Ky është paralajmërimi nëse VV dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje, Zogaj ka një parashikim - Bota Sot
Ky është paralajmërimi nëse VV dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje, Zogaj ka një parashikim

Politika

Ky është paralajmërimi nëse VV dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje, Zogaj ka një parashikim

Nga: G.B Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 23:04
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshje, edhe pse u tha se do të nënshkruhej sot.

Pas takimit që mbajtën sot lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, Kurti tha se ka avancim në negociata, por që ende marrëveshje.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se në bazë të deklaratave, nuk duket të jetë ndonjë pengesë e madhe që të mos arrihet marrëveshja dhe se ata e zgjedhin momentin më të volitshëm për nënshkrimin e saj.

Image
Skënder Zogaj

“Sipas deklaratave sporadike që po i bëjnë dy liderët partiakë, nuk shihet ndonjë pengesë e madhe që të mos arrihet marrëveshja. Unë besoj se, dy liderët janë të vetëdijshëm për momentin më të volitshëm historik që ua ka ofruar sovrani, duke ua dhënë shansin që ta ndryshojnë për të mirë qeverisjen e vendit me sajimin e një pushteti për shtetin! Ky ka qenë premtimi elektoral i LDK-së dhe i LVV-së dhe, nëse tentojnë që ta bishtërojnë do ta pësojnë më keq se sa pararendësit”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, është e turpshme nëse ata nuk mund të pajtohen tani për ndarjen e ministrive dhe se ky nuk duhet të jetë problem, pasi duhet kaluar krizën dhe jo të shikohen përfitimet partiake.

“LDK e LVV e kanë nisur mirë bisedimin paraprak për koalicionin duke u marrë vesh për programin qeverisës, që po thonë se e kanë arritur pajtimin e plotë! Nëse është kjo e vërtetë, atëherë do të jetë e turpshme nëse tash nuk mund të pajtohen rreth ndarjes së ministrive! Ky nuk guxon të jetë problemi sepse momenti aktual ka qëllim kapërcimin e krizës me sa më shumë bashkëqeverisjes e jo rast i përfitimeve partiake me ndarje pushteti brenda koalicionit”, ka vlerësuar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Ai tregon se cili duhet të jetë qëllimi i dy partive, duke shtuar se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja dhe do të kemi një ekzekutiv profesionistësh të denjë për qeverisje ministrore.

“Pra, një koalicion funksional me sa më shumë bashkëqeverisje duhet të jetë qëllimi i dy partive, sepse nëse veprojnë ndryshe koketojnë me vetveten dhe ia vazhdojnë krizën vendit! Por, mendoj se marrëveshja do të arrihet shumë shpejt dhe se do të kemi një ekzekutiv profesionistësh të denjë për qeverisje ministrore e jo lojtarë partiakë”, ka deklaruar Zogaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat