Presidenti, ministritë, Shahu tregon si të ndahen postet në mes të VV-së dhe LDK-së

Politika

Presidenti, ministritë, Shahu tregon si të ndahen postet në mes të VV-së dhe LDK-së

Nga: G.B Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 21:27
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Edhe pse marrëveshja VV-LDK u prit të nënshkruhej të hënën, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Albin Kurti tha se ende nuk ka marrëveshje, por që ka avancime në bisedime.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se marrëveshja e pa nënshkruar ende po e provokon durimin edhe të forcave tjera politike, duke shtuar se duhet të ketë barazi në ndarjen e pushtetit nga të dy partitë.

Image
Rexhep Shahu

“Marrëveshja ende e pa nënshkruar mes VV dhe LDK po provon mes tjerash edhe durimin e forcave politike. Nëse do të flisnim pa tifozeri futbolli e pa pasione, LDK ka peshë e përgjegjësi më të madhe si parti e provuar në pushtet se sa VV që vjen në pushtet qendror për herë të parë. Numrat e përafërt me një deputet diferencë, i bëjnë këto parti të barabarta në ndarjen e tortës së pushtetit. Dhe nëse nuk ka barazi në ndarjen e pushtetit, nuk funksionon marrëveshja, nuk mund të jetë asnjëra parti inferiore”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, ai që do ta ketë postin e kryeministrit, ortakut duhet t’i japë presidentin dhe kryetarin e parlamentit dhe ministritë të ndahen në mënyrë të barabartë.

“VV as LDK nuk mund të marrë asnjëra lugën më të madhe për pushtet. Në kushtet apo në sistemin politik që ekziston në Kosovë, posti i kryeministrit është më i rëndësishmi ndër postet e tjera. Ndaj ai që do të ketë postin e kryeministrit, duhet të japë për ortakun presidentin dhe kryetarin e parlamentit. Ministritë duhen ndarë barabar, por kryeministri që ka përgjegjësinë e ekzekutivit duhet të zgjedhë ministritë bazuar në thelbin e programit politik. Edhe Agjencitë ligjzbatuese që kanë peshën e ministrive duhet të hyjnë në tortë për ndarje, por në këto raste është kryeministri që duhet të zgjedhe me marrëveshje”, ka vlerësuar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Ai beson se marrëveshja do të arrihet, pasi nuk ka rrugë tjetër përpos zgjedhjeve.

“Unë besoj që do të arrihet marrëveshje, pasi në të kundërt ka vetëm një rrugë -zgjedhje të reja. Dhe në zgjedhjet e reja nëse nuk ndodh asgjë ndryshe, LDK merr së paku një deputet më tepër dhe VV merr dy e tre më pak, për shkak se Albini ka folur shumë këto kohë dhe ka hequr dorë nga Albini i Vetëvendosjes për të krijuar Albinin e ri të negociatave e bisedimeve”, ka deklaruar Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat