Më tej, ai vlerëson se ky përvjetor Shqipërinë e gjen të përçarë, ku kryeministri tenton ta bëjë shtet policor atë.

“Shqipëria vjen në këtë 107 vjetor të shpalljes së pavarësisë më e përçarë se në dhjetëvjeçarin e dytë e të tretë të shekullit të kaluar. Kjo falë një lufte të shpallur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kundër të gjithë kundërshtarëve të tij dhe përpjekjeve të tij për ta shndërruar Shqipërinë në një shtet policor. Ai prej shumë kohësh është në konflikt me opozitën shqiptare. Këto kohë është në konflikt të hapur me institucionin e presidentit të vendit. Ka probleme dhe marrëdhënie konfliktuale me kryeministrin në detyrë të Kosovës e me sa duket edhe me kryeministrin në ardhje të saj. Ka konflikt të hapur me shumicën dërmuese të klasës politike në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Dhe sikur të ndodhte kjo për shkak të energjisë pozitive për zhvillimin e vendit, kjo do të ishte gjysma e së keqes”, është shprehur më tej profesori.

Për këto dhe shumë arsye tjera, ai thotë se nuk sheh mundësi që shqiptarët ta gëzojnë dhe festojnë 107 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

“Konflikti i Edi Ramës me kundërshtarët është strategji përçarjeje pushtuesish për sundim. Sepse asnjë tregues i qeverisjes së tij nuk dëshmon për prosperitet, përveçse për dështim të plotë të saj. Ndërkaq miqësitë e kryeministrit të Tiranës me udhëheqësit serbë të Beogradit si dhe me eksponentë të shumtë të krimit dhe trafikut në Shqipëri dëshmojnë se armiqësitë e Edi Ramës me politikanët shqiptarë kanë si burim egon dhe ambicien e tij për t’u shndërruar në një monark të modelit të shekullit 17-të në Evropë. Për të gjitha këto arsye dhe për të tjera si këto, shqiptarët në Shqipëri nuk shohin asnjë mundësi që ta gëzojnë dhe festojnë 107 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të ditës së bekuar, e cila hapi rrugën e shtetësisë të shqiptarëve”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Shahu: Pothuajse edhe qeveria është dhënë me koncesion tek oligarkët

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, ish gazetari dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se ky përvjetor e gjen Shqipërinë më keq se 100 vjetori, ku demokracia nuk vonon, shteti është i kapur nga krimi, vendi nuk i plotëson kushtet për integrim.

“107 vjetori i pavarësisë Shqipërinë e gjen më keq se në 100 vjetorin e saj. Demokracia nuk funksionon, shteti është i kapur nga krimi dhe oligarkia me leje të qeverisë, vendi nuk plotëson kushtet për integrim sepse qeveria nuk e ka aspiratë, do të qeverisë pa kontroll evropian”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, kryeministri synon ta ketë nën thundër drejtësinë e shteti është dhënë me koncesion.

“Kryeministri aktual është kryeministër më pak se çdo ish kryeministër tjetër që ka pasur Shqipëria, ai është mes artistit të parealizuar dhe shtetarit të pamundur. Vendi është dhënë me koncesione dhe mbi 3 miliardë dollarë i marrin koncesionet që do të vazhdojnë tri dekada.Pothuajse edhe qeveria është dhënë me koncesion tek oligarkët që diktojnëçdo gjë, që bëjnë ligje në favor të tyre. Kryeministri synon ta ketë nën thundër drejtësinë pasi ka frikë që kur të mos jetë në pushtet të mos hetohet”, ka vlerësuar ai.

Ai thotë se në këtë përvjetor, Shqipëria arriti të bëhet vendi më prodhues i drogave në rajon, vendi nuk pranon në BE e kryeministri si Enveri fajëson të huajt.

“Në 107 vjetorin e vet Shqipëria arriti të bëhet vendi me prodhues i transportues i drogave në rajon me mbështetje qeveritare, vendi ku droga transportohet me avion. Nuk pranohet vendi në BE dhe kryeministri si Enveri dikur fajëson të huajt, armiqtë e jashtëm të vendit”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat