Jeta me njëri-tjetrin është më e bukur se jeta duke ikur prej njëri-tjetrit!

Politika

Jeta me njëri-tjetrin është më e bukur se jeta duke ikur prej njëri-tjetrit!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 29 nëntor 2019 Në ora: 22:53
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të mos e lësh vëllain vetëm në ditë fatkeqësie, është fati që shqiptarët i ka përcjellë ndër shekuj. Kjo po ndodh si askund në botë këto ditë në zonat e tërmetit të tmerrshëm. Por krahas kësaj, tërmeti i së martës së kaluar na përkujtoi dhe shumë aspekte të tjera të jetës:

Një nënë nën gërmadhat e banesës së rrëzuar nuk donte të dilte e gjallë prej andej, sepse në krahët e saj kishte vajzën e vdekur! Një gjysh pësoi goditje në zemër dhe vdiq sapo doli nga gërmadhat, sepse mësoi që nipi i tij nuk jetonte më! Kemi parë solidaritet të jashtëzakonshëm këto ditë, epiqendra e të cilit është bërë kontributi i pakursyer i Kosovës sonë. Lot, dhimbje, por jo vetëm kaq! Gatishmëri për t’u vetë-mohuar në emër të humanizmit, dashurisë dhe dhimbjes për njerëzit tanë.

Dhimbja dhe tmerri përshkojnë të gjithë shqiptarët! Secili e ka mendjen te mbijetesa, vetëm njëri prej nesh nuk e harron zakonin e mashtruesit kur u thotë fëmijëve të traumatizuar se “do t’ua sjellë mësuesin në hotel”, edhe pse ata as që duan t’ia dinë për këtë në momente traumatike si këto! Të gjithë njerëzit kanë harruar gjithçka, vetëm të jenë të sigurt! Të gjithë me vetë-zgjidhje! Kosova ka ardhur në Shqipëri dhe Shqipëria është nisur drejt Prishtinës! Një lidhje sentimentesh të pashkëputura, që vetëm në kësi ditësh fatkeqësie mund të shpërfaqet kaq mrekullisht!

Të mos e lësh vëllain vetëm në ditë fatkeqësie, është fati që shqiptarët i ka përcjellë ndër shekuj. Kjo po ndodh si askund në botë këto ditë në zonat e tërmetit të tmerrshëm. Por krahas kësaj, tërmeti i së martës së kaluar na përkujtoi dhe shumë aspekte të tjera të jetës:

Së pari, secili prej nesh kupton më mirë faktin se jemi të përkohshëm në këtë botë. E se duhet të sillemi me njëri-tjetrin si të tillë. Përçarja, intriga, urrejtja, egoizmi, dhuna prej sot duhen perceptuar si mjete të dëmshme për shoqërinë. Këtë mësim duhet ta nxjerrë politika, më shumë se segmentet e tjera të shoqërisë. Sepse ndër shqiptarët, sidomos në Shqipëri, përçarjen dhe urrejtjen e ushqen politika, nuk e sjellin as komunitetet fetare, as mentalitetet e dasisë krahinore ose të tjera si këto. E turpshme ishte kur dikush e ushqeu këtë lloj ambicie përçarëse edhe në ditën e tërmetit të tmerrshëm. Ato gam-gamet, për të cilat u fol nga njeriu i gërr-vërreve të përditshme ishin në vazhdën e frymës së përçarjes, urrejtjes dhe hakmarrjes. Dhe si të tilla në ditë fatkeqësie marrin në planin psikologjik përmasat e tërmetit apokaliptik, sepse lëshohen nga goja e atij që ka përgjegjësinë kryesore të përballimit të kësaj situate tragjike.

Së dyti, por jo vetëm kaq. Tërmeti i fuqishëm duhet të vlerësohet si shenjë e nxitjes së Zotit të Madh për t’u rizgjuar si komb e si shoqëri. Gjumi letargjik, me të cilin jemi ushqyer prej dekadash na bën që t’i ikim qëndresës dhe nga sytë-këmbët të ikim edhe nga vendi i lindjes dhe atdheu ynë i shtrenjtë. Tërmeti zgjoi nga shpirti i shqiptarëve ariun e munguar. Solidariteti i shfaqur na mëson se jeta me njëri-tjetrin është më e bukur sesa jeta duke ikur prej njëri-tjetrit. Na mësoi gjithashtu se e keqja që vjen si pasojë e fatkeqësive të natyrës ose si pasojë e natyrës së egër të njeriut, kushdo qoftë ai, përballohet vetëm duke u bashkuar me njëri-tjetrin. Ndoshta një njeri i ka bërë dëme Shqipërisë, Kosovës ose shqiptarëve kaq sa tërmeti i së martës. Por mungesa e solidaritetit është shkaku i këtij dëmi kolosal të dikujt që pushtetin e pasurinë e ka si objektiv të jetës së tij!

Rizgjimi në vendet e te popujt e civilizuar vjen vetiu, si rezultat i ndërgjegjes së lartë kolektive. Ndërsa te shoqëritë si kjo e jona, duket se duhet ndërhyrja e Zotit që të kuptojmë se të bashkuar mposhten tërmetet, jo më diktaturat, si dhe dhuna e shtetit mbi njerëzit e pambrojtur. Bashkimi i shpirtit të shqiptarëve bën fuqinë më të papërballueshme në botë. Një shpirt i gjallë dhe i bashkuar në miliona njerëz mund çdo të keqe dhe garanton të ardhmen tonë.

Së treti, e kam thënë e shkruar vazhdimisht se “Nuk ka arsye të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe se Shqipëria duhet të bashkohet me Kosovën”! Tërmeti i së martës ishte konfirmim i pakontestuar i kësaj formule. Dhe më besoni! Kjo nuk është fyerje për shqiptarët e Shqipërisë! Kjo është një shuplakë për ne, por duhet ta pranojmë se shpirti i kombit ka lindur në Kosovë dhe jeton në Kosovë! Kosova na jep shpresë, na bën jo vetëm të ndjehemi krenarë, por edhe na jep shembullin e virtytshëm se si duhet të sillemi me vetveten si popull e si komb. Edhe pse ka sipërfaqe më të vogël dhe numër më të pakët banorësh, Kosova është modeli i shpirtit dhe zemrës sonë kombëtare!

Në Kosovë thonë se “Pa Shqipërinë nuk do të ekzistonte Kosova”. Por po kaq e vërtetë është se pa Kosovën nuk do të ekzistonte Shqipëria. Ky mësim i madh na bën që ta ndjejmë edhe hallin e Kosovës, të jetojmë me shqetësimet dhe sfidat e saj, ta ndihmojmë që ajo të bëhet shteti më prosperues në rajon. Jo ta izolojmë, jo t’ia vështirësojmë jetën e madje edhe lidhjet me Shqipërinë. Të jemi me Kosovën, pa qenë nevoja të jemi kundër Serbisë, por edhe pa u përpjekur që t’ia tjetërsojmë asaj territorin e shkatërrojmë institucionet. Të jemi me Kosovën, duke mos e përçarë politikën e saj në favor të Serbisë!

Ky është ndoshta mësimi më i madh që na ka dhënë kjo tronditje e fuqishme e tërmetit të datës 26 nëntor 2019!

Tragjeditë kudo në botë shndërrohen në mësime për të ardhmen. Nëse nuk e mësojmë këtë aksiomë dhe nëse vijojmë të ushqejmë përçarje dhe urrejtje, atëherë ne jemi e do të jemi armiqtë më të mëdhenj të vetvetes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat