Komunikatat!

Politika

Komunikatat!

Nga: Nexhat Haziri Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 16:17
Emblema e UÇK-së

Komunikatat  UÇK-së nuk ishin shkruar nga “banhofet” e Gjermanisë, siç pretendonte presidenti Hashim Thaçi, dikur ish-drejtori politik i UÇK-së dhe anëtar i SHP i UÇK-së, në një deklaratë të tij dhënë nën ethe nga Gjykata Speciale, por nga SHP i UÇK-së, që përbëhej në atë koha nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Sokol Bashota.

Njëra nga komunikatat që është përfolur më së shumti në opinion, ajo me nr “59”, është shkruar nga vet dora e tij. Këtë e ka pohuar në një paraqitje televizive,  vet ish-anëtari i SHP të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-ministri i Rendit Publik në QPK-në e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Në komunikatën me numër 59 e lëshuar në kohën e luftës, ndër të tjera thuhej: “Abedin Rexha u vra nga kolaboracionisti me damkë Gani Geci, i lindur në Llaushë, i cili edhe më herët e edhe gjatë ofensivës së fundit serbe, është parë i maskuar duke i prirë policisë serbe në masakrat që u kryen mbi popullin civil të Drenicës”. Përmbajtja e komunikatës bënte thirrje për vrasjen e Gani Gecit, e cila mbante firmën e SHP të UÇK- së.

Se komunikatat nuk janë shkruar nga “banhofet” dhe njerëzit që gjoja kanë dashur që ta përçajnë UÇK-në, siç tenton t’i ikë përgjegjësisë ish-drejtori politik i SHP të UÇK-së, Hashim Thaçi, por nga njerëzit që quheshin si SHP i UÇK-së dhe të vet deklaruar si bartës të luftës, e ka pohuar edhe njëri nga ish-komandantët Fatmir Limaj,në rastin e tij gjyqësor si i akuzuar për rastin që ka të bëj  me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, me datë 02 tetor 1998. Edhe me këtë rast në vendin e vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ishte lënë një letër në formë “komunikate”, më anë të së cilës viktimat i konsideronin se bashkëpunëtorë të armikut. Ndërsa e vërteta është siç kanë dëshmuar bashkëfshatarët dhe bashkëkohanikët e viktimave, se dy të vrarit, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi, ishin njerëz të ndershëm dhe aktivist të LDK-së.

Po ashtu, nëse u referohesh të gjitha komunikatave të lëshuar nga SHP i UÇK-së në kohën e luftës, të botuara edhe në librin e avokatit Gafurr Elshani”  Ushtria çlirimtare e Kosovës. Dokumente dhe artikuj,” përmbajtja në 80% të tyre, janë thirrje kundër LDK-së dhe kundër politikës që udhëhiqej në atë kohë nga presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një gjuhë kërcënuese,linçuese që bënin thirrje të hapur për dhunë dhe vrasje, e deri të shpallja e presidenti Rugova si kolaboracionist i cili duhet dënuar me vrasje. Përmbajtja e këtyre komunikatave dhe qëllimi i tyre në kohën kur janë shkruar, vërteton atë se vrasja e aktivistëve të LDK-së gjate luftës është bërë me urdhër të SHP të UÇK-së, si dhe kanë qenë burim frymëzimi edhe për vrasjet politike, si mjet për dëmtimin dhe frikësimin e kundërshtarit politik në rrugën e realizimit të ambicieve për pushtet të ish-komandantëve të UÇK-së.

Dhe tani kurë këto komunikata janë objekt hetimi nga Gjykata Speciale për të hetuar vrasjet e aktivistëve të LDK-së, disa nga ish-komandantët, për habinë e shumëkujt, në përpjekje për të ikë nga përgjegjësia bëhen sikur kurrë nuk kanë dëgjuar për këto komunikata, as edhe ata që ishin anëtar të SHP të UÇK-së, si puna e Rexhep Selimit, që vetëm tani gjoja ka filluar t’i lexojë, pasi që është ftuar si i dyshuar për një rast që ka të bëjë me periudhën e luftës të vitit 1998. Disa, sot edhe shfaqin kundërshtimin me përmbajtjen e komunikatave, por në kohën e lëshimit të tyre, nuk mund të gjesh as edhe një rast të jenë kundërshtuar, nga ndonjë anëtar i SHP të UÇK, apo komandant zone, përveç komunikatës nr “59”, e cila ishte kundërshtuar nga ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës,Sami Lushtaku

Pra, komunikatat e UÇK-së të lëshuara në kohën e luftës nuk ishin shkruar e as lëshuar nga “banhofet”, por nga “Gjarpni”, “Luli”, “Dhjetëshi”, “Daja”, “Zeka”, “Njëmbëdhjetëshi”, të cilët do të përballën me Gjykatën Speciale, por pa këto pseudonime , me emrat dhe mbiemrat e tyre të vërtëtë, pas të cilëve qëndrojnë komunikatat e përgjakura, bashkë me përgjegjësinë e tyre për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, mëkati i vetëm i të cilëve ishte, aktiviteti në LDK dhe përkrahja e politikës së presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat