Bytyçi: Arsimi paralel në Kosovë ishte një akt politik dha mesazhin që Kosova nuk e pranon sundimin serb

Politika

Bytyçi: Arsimi paralel në Kosovë ishte një akt politik dha mesazhin që Kosova nuk e pranon sundimin serb

Nga: D. B. Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 16:27
Enver Bytyçi

Raporti i PISA-s, i cili vlerëson nivelin e cilësisë së arsimit para universitar e ka rendit arsimin e Kosovës në fund të klasifikimit. Ky raport duket se është një kambanë alarmi për institucionet e Kosovës, sepse arsimimi i qytetarëve përbën bazën e zhvillimit të saj.

Kështu ka vlerësuar profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se të jetë arsimi para universitar, i tillë është dhe ai universitar.

“Si të jetë arsimi universitar, ashtu janë dhe mësimdhënësit në sistemin e universiteteve. Fatmirësisht Kosova ende ruan një elitë intelektuale më të kualifikuar edhe se Shqipëria, për shkak të shkollimit të saj në universitetet e ish-Jugosllavisë. Por këta janë aq pak, sa nuk mund ta marrin në dorë dhe ta përmirësojnë sistemin arsimor para dhe atë universitar. Ndërkaq politika është sjellë me arsimin në mënyrë barbare. Në vend që ta përdorë këtë elitë akademike për të reformuar sistemin arsimor në vend, përdor pikërisht mungesën e reformave serioze për të kapë politikisht arsimin”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se kapja politike e arsimit, është shkaku kryesor i dobësive në arsim.

“Dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte, nëse kemi parasysh dobësitë e formimit arsimor në një periudhë prej më shumë se dhjetë vite, kur në Kosovë zhvillohej arsimi paralel, pa objekte, pa mundësi praktike, pa kabinete, pa mjete mësimore. Arsimi paralel në Kosovë ishte një akt politik e goditur, sepse dha mesazhin që Kosova nuk e pranon sundimin serb. Por arsimi paralel i viteve ’90-ta la boshllëqe të shumta. Politika në Kosovë ka pasur kohë në dy dekada të bëjë reforma dhe ta çojë nivelin e arsimit një nivel me vendet e rajonit. Kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi për atë çfarë thashë më lart”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, politika nuk e kishte mendjen te reforma në arsim, por te kapja politike dhe përdorimi politik i tij, duke e vënë shkollën në funksion të pushtetit.

“Ky është mëkat i pafalshëm dhe lam përshtypjen se trupa mësimore për arsimin para universitar është ne nivel të pranueshëm. Por mekanizmat e zhvillimit të arsimit nuk janë të tillë. Ndryshe ndodh në universitete, ku shumica e trupës akademike ose një numër shumë i madh i tyre kanë shkuar në auditorë për kontribute politike dhe jo profesionale e akademike. Por me qëllim që të ndryshojë kjo situatë alarmante besoj se është e domosdoshme që qeveria e re në krijim të ndërtojë një strategji të re të zhvillimit të arsimit. Përvoja ka mjaft dhe do të doja që të merrej përvoja sllovene, kroate dhe austriake, sepse i përshtatet më shumë Kosovës dhe rajonit tonë”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Ai konsideron se reforma nis me tekstet mësimore, me përcaktimin e detyrave dhe të drejtave të trupës arsimore, me kushtet e kualifikimit dhe vijimin permanent të tij, dhe vijon me detyrimet e nxënësve, studentëve dhe shoqërisë, në rastin konkret të prindërve.

“Reforma ndoshta duhet të kapë dhe sindikatën, me qëllim që ligji të ndalojë përdorimin politik të saj. Dhe siç e theksova, për të gjitha këto ka eksperienca të shumta. Mjafton vullneti politik për të reformuar sistemin dhe çdo gjë shkon në vendin e vet. Ndërkohë që infrastruktura e arsimit është përmirësuar shumë, niveli i mësimdhënies dhe nxënies është shumë i ulët. Kjo kontradiktë duhet zgjidh me reforma. Por me reforma që shoqërohen me faturë financiare. Për një reformë të thellë ka nevojë edhe arsimi universitar. Qëllimi kryesor të shkëputet nga ndikimet e ndërhyrjet politike, por edhe përcaktimin e kritereve të zhvillimit të procesit me leksione, seminare, tekste cilësore, kërkim shkencor etj”,ka thënë profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat