Cili është roli i Hashim Thaçit në ngecjen e marrëveshjes LDK-VV? - Bota Sot
Cili është roli i Hashim Thaçit në ngecjen e marrëveshjes LDK-VV?

Politika

Cili është roli i Hashim Thaçit në ngecjen e marrëveshjes LDK-VV?

Nga: G.B Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 17:10
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Ende nuk është arritur marrëveshja në mes të VV-së dhe LDK-së.

Pas takimit të fundit të mbajtur nga liderët e të dyja partive, u tha se ka avancime por jo dhe marrëveshje.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme LDK doli me një komunikatë që tha se do të vazhdojë bisedimet me Vetëvendosjen, për një marrëveshje të baraspeshuar.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se bëhet fjalë për ndërhyrje nga jashtë LDK-së dhe lidhet me presidentin Thaçi.

“Mendoj se bëhet fjalë për ndërhyrjen nga jashtë në LDK dhe kjo ndërlidhet me presidentin Thaçi dhe grupin e tij të interesit. Ai po përpiqet të mbajë një kontroll mbi dialogun dhe mbi strukturat e sigurisë së paku deri në fund të mandatit të tij. Ndikimi i Thaçit në LDK është i njohur sidomos përmes disa zyrtarëve të lartë”, është shprehur ai.

Sa i përket ndarjes së posteve, ai thotë se duhet të bëhet ndarje e baraspeshuar.

“Në anën tjetër, mendoj se vërtetë duhet të bëhet një ndarje e baraspeshuar dhe se partnerët e ardhshëm duhet të krijojnë edhe atmosferën e mirëbesimit dhe marrjes së përbashkët të vendimeve”, ka vlerësuar Lepaja.

Sipas tij, do të ketë qëndrime të ndara dhe rezerva lidhur me dinamikën e ndryshimeve dhe Mustafa duhet ta ruajë votën e deputetëve të LDK-së për qeverinë e përbashkët.

“Gjithsesi do të ketë edhe qëndrime të ndara dhe rezerva edhe lidhur me dinamikën e ndryshimeve, e cila mund të sjellë edhe turbulenca në shoqëri, e besa edhe në vet LDK prandaj Mustafa është i kujdesshëm sepse në fund të fundit duhet të ruajë votën e të gjithë deputetëve të LDK për qeverinë e përbashkët”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat