Hapat juridik të Albin Kurtit për t`u bërë kryeministër - Bota Sot
Hapat juridik të Albin Kurtit për t`u bërë kryeministër

Politika

Hapat juridik të Albin Kurtit për t`u bërë kryeministër

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 dhjetor 2019 Në ora: 08:57
Albin Kurti

Zyrtarisht të premten është bërë dorëzimi i certifikimit të zgjedhjet të 6 tetorit nga Komisioni Qendror Zgjedhorë tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ndërsa, fituesi i zgjedhjeve të parakohshme doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Që pas mbajtjes së zgjedhjeve LVV ka zhvilluar takime të ndryshme më Lidhjen Demokratike, rreth një koalicioni të mundshëm qeverisës. Të hënën është paralajmëruar se mund të arrihet marrëveshja finale, do të thotë do të bëhet firmosja e koalicionit.

Ndërsa, njohësit e çështjeve juridike kanë folur për “Bota sot” rreth detyrës së Presidentit të Kosovës, pas certifikimit të zgjedhjeve, si dhe kanë shpjeguar procedurën deri tek zgjedhja e kryeministrit të vendit.

15 ditët e Albin Kurtit

Image
Riza Smaka

Profesori Riza Smaka, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se pas konsultimeve më koalicionin partiak presidenti i vendit e propozon në Kuvend emrin e kandidatit për kryeministër.

“Tani me pas zgjedhjeve Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin përKryeministër dhe këtë do ta bëjë pas konsultimeve me koalicionin partiak që në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme e ka realizuar shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë”, ka shpjeguar Smaka.

Për më tepër, ai është shprehur se kandidati për kryeministër ka 15 ditë afat që të propozoj strukturën e Qeverisë së re.

“Kandidati apo mandatari  për Kryeministër brenda 15 ditëve Kuvendit të Kosovës ia propozon strukturën e Qeverisë dhe i kërkon miratimin e atij propozimit. Qeveria do të konsiderohej  e zgjedhur nëse do të mbështetej më së pakut shumicën e votave të të gjithë deputeteve të zgjedhur e të certifikuar në Kuvendin e Kosovës.”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, profesori shton se nëse një gjë e tillë nuk arrihet të përkrahet nga deputetët, sërish presidenti ka të drejtë që ta propozoj mandatarin për kryeministër.

“Eventualisht nëse  Mandatari nuk do tëmbështetej me se pakut shumicën absolute të votave pro të deputeteve të Kuvendit, Presidenti  brenda 10 ditëve në vijim nëmënyrën e mëparshme do të përsëriste procedurën për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Smaka për “Bota sot”

Hyseni: Kuvendi mund të vetmblidhet

Image
Flamur Hyseni

Ndërkaq, profesori universitar i së Drejtës, Flamur Hyseni, në një prononcim për “Bota sot” ka shpjeguar më në detaje procedurën se si vjen deri tek zgjedhja e kryeministrit.

Ai ka thënë se sipas Kushtetues së shtetit të Kosovës veprimi i parë duhet të bëhet brenda afatit 30 ditorë prej momentit të shpalljes së rezultatit zgjedhor, thirret seanca nga presidenti, nëse nuk bëhet një gjë e tillë nga ai, atëherë Kuvendi vetë mblidhet.

“Nga tani fillon të rrjedhë afati kushtetues i cili është 30 ditë nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ. Pra, veprimi i parë që duhet të bëhet brenda afatit 30 ditorë prej momentit të shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve është se, duhet të thirret seanca konstitutive e Kuvendit nga Presidenti, nëse këtë nuk e bën Presidenti, atëherë Kuvendi vetëmblidhet. Kushtetuta e Kosovës (2008), në nenin 66, parag.1, e përcakton se, "Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve".

Po, ashtu në rast se Presidenti nuk vepron, prapë ka zgjidhje kushtetuese, ku neni 66, parag.3, e përcakton se, "Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.

Ndërsa, faza e dytë, sipas Hysenit është mandatimii Kandidatit për Kryeministër, i cili duhet t`i ketë 61 deputet dhe në këtë mënyrë dëshmohet tek Presidenti, pastaj i caktohet afati për krijimin e Qeverisë së re.

“Mandatatimi i Kandidatit për Kryeministër është faza e dytë që ndodhë pasi të ketë përfunduar konstitumi i Kuvendit dhe të arrihet marrëveshja e koalicionit qeverisës që e dëshmon se e ka shumicën e 50+1% të votave që nënkupton së paku 61 deputetë. Kur kjo dëshmohet te Presidenti, atëherëmandatohet kandidati për Kryeministër që në afat prej 15 ditëve të formojë qeverinë”, ka deklaruar profesori hyseni për “Bota sot”.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi parlamentar më i madh

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë se nëse nuk votohet  kandidati për kryeministër duke mos i marr shumicën e votave, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda afatit prej 10 ditësh emëron kandidatin tjetër për Kryeministër.

“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes se organeve, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër.Sipas nenit 95, parag.1,2,3,4,5 dhe 6. Kandidati propozohet nga Presidenti pas konsultimeve që zgjatin 15 ditë, ndoshta edhe më shumë.Kandidati përKryeministër i ka 15 ditë afat për tu votuar në Kuvend.

Nëse nuk votohet duke i marr shumicën e votave, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda afatit prej 10 ditësh emëron kandidatin tjetër për Kryeministër.Votimi behet brenda 10 ditësh.

Nëse nuk i merre shumicën e votave as në këtë radhë, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Kelmendi ka shpjeguar se si bëhet Konstituimi i Kuvendit, si dhe ka cekur se nëse nuk arrihen votat e mjaftueshme për kandidatin e dytë për kryeministër atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja.

“Sipas nenit 67, para. 2., Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi parlamentar më i madh dhe zgjedhjet me shumicën e votave. Sipas para.3 te nenit tënjëjtë, tre nënkryetarëpërfaqësojnë tri grupet më të mëdha parlamentare dhe zgjidhen me shumicën e votave., ndërsa sipas parag. 4, dy nënkryetarëpërfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë dhe zgjidhen nga epitetet me shumicë të votave”, ka potencuar ai.

Një është nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet të tjera.Pas këtyre zgjedhjeve,  Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër.Sipas nenit 95, parag.1,2,3,4,5 dhe 6. Kandidati propozohet nga Presidenti pas konsultimeve që zgjatin 15 ditë, ndoshta edhe më shumë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat