107 vjet nga shpallja e pavarësisë, Shqipëria nën ethet e pasojave të tërmetit

Politika

107 vjet nga shpallja e pavarësisë, Shqipëria nën ethet e pasojave të tërmetit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 nëntor 2019 Në ora: 11:59
Shqipëri

Nëntori i kuq, nëntori i shqiponjave, flamujve, këngës dhe valles, kësaj radhë e gjeti Shqipërinë dhe Kosovën në vaj e lot. Tërmeti që ndodhi dy ditë më parë në Shqipëri, zbehu festën që po e prisnin me padurim, të gjithë shqiptarët anembanë botës, sepse fatkeqësisht ajo u shndërrua në tragjedi.

Mehazi: Kjo përçarje e elitës politike ka pikëlluar pa masë shqiptarët sa që kanë humbur shpresat e bashkimit

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se sikur shqiptarët të mblidhnin mendjen, zemrën e dashurinë tog, do bëheshin të parët e Ballkanit, po kjo nuk ndodhi e nuk ndodh me shekuj jo për shkak popullatës shqiptare, po për shkak kokave karrieriste të sëmura politike.

Image
Sulejman Mehazi

Ai ka thënë se për bashkimin kombëtar çdo herë fajtorë kanë qenë politikanët e prishur moralisht e kombëtarisht.

“Edhe sot e kësaj dite elitës politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni s'ua ndien fare për bashkimin kombëtar. Kjo përçarje e elitës politike ka pikëlluar pa masë shqiptarët sa që kanë humbur shpresat e bashkimit. Në Shqipëri, bajraktarizmin do ta mbajë Edi Rama, në Maqedoni, Ali Ahmeti, mu kur fitorja e Albin Kurtit na dha pak shpresë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në moment, Edi Rama i Shqipërisë e Ali Ahmeti i Maqedonisë ia japin grushtin e jo-së politike për bashkim Albin Kurtit me anë të mini-shengenit me Serbinë”, ka thënë profesor Mehazi.

Sipas tij, që 107 vjetorin e pavarësisë në vend që ta festojmë së bashku ne ende jemi të përçarë, të Kosovës festojnë pavarësinë e tyre, të Maqedonisë Veriore pavarësinë e tyre, vetëm një e treta e popullatës shqiptare festojnë 28 Nëntorin zyrtarisht, kurse dy e treta privatisht e vullnetarisht.

“Tërmeti në Shqipëri, siç shihet, na ka bashkuar si kurrë më parë me rastin e 28 nëntorit, si duket neve vetëm tragjeditë na bashkojnë shpirtërisht, emocionalisht, fizikisht për ndryshe gjatë paqes hahemi, rrihemi, pritemi, vritemi për karrierë e kurrë nuk bëhemi një. 28 Nëntori i tërmeteve në Shqipëri le të jetë për ne, jo plotë urimësi, po shumë dashuri, jo gojë ëmbëlsi po zemër bardhësi”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Shahu: Tërmeti i 26 nëntorit, ia zbehu shkëlqimin çdo feste

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka deklaruar se fatkeqësia natyrore, tërmeti i 26 nëntorit, që goditi Shqipërinë, ia zbehu shkëlqimin çdo feste bashkë me gëzimin për ta festuar 107 vjetorin e pavarësisë së vendit.

Së këndejmi, sipas tij, Pavarësia e Shqipërisë është më e vështira, më e paplota sepse vetëm një pjesë e Vilajeteve të shqiptarëve u pavarësuan me 28 nëntor 1912.

“Shqiptarët veç armiqve, janë dënuar me fatkeqësinë e të pasurit jo në nivel të duhur edhe në histori figurat politike, që në rastet më të shumta nuk kanë qenë në nivelin e duhur të patriotizmit. Politikanët shqiptarë në gjithë hapësirat shqiptare rrallë herë janë treguar burra shteti, por kanë synuar interesa personale, dhe kanë pasur agjenda të ngushta individuale e jo kombëtare”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Ai konsideron se Kosova, shteti i dytë i shqiptarëve në botë është arritja më e madhe e shqiptarëve, por ajo u rrezikua nga politikanë inferior që synuan të pajtohen me Beogradin duke lëshuar pjesë Kosove”, ka thënë analistin politik Rexhep Shahu.

“Mendoj se 28 nëntori i vitit 2019, ose 107 vjetori i Pavarësisë së asaj cope Shqipërie, nuk mund të bëhet me propagandë edhe pse qeveria aktuale është qeveri propagande sepse ende ka viktima të tërmetit të pagjetur. Dihet se ende nuk janë rehatuar të vdekurit e tërmetit të 26 nëntorit 2019”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Krosi: Shëmbëlltyra jonë humane në vepër dëshmon se populli shqiptar është i përkushtuar në realizimin e synimit të bashkimit në një shtet

Image
Ismet Krosi

Nga ana tjetër, historiani dhe profesori Ismet Krosi ka thënë për “ Bota sot” se në 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kësaj here shënohet në rrethana të jashtëzakonshme nga fatkeqësia e tërmetit.

“Në radhë të parë ngushëllime për familjarët që humbën më të dashurit nga tërmeti që mori mbi 30 jetë dhe shkatërroi shumëçka në ato zona. Në vend të përgjigjeve të redaksisë suaj, është e drejtë morale në fatkeqësinë kombëtare të tërmetit që në vigjilje të 28 Nëntorit të nxjerrim një mësim historik se jemi një popull që në kohë të vështira siç edhe e kemi dëshmuar në historinë tonë, edhe kësaj here dëshmojmë se shpirti dhe zemra e kombit tone janë më shumë seç mund ta përshkruajmë, pra vlerat humane dhe solidariteti ynë i tejkaloi kufirit administrativ të ndarjeve në shtetet ku kufizohemi me Shqipërinë që nga 1913 e këndej. Besoj, se shëmbëlltyra jonë humane në vepër dëshmojmë se populli shqiptar është dhe mbetet i përkushtuar në realizimin e synimit të bashkimit në një shtet”, ka thënë historiani Ismet Krosi.

Ai ka thënë se, kësaj here ia vlente që në këtë formë të shkurtër të përgjigjem pasi tërmeti në Shqipëri sikur ka zgjuar nga agonia dhe përditshmëria e politikave të ulëta fisnore, klanore dhe të tabaneve siç janë e majta, e qendrës, e djathta, por Shqipëria është epiqendra jonë prej nga edhe moralisht ngirtemi dhe synojmë bashkimin.

“Kësaj here ia vlente që në këtë formë të shkurtër të përgjigjem pasi tërmeti në Shqipëri sikur na ka zgjuar nga agonia dhe përditshmëria e politikave të ulëta fisnore, klanore dhe të tabanëve siç janë e majta, e qendrës, e djathta, por Shqipëria është epiqendra jonë prej nga edhe moralisht ngritemi dhe synojmë bashkimin”, ka thënë historian Krosi.

Sipas tij, në radhë të parë ngushëllime për familjarët që humbën më të dashurit nga tërmeti që mori mbi 30 jetë dhe shkatërroi shumëçka në ato zona.

“Është e drejtë morale në fatkeqësinë kombëtare të tërmetit që në vigjilje të 28 Nëntorit të nxjerrim një mësim historik se jemi një popull që në kohë të vështira siç edhe e kemi dëshmuar në historinë tonë, edhe kësaj here dëshmojmë se shpirti dhe zemra e kombit tonë janë më shumë seç mund ta përshkruajmë, pra vlerat humane dhe solidariteti ynë i tejkaloi kufijtë administrativ të ndarjeve në shtetet ku kufizohemi me Shqipërinë që nga 1913 e këndej. Besoj, se shëmbëlltyra jonë humane në vepër dëshmojmë se populli shqiptar është dhe mbetet i përkushtuar në realizimin e synimit të bashkimit në një shtet”, ka thënë historian Ismet Krosi.

Duhanaj: Shqiptarët kishin me qenë faktor kyç në Ballkan

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj, ka pohuar se nëse shqiptarët, do ta vazhdonin procesin e konsolidimit kombëtarë sipas normave idealiste do të ishin faktorë kyç në Ballkan, madje edhe përkundër faktit që dolëm të fundit nga zgjedha osmane.

“Problemi kryesor i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet mungesa e vizionit të çartë rreth përkatësisë dhe orientimit të tyre. Ne ënde kemi mbetur të ndarë në bindjet e orientimit mes lindjes dhe perëndimit. Kjo paaftësi për t'u orientuar çartë i bën shqiptarët jo partner serioz dhe të pasigurt për të tjerët. Problemi tjetër është vazhdimësi dhe pasojë i të parit, ku ndër shqiptar vazhdimisht kanë pasur ndikim shumë agjentura të huaja. I kanë përçarë vazhdimisht dhe kanë ndikuar që në vend të bashkëpunimit të kemi ndarje e përçarje”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Sipas tij, pasojë e kësaj ishte edhe komunizmi, posaçërisht në Shqipëri ku nën ndikimin e partisë komuniste serbo-ruse shqiptarët e shkatërruan pothuaj tërësisht inteligjencën e tyre duke, duke i vrarë e persekutuar nëpër burgje.

“Kosova pas luftës u shndërrua në oazë të krimit ekonomik, qoftë nga klasa politike vendore, qoftë edhe nga ndërkombëtarët. Po, 28 nëntori, duhet festuar gjithandej ku ka shqiptarë, sepse është festa e flamurit kombëtarë dhe, asnjëherë nuk guxon të zbehet. Shqiptarët, duhet t'i lënë anash inatet dhe posaçërisht mentalitetin përçarës mes tyre dhe, të këndellen, të konsolidohen në mënyrë që ta marrim dhe ta gëzojmë atë çfarë na takon”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat