Flet për “Bota sot” Haki Rugova, kjo është e vërteta e kërkesave të LDK-së, tregon se a do të ketë marrëveshje me VV-në

Politika

Flet për “Bota sot” Haki Rugova, kjo është e vërteta e kërkesave të LDK-së, tregon se a do të ketë marrëveshje me VV-në

Nga: N.H Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 19:39
Lidhja Demokratike e Kosovës

Ditën e djeshme është mbajtur një takim prej 2 orësh në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Përkundër se u paralajmërua se do të arrihet një marrëveshje përfundimtarë, një gjë e tillë nuk ndodhi.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, menjëherë pas këtij takimi ishte shprehur se edhe me tej nuk ka ndonjë marrëveshje.

“Sot nuk ka marrëveshje për koalicion por do të punojmë t’i përafrojmë qëndrimet”, ishte shprehur shkurt Mustafa, para medieve.

Ndërsa, për të folur për këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka biseduar me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.

Rugova është shprehur i bindur se një marrëveshje mes këtyre dy subjekteve do të arrihet së shpejti, ani pse nuk ka dhënë shumë detaje rreth kërkesave të subjektit të tij.

Image
Haki Rugova

“Nuk e di se cila është e vërteta. Qëndrimi i LDK-së është se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të arrihet. Kjo marrëveshje na duhet, mirëpo kjo mbetet tashmë në dorën e Isa Mustafës dhe Albin Kurtit”, ka thënë fillimisht Rugova i LDK-së.

I pyetur se cilat janë kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe kur eventualisht pritet të mbahet takimi i radhës mes dy liderëve, ai është shprehur se nuk ka asnjë informacion.

“Nëse me pyesni mu personalisht, jam pro që të arrihet një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërsa se kur pritet të mbahet takimi i radhës dhe se cilat ministri kërkon LDK-ja, nuk kam ndonjë informacion”, ka shtuar nënkryetari Haki Rugova.

Ndërsa, në fund, nënkryetari i  LDK-së ka theksuar edhe njëherë se posti i presidentit duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja e përfshinë edhe presidentin, dhe edhe ky post duhet të jetë pjesë e marrëveshjes, dhe asgjë më shumë. Kjo është e pashmangshme, dhe duhet të ketë një dakordim për këtë”, ka përfunduar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit nga KQZ-ja, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ka intensifikuar takimet me partinë e dytë, LDK-në, për të formuar qeverinë e ardhshme. Derisa nuk u bë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës, por u tha se për këtë do të njoftohen mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat