Komunikata nr 59, kujt t’i besojmë: Hashim Thaçit apo Rexhep Selimit? - Bota Sot
Komunikata nr 59, kujt t’i besojmë: Hashim Thaçit apo Rexhep Selimit?

Politika

Komunikata nr 59, kujt t’i besojmë: Hashim Thaçit apo Rexhep Selimit?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 30 nëntor 2019 Në ora: 12:59
Foto ilustrim "Bota sot"

Për njëzet vjet kishte heshtur, edhe kur vendosi të fliste gënjeu, ky është Hashim Thaçi, njeriu përçarës ndër shqiptarët. Për 20 vjet familjes Geci i kishte krijuar dhimbje, padrejtësi me komunikatën nr. 59, e të cilën mohoi se e ka shkruar ai. Të kujtojmë se para pak muajsh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur një ndër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kishte kërkuar falje ish-bashkëluftëtarit të tij, Gani Geci, për komunikatën numër 59 të UÇK-së, për ekzekutimin e tij. Ndër të tjera, Thaçi kishte deklaruar: “Mund të them se komunikata numër 59, që përmendet në opinion, siç e ka theksuar Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, i udhëhequr nga Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, është një komunikatë abuzuese, që nuk i takon UÇK-së.

Duke vazhduar të theksonte se Komunikata në fjalë është nxjerrë pa aprovim dhe dijeni nga individë keqbërës”, ka thënë Thaçi. “Është lënduar luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, në kuptimin moral e kombëtar, Gani Geci, dhe familja e tij”, ishte shprehur Thaçi. Të kujtojmë se komunikata numër 59, e botuar më 31 tetor 1998 në gazetën “Bota e Re“, të cilën, asokohe, e redaktonte i biri i njërit prej agjentëve më të rrezikshëm të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak serb) në komunën e Istogut, demonizonte Gani Gecin, duke e shpallur atë dhe familjen e tij si njerëz të Serbisë, ndërsa Ganiun edhe si bashkëpjesëmarrës në ekspeditat ndëshkimore të policisë serbe kundër shqiptarëve. Ishte ky një “kafshim i pabesë prej gjarpri” që i hapte rrugën një lufte vëllavrasëse në orët më të liga të Kosovës. Por ajo që nuk e priste Thaçi ishte se kundër kësaj komunikate shpifëse, më 5 nëntor 1998, dolën të gjithë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit (11 veta), disa prej të cilëve, njerëz shumë të afërt të Thaçit, duke nënvizuar se Geci, një luftëtar aktiv që prej ditëve të para të kryengritjes së armatosur, e kishte vrarë Sandokanin në rrethana të vetëmbrojtjes së domosdoshme. Familja Geci, nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të korrigjohej kjo shpifje denigruese me kërkim falje publike.

Ndonëse, kërkim faljen e bëri, së fundi u tha se atë komunikatë e ka shkruar pikërisht Hashim Thaçi. Këtë e tha deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili duke folur për periudhën e luftës, ndër të tjera ka folur edhe për komunikatën e famshme me numër 59. Selimi ka deklaruar se “Komunikatën numër 59 e ka hartuar dhe lëshuar Hashim Thaçi”.

Për më tepër Selimi ka thënë se Hashim Thaçi kur është pyetur për këtë komunikatë më mirë është dashur të heshtë se sa të drejtojë përgjegjësinë të dikush tjetër. Këtë deklaratë të Selimit e ka mbështetur edhe Kastriot Imeri, djali i veprimtarit të LDK-së, të ekzekutuar pas luftës në Kosovë, Haki Imerit. Imeri thotë se, të gjitha argumentet dhe dëshmitë po i tregojnë se urdhërdhënësit dhe ekzekutorët i njeh Hashim Thaçi. Po del në pah çdo ditë e më tepër se kush ishte në të vërtetë Hashim Thaçi. Tani është koha që Hashimi te flet të vërtetën, edhe pse dyshoj duke njohur profilin e tij prej gënjeshtari, megjithatë edhe familja Geci duhet t’i kërkoj Thaçit të pranoj të vërtetën, pasi kjo familje bujare nuk kërkojnë hak por vetëm të vërtetën.

Në kërkim faljen e tij në shkurt të këtij viti, Thaçi deklaronte që nuk e di se kush e ka shkruar këtë komunikatë, si mund mos ta dinte kur ishte pjesë e shtabit, apo thua se në shtab kanë vepruar edhe njerëz të panjohur. Derisa askush nuk e merr përgjegjësinë për këtë komunikatë a thua se ajo ka zbritur nga qielli. Edhe nëse nuk e ka shkruar, së paku Thaçi e di se kush qëndron pas saj, prandaj së paku të bëhet një herë në jetën e tij i ndershëm dhe të thotë të vërtetën, të cilën tashmë po kuptohet: Thaçi është hartuesi i asaj komunikate.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat