Risia e zgjedhjeve - vetëdijesimi i elektoratit - Bota Sot
Risia e zgjedhjeve - vetëdijesimi i elektoratit

Politika

Risia e zgjedhjeve - vetëdijesimi i elektoratit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 1 dhjetor 2019 Në ora: 08:38
Ilustrim/Bota sot

Seria e vendimeve dhe e veprimeve skandaloze të qeverisë Haradinaj, është marramendëse, e lodhshme. Shumëzimi falsifikues i listave të "veteranëve", me qëllim përfitimi material, duke i shpërblyer kriminelët vrastarë e haraçxhinj si dhe sigurimi i klienteles afatgjate elektorale, abuzimi kriminal me paranë e popullit, duke krijuar armatën e burokratëve dhe të injorantëve, me qeverinë zhvatëse e nepotike, e konsideruar si qeveria më e dobët, që nga shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912.

Për afro dy dekada radhazi, elektorati i Kosovës votoi në mënyrë paushall. Propaganda lehaqene, e shoqëruar me shantazh e dajak e vrasje, e deri në blerjen e votave, me paratë e haraçit dhe abuzim të parasë së popullit, nga "komandantët" pa ushtarë, por me banda aktive, imponuan votimin çmendurak, mbajtjen e krimit në pushtet.

PDK-ja, e dominuar nga klani i "komandantëve" drenicarë, me bazë LPK-në, përçarëse e popullit dhe sabotuese e luftës, ishte në krye të manipulimeve groteske. Sllogani "luftë korrupsionit dhe nepotizmit", na bëri të qeshim, deri në gajasje. Kjo ishte gënjeshtra e Kadri Veselit, që konkuronte dhe kulmonte të gjitha rrenat paraprake të Hashim dallaverës, me banditërit e tij lëpëkeistë. Bandat kriminale, nën drejtimin e "komandantëve", filluan përgjakjen e shqiptarëve, të llogaritur si kundërshtarë politikë, qysh gjatë luftës, për të vazhduar e shtuar krimet politike vrastare edhe pas luftës. Andaj, askush nuk e mori seriozisht, slloganin e zgjyrosur të Veselit, madje, e vunë në spikamë edhe vetë partiakët e tij, Kadri kryetarin, duke e përqeshur, për shakanë e tij marroqe.

Simotra e saj në krime, AAK-ja, një bandë e haraçit masiv, e krimeve politike dhe ekonomike, mashtroi me viza dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Por, sapo mori timonin e qeverisë, realizoi demarkimin humbës të kufirit, duke u thirrur në një biçim "komisioni rivlerësues", i cili, ashtu siç ishte parashikuar nga opozita, doli huç.

Seria e vendimeve dhe e veprimeve skandaloze të qeverisë Haradinaj, është marramendëse, e lodhshme. Shumëzimi falsifikues i listave të "veteranëve", me qëllim përfitimi material, duke i shpërblyer kriminelët vrastarë e haraçxhinj si dhe sigurimi i klienteles afatgjate elektorale, abuzimi kriminal me paranë e popullit, duke krijuar armatën e burokratëve dhe të injorantëve, me qeverinë zhvatëse e nepotike, e konsideruar si qeveria më e dobët, që nga shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, më 1912.

Emërtimet e punësimet abuzive, shpërblimet e dhurimet, për grupe dhe individë të krimit, me mbulesën fiktive, për qëllime sportive e datime përkujtimore, që shuma, p.sh. prej 5 mijë euro reale, për 10 e 20 herë dhe, në një rast, në 1000 herë më e madhe!

Vartësia e Ramushit nga Lista Serbe dhe Pacollët, vetëm për t`u bërë dhe qëndruar kryeministër, është unike dhe dëshmon për karakterin karrierist e hiç të tij. Ndërhyrja e vrazhdët në Familjen Institucion Rugova, shantazhi, presioni, kërcënimi, deri në tepri, për të marrë një votë të rëndësisë të veçantë, ishte supërkriminale, ashtu siç është i turpshëm edhe memecllëku i klanit të LDK-së, për këtë rast, duke e lënë Familjen Rugova në mëshirën e kriminelëve të PAN-it.

Përvetësimi grotesk i veprimeve dhe meritave të të tjerëve, si taksa për mallrat serbe; krijimin e FSK-së; vendimi për Trepçën dhe disa nisma tjera, të qeverisë paraprake, janë mburrja boshe, e pa mbulesë të qeverisë fatale Haradinaj, duke u vetëdorëzuar, si e pazonja për të dalë nga kolapsi total.

Nisma Socialdemokrate, e zhytur në krime e korrupsion, hajni zyrtare, pjesë e PAN-it kriminal, pragun zgjedhor e kaloi me vështirësi e dyshime përfolëse. Kreu i saj, Fatmir Limaj, një qaraman ankues, për "padrejtësitë", që i janë bërë atij dhe "fitues", me "pafajësinë" hiç bindëse, të dhënë nga gjyqtari korruptiv Nikollë Komani, në Gjakovë, vazhdon të kontestohet edhe sot, jo vetëm nga palët e dëmtuara, por edhe nga populli.

Festimi i Limajt, me krisma provokative, me një grup horrash, të dyshuar për shumëçka, komentohet si turpi më i madh. Populli kurrë nuk i pafajëson vrasësit e Agim Zogaj, Ramiz Hoxhës, Selman Binishit dhe shumë qindra të tjerëve.

AKR-ja e Behgjet matrapazit, ka një elektorat të larguar nga halli nga LDK-ja, me premtimet për punësime. "Skamja të çon në derë të armikut",- thotë populli. Pacolli i suksesshëm në biznes, por, krejt i pafytyrshëm në politikë. Ka para, por, nuk ka as moral dhe as parime. Aleancat e turpshme të tij, me arsyetimin klishe, "për t`i çuar proceset përpara", siç thonë të gjithë maskarenjtë politikë, ka mbajtur në pushtet krimin dhe kriminelët. Ai aderoi në PAN turpshëm, deri në rrugaçëri.

Shantazhueshëm e pacipshëm, me një deputet mbante disa ministri. Dhunshëm e turpshëm imponohej ministër i Jashtëm, duke shënuar 16 çnjohje, të cilat edhe i mohonte në mënyrën më banale dhe idioteske. Është përgjegjësi penale e kryeministrit Haradinaj, emërimi i Pacollit në krye të Ministrisë të Jashtme, sepse ai është në një linjë me Baton Haxhiun dhe hafijet tjerë të Serbisë, kur thotë se " në Mitrovicën e Veriut, duhet të kenë qasje të barabartë Serbia dhe Kosova!" Pra, ai kërkon ta bëjë Serbinë hisedare në Kosovë!

Vet emërtesa e huazuar "Partia Socialdemokrate", ishte parathënie e dështimit. Ishin një grup të rinjsh energjik, të ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, të irrituar nga kulti tipik komunist i Albin Kurtit. Ishin 12 deputetë, të cilët kishin krijuar identitet dhe dy kryetarë komunash. Të gjithë të zgjedhur me votat e Vetëvendosjes. Prej tyre Shpend Ahmeti, i heshtur, është parë me dyshimin e bazuar.

Të rrebeluarit shumë shpejtë u vunë në provë. Tradhtuan opozitën dhe mikluan PAN-in, duke u bërë patericë, për ta mbajtur krimin në pushtet! Slogani ishte i njohur, madje, i gatshëm: "Për ta çtensionuar e zhbllokuar situatën, duke i çuar proceset përpara në Kosovë!" Kështu kishte thënë e përsëritur Pacolli, Nisma, madje, edhe Rudinë Hajdari, me ndërhyrjen e dajallarëve jugorë, duke shkelur gjakun e babait, iu bashkua social-komunistëve enveristë, duke e zhbërë pluralizmin dhe rivendosur monizmin partiak në Shqipëri. Krim politik i shekullit! Ndërkohë që ndërkombëtarët, pacipshëm dhe pa moralshëm, ia bëjnë aminin Ramës me kompani.

Partia Socialdemokrate thelloi fajësinë e saj, duke hyrë në pazaret e pista të Hashimit dhe të Ramushit, me Serbinë, kinse, me një farë Komisionit Dialogues, të prirë nga Limaj dhe Shpendi, si bishtra të PDK-së dhe AAK-së. Por, Gjykata Kushtetuese i zboi si të paligjshëm. Po kaq i paligjshëm ishte edhe Ramush kryeministri, njësoj si presidenti aksidental Hashim, sepse është i shantazhuar nga Serbia dhe Specialja, për krimin e vrasjeve politike të shqiptarëve luftë bërës.

Shpendi me shokë bëri edhe fajin përmbyllës, kur u fut nën ombrellën e një partie-bandë, duke e bërë edhe partinë e tij pjesë të krimit monstrum. Është detyrë parësore që Albin Kurti me shokë, të veprojnë, maturisht e mençurisht, për ta kthyer anëtarësinë dhe ish-aktivistët e saj të dikurshëm, në gjirin e familjes së madhe të Vetëvendosjes. Lë të mësojnë nga shembulli i keq i LDK-së, më saktë, i klanit brenda dy Kryesive të LDK-së, që i trajtuan si leprozë kuadrot dhe anëtarët e LDD-së, duke e humbur një pjesë domethënëse të anëtarësisë. Përjashto shefin e LDD-së, që ishte dhe mbeti mbrojtës i kriminelëve me kartelë, anëtarësia e LDD-së ka qenë dhe mbeti me vizionin e frymën rugoviane. Por, klanistët karrieristë e anashkaluan dhe e luftuan si armike.

Ndëshkimi i PAN-it kriminal, me votën e shqiptarëve, ka qenë shumë meritorë, për të gjitha subjektet që u përmendën më sipër. Prandaj, risia e zgjedhjeve të 6 tetorit, ishte vetëdijesimi i elektoratit të Kosovës, për të mos e mbështetur krimin dhe kriminelët. Veçse ky ndëshkim duhej të ishte shumë më i thellë, më i ashpër, ngaqë krimet janë enorme. Partitë-banda të krimit të organizuar vrastar e hajnor, duhet ndëshkuar edhe më tej. Nëse e duam një Kosovë të inkuadruar në Evropë, më parë, duhet nismuar procesi i zhbërjes të partive të krimit, i nxjerrjes të jashtëligjshme. Dhe, kjo do të ishte e shëndetshme edhe për demokracinë në Kosovë, duke u dhënë mundësinë e lirimit nga ngufatja e njerëzve të mashtruar, për t`u angazhuar dhe krijuar parti politike jo kriminale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat