Ibrahim Rugova, burrështetasi i panënshtrueshëm i Kosovës

Politika

Ibrahim Rugova, burrështetasi i panënshtrueshëm i Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 dhjetor 2019 Në ora: 08:17
Ibrahim Rugova

“Ibrahim Rugova ka qenë dijetar shqiptar i klasit të parë para se të dilte në skenën kombëtare si politikan tridhjetë vjet më parë (dhjetor 1989) e të bëhej burrështetasi i parë i Kosovës, edhe kur Kosova nuk pranohej ende shtet në rrafshin ndërkombëtar. Ka qenë e lehtë të punosh me të, edhe pse kohët kanë qenë të vështira, sepse ai ka punuar me devocion pothuaj fetar, ndonëse nuk ka qenë njeri religjioz në esencë, për synimet e veta e të popullit të vet.”, ka thënë Muhamet Hamiti, ish-këshilltari i Presidentit Rugova.

Mungesa e presidenti Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova po ndjehet si kurrë më parë në institucionet e Kosovës, tek qytetarët si dhe tek miqtë e Kosovës.

Lideri me vizion dhe me guxim të jashtëzakonshëm po vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm në politikën e Kosovës.

Për nder të ditëlindjes së 75-të, ish-bashkëpunëtorët e afërt të presidentit Rugova kanë thënë se ai ishte njeri i dijshëm e humanist, i afrueshëm me të gjithë, por i palëkundshëm në përcaktimin e vet për liri, demokraci e pavarësi të vendit.

Njerëzit që i qëndruan për shumë kohë afër presidentit konsiderojnë se Kosova nuk ka në këtë kohë figurë politike të kalibrit të tij, por ka, nëse di ta çmojë e shfrytëzojë, trashëgiminë e lenë nga vet ai.

Gashi: Rugova na mungon

Ish-bashkëpunëtori dhe ish-këshilltari i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Alush Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me Rugovën në këtë fazë të fuqizimit të sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar do të ishte shumë më lehtë për Kosovën.

Gashi është shprehur se vepra e presidentit Rugova është pranuar në gjithë botën, e në veçanti në Kosovë.

Image
Pas takimit në Shtëpi të Bardhë (prapa Harry Bajraktari dhe David Phillips)

“Ibrahim Rugova ishte një nga personalitetet e mëdha të shekullit. Me urtësinë e tij dhe parimin se interesat e shtetit janë para interesave personale, me respektimin dhe kultivimin e kulturës dhe sjelljes institucionale në këtë fazë të fuqizimit të sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar me Presidentin Rugova do të ishte shumë më lehtë. Fatmirësisht, në vendin tonë është përcaktim popullor dhe institucional sovraniteti i pacenueshëm dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar. Ky është mandati për negociata të përfaqësuesve tanë”, është shprehur Gashi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka treguar se presidenti historik kishte disa veçori të jashtëzakonshme, ndërsa, Gashi ka kujtuar gjithashtu se cili ishte edhe angazhimi më i madh i ish-kreut të shtetit.

“Rugova, kishte kulturë për dëgjim dhe pranim të këshillave nga bashkëpunëtorët e vetë. Angazhohej shumë për krijim të miqësive me individ dhe shtete. Mbi të gjitha, Rugova e ka dashur, e ka respektuar çdo njeri dhe në veçanti popullin e vet. E ka dashur shumë Kosovën, me vete mbante gurin e tij si peshë dhe simbol. Rugova na mungon”, ka shtuar ai.

Hamiti: Kosova nuk ka sot figurë politike të kalibrit të Ibrahim Rugovës

Edhe Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtori tjetër i ngushtë i presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka thënë se presidenti Rugova ka qenë figurë unifikuese në ato 16 vjet të jetës së tij politike si kryetar i Lidhjes Demokratike dhe i Kosovës.

Image
Muhamet Hamiti

“Me besimin popullor që ka marrë në zgjedhjet e viteve të nëntëdhjeta dhe në vitet 2000, ai ishte lider që këtë besim e ushtroi në të mirë të qytetarëve të vet duke punuar bashkë me rivalët e tij politikë për të mirën e Kosovës. Koordinonte punët me të tjerë brenda Këshillit Koordinues të Partive Politike në fillime, pastaj në gjysmën e dytë të dekadës së parë Rugova punonte me grupe negociatore që përfshinin politikanë të afërt e të largët me të, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës. Në shkurt-mars 1999, gjatë Konferencës Paqësore në Rambuje-Paris, Rugova ishte aty, sërish figurë unifikuese, në një ambient të ashpër mujshie të rishtarëve politikë nga UÇK-ja e të tjerë që bisedat për Kosovën i shfrytëzonin për luftë të brendshme politike, për pushtet, në kohë lufte”, ka thënë Hamiti për gazetën “Bota sot”.

Hamiti është i mendimit se Kosova nuk ka sot figurë politike të kalibrit të Ibrahim Rugovës, por ka, nëse di ta çmojë e shfrytëzojë, trashëgiminë e tij.

“Zgjedhjet e pasluftës në Kosovës e rikonfirmuan Ibrahim Rugovën si burrështetasin që do t’i printe vendit në luftën politike e diplomatike për pavarësi. I zgjedhur dy herë President i Kosovës në Kuvend paslufte, në vjeshtën e vitit 2005 Ibrahim Rugova udhëhoqi delegacionin e Kosovës në fillimet e procesit ndërkombëtar për përcaktim të statusit përfundimtar. I priu Presidenti një Ekipi të Unitetit, qeverinë dhe opozitën bashkë, në procesin e drejtuar nga Presidenti Ahtisaari, që çoi në pavarësinë e Kosovës, shpallur më 17 shkurt 2008, dy vjet mbas vdekjes së Atit Themeltar të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Rugova ishte njeri i dijshëm e humanist, i afrueshëm me të gjithë, por i palëkundshëm në përcaktimin e vet për liri, demokraci e pavarësi të vendit, synime që shumëkujt i dukeshin të paarritshme.

Hamiti tregon gjithashtu se ka kujtimet më të mira për kohën kur ka punuar me Presidentin Rugova, duke përfshirë në vitet kur ka qenë zëdhënës e këshilltar i tij.

“Ibrahim Rugova ka qenë dijetar shqiptar i klasit të parë para se të dilte në skenën kombëtare si politikan tridhjetë vjet më parë (dhjetor 1989) e të bëhej burrështetasi i parë i Kosovës, edhe kur Kosova nuk pranohej ende shtet në rrafshin ndërkombëtar. Ka qenë e lehtë të punosh me të, edhe pse kohët kanë qenë të vështira, sepse ai ka punuar me devocion pothuaj fetar, ndonëse nuk ka qenë njeri religjioz në esencë, për synimet e veta e të popullit të vet. Këtë devocion e induktonte te njerëzit me të cilët punonte ngushtë. Ibrahim Rugova ka qenë i panënshtrueshëm. As sëmundja e tij vdektare në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij të shkurtër nuk e nënshtroi shpirtërisht. E di këtë jo vetëm nga paraqitjet e tij publike, në njohura për gjithëkë, por edhe nga takimet e komunikimet që kam pasur me Rugovën kah mbarimi i jetës së tij”, ka thënë ish-këshilltari i tij.

Merovci: Ky ishte Dijetari Rugova

Ndërsa, Adnan Merovci në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Rugova përkundër kritikave të mëdha që kishte gjatë dekadës para lufte, ai asnjëherë nuk u rrëmbye nga këto sfida.

Image
Adnan Merovci

Sipas tij, Rugova krijoi ide të reja dhe vetëdije të re për jetën, popullin dhe shtetin.

“Presidenti Rugova i cili nga krijuesi dhe studiuesi letrar kaloi në veprues politik që nga viti 1992 kur edhe u zgjodh President me vota të drejtpërdrejta ishte udhëheqësi politik i Kosovës. Ai gjatë dekadës para lufte u kritikua shumë, por asnjëherë nuk u rrëmbye nga këto sfida, por besoi dhe punoi deri ndërrimjetë. Gjatë kohës së tij ai krijoi ide të reja dhe vetëdije të re për jetën, popullin dhe shtetin. Ky sistem vlerash, pluralitet mendimesh, vetëdije kombëtare e shtetërore ishte udhërrëfyes për grupet tjera politike dhe gjeneratat e reja të cilët jo rrallë tradhtoheshin nga fakti se imitonin Presidentin Rugova”, tha fillimisht Merovci.

Merovci për “Bota sot”, gjithashtu ka thënë se presidenti Rugova mbolli vlera që edhe pas tij grupet dhe individët politik të dinë të reagojnë.

“Tani ti kthehem pyetjes suaj, sa i përket mungesës së tij për ditët e sotme, mendoj se ai mjaftueshëm mbolli vlera që edhe pas tij grupet dhe individët politik të dinë të reagojnë dijshëm dhe arsyeshëm. Pra nuk na mungojnë këto, krejt çka na mungon është një vullnet dhe një gatishmëri më e madhe për reflektim duke mos u marrë me çështjen e legjitimitetit të krijimit të vlerave dhe vetëdijeve të nevojshme të njerëzve vendimmarrës duke e ditë që kjo pa kontestueshëm tashmë i takojnë dijetarit Rugova. Pra, Rugova nga krijuesi dhe studiuesi letrar kaloj në veprues politik, u zgjodh President dhe sot që nuk jeton më ai ia atribuoi vetës epitetin prej dijetari. Neve na mbetet të punojmë sipas ideve të tija, përndryshe ai ka mbaruar misionin e tij, ne duhet të punojmë”, ka thënë Merovci, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt.

Ai thekson se presidenti Rugova ka imponuar autoritet dhe vetëkontroll të paparë, ka reflektuar profetizëm dhe ta ka marrë zemrën për një minutë.

“Që nga dita e parë e bashkëpunimit me Dijetarin Rugova pashë fatin e fëmijëve të mi në idetë dhe punën e tij. Ai ishte optimist i pa përmirësueshëm edhe pse thoshte se është optimist racional. Ky ishte motivi im individual i cili me kohë u shndërrua në motiv kolektiv të shqiptarëve jo vetëm të Kosovës. Ai mua më quajti Sekretar i Zyrës së tij dhe kjo bëri që unë të ndodhem afër tij në situata të ndryshme. Dijetari Rugova ka imponuar autoritet dhe vetëkontroll të paparë, ka reflektuar profetizëm dhe ta ka marrë zemrën për një minutë. Ka pas gjakun e ëmbël dhe të ka bërë të ndihesh i madh afër tij. Duke qenë afër tij kam mësuar shumë gjëra dhe më duket se kam mbaruar edhe një fakultet tjetër. Thënë shkurt kur kam ndenjur afër tij jam ndier thua se po e preku qiellin”, ka përfunduar Merovci.

Gecaj: Një personalitet si Presidenti Rugova do të ishte i domosdoshëm në këtë kohë

Kurse, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, është shprehur se Rugova ishte një vizionar, unifikues dhe mjaft i durueshëm edhe kur ne të tjerët kohë pas kohe humbnim durimin.

Image
Bajram Gecaj

“Ashtu si secili pjesëtar i ndërgjegjshëm i kombit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova e kujtoi si një vizionar dhe udhëheqës të pashoq dhe të pashembullt të popullit shqiptar të Kosovës, dhe si një lider historik e themelues të shtetit të ri të Kosovës. Ishte i tillë sepse i kishte parashtruar vetes qëllimin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë për vendin dhe popullin e vet, dhe e dinte shumë mirë se për keëtë duhej durim e sakrificë të vazhdueshme”, tha Gecaj.

Ai ka potencuar se në kohën e Rugovës paraqiteshin sharlatanë e aventurier të ndryshëm të cilët shkaktuan probleme dhe dhimbje të panevojshme për popullin tonë.

“Megjithatë, edhe në kohën e tij, në Kosovë na paraqiteshin sharlatanë e aventurier të ndryshëm të cilët, edhe pse nuk munden të dëmtonin qëllimin përfundimtarë të pavarësimit të Kosovës, megjithatë, shkaktuan probleme dhe dhimbje të panevojshme për lëvizjen dhe popullin tonë. Popujt nuk krijojnë çdo dite personalitete si Dr. Ibrahim Rugova, por të tillët lindin e krijohen, siç thotë populli, ‘rrallë e me mallë’”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, Gecaj ka theksuar se një personalitet si Presidenti Rugova do të ishte i domosdoshëm në këtë kohë për Kosovën.

“Do të ishte i domosdoshëm dhe mesë i nevojshëm edhe për këtë kohë të vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë, por na mbetet të shpresojmë e besojmë se populli ynë ka mundësi dhe kapacitet të krijoi edhe figura tjera të cilat do ta shtyjnë vendin drejt fazës finale të lëvizjes sonë - integrimit të plotë në strukturat Euro-Atlantike”, ka thënë krejt në fund Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat