Paralajmërohen LDK dhe Vetëvendosjen, keni kujdes nga ...

Politika

Paralajmërohen LDK dhe Vetëvendosjen, keni kujdes nga ...

Nga: V.R Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 21:30
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Në takimin e së premtës të zyrtarëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, u bë e ditur se, krijimi i qeverisë së re, tashmë është gati.

Por ajo që duhet patur kujdes në këtë situatë, sipas politologut Enver Bytycit, është loja intrige e PDK-së dhe partive të tjera nga PAN-i, apo siç shprehët politologu, komandantët.

“Fituesit e zgjedhjeve të 6 tetorit janë dy partitë opozitare, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Vetëvendosja është opozitarja tipike, gati dhjetëvjeçare, ndërsa LDK është opozitare atipike, sepse ka pak vite në opozitë. Vota për opozitën ishte votë për ndryshimin. Shpresoj shumë që të mos jetë votë për zhgënjimin, siç ndodhi në Shqipëri me votimet e verës së vitit 2013”, tha ai.

Sipas tij, që kjo votë të jetë për ndryshimin, atëherë duhet që qeveria dhe qeverisja e re të sillet krejt ndryshe nga qeveritë e komandantëve.

“Teorikisht duket se Vetëvendosja është e përkushtuar për këtë ndryshim të madh. Ndërsa Lidhja demokratike, me përvojë në qeverisje, e ka më të lehtë t’i shmanget gabimeve që çojnë në zhgënjim. Për këtë qëllim së pari me rëndësi është programi i qeverisjes. Pjesa teknike e këtij programi ka përfunduar me konsensusin e të dy palëve. Pjesa politike duhet të përfundojë shumë shpejt”, tha Bytyçi.

 

Më tej, Bytyçi, theksoi se çertifikimi i rezultateve kërkon që dy aleatët e koalicionit të nxitojnë. Sipas zotit Kurti shumica e kërkuar është arritur. Dhe ky është kusht për mandatimin e tij për kryeministër të Kosovës. Por duhen zgjidh edhe disa çeshtje politike të programit si dhe njerëzit të cilët do ta zbatojnë gjithë këtë program. Sa më shpejt, aq më mirë.

“Rrugëtimi i këtyre dy partive do të jetë i suksesshëm, nëse realizohet programi politik bazuar në premtimet elektorale. Këto janë suksesi në dialogun me Beogradin. Më pas vjen lufta kundër korrupsionit dhe rritja e nivelit ekonomik e të mirëqenies së qytetarëve. Nëse qeverisja e re realizon  këto objektiva, të cilat çojnë në ruajtjen e balancës demografike, atëherë rrugëtimi i tyre në qeverisje do të jetë i suksesshëm. Përmbyllja e procesit të dialogut, duke arritur një marrëveshje të drejtë me Serbinë është sfidë tjetër në këtë rrugëtim. Kur flas për marrëveshje të drejtë kam parasysh revokimin e projekteve Thaçi-Vuçiq-Rama për ndryshim kufijsh ose për krijimin e ndonjë Republikës Srpska brenda territorit të Kosovës.”, tha ai.

Me qëllim që të realizohen këto, ndryshimi që kërkon sovrani ka të bëjë edhe me disa aksione politike të përbashkëta të të dy partnerëve në këtë koalicion qeverisës.

“Së pari, duhet që koalicioni të jetë sa më i gjerë, bazuar në kriterin e ruajtjes së integritetit dhe parimit unitar për Kosovën. Mazhoranca e re ka nevojë për një numër deputetësh prej dy të tretave të parlamentit. Së dyti, kësaj mazhorance i duhet të ndryshojë Kosovën, duke e dërguar Hashim Thaçin në shtëpinë e vet politike të opozitës! Nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e ndajnë pushtetin me Thaçin president, nuk do të mundin ta realizojnë ndryshimin që duan qytetarët e Kosovës. Por për këtë u duhen sa më shumë vota në parlamentin e vendit dhe së treti, rrugëtimi i përbashkët kërkon që njëri ose tjetri partner të mos kopjojë mekanizmat e intrigës së Partisë Demokratike për t’i dhënë fund këtij koalicioni në një moment të përshtatshëm për secilën palë. Zanzibarin e njohim të gjithë. Por njohim edhe intrigat për shkarkimin e Fatmir Sejdiut dhe largimin nga koalicioni, sapo Thaçi u bë president. Dmth nuk mund të ndërpritet bashkëpunimi në koalicion kur njëra palë plotëson interesat politike të saj. Nëse ndodh kjo, rritet mosbesimi midis palëve dhe pa besueshmëri nuk ka rrugëtim të përbashkët”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat