Flirtet politike, si pengesë e krijimit të koalicionit VV-LDK!

Politika

Flirtet politike, si pengesë e krijimit të koalicionit VV-LDK!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 6 dhjetor 2019 Në ora: 19:54
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Ilir Meta ishte në Prishtinë dhe bëri një rrugë e dy punë. Dekoroi me urdhrin e shqiponjës djemtë dhe vajzat e talentuar të FSK-së e njëkohësisht takoi Albin Kurtin dhe Isa Mustafën. Ky është rasti për ta përshëndetur përpjekjen e presidentit të Shqipërisë sa i përket shqetësimit të tij për krijimin e qeverisë së re në Prishtinë. Dhe në të njëjtën linjë më është dukur edhe interesimi i ambasadorit amerikan, Kosnet, i cili ka vlerësuar publikisht një qeverisje të koalicionit Vetëvendosje – LDK!

Besoj se ky ishte gjithashtu qëllimi i vizitës në Prishtinë i zotit Weber nga Gjermania. Megjithatë koalicioni ka ngec. Palët ende nuk janë gati të nënshkruajnë për t’i dhënë vendit një qeverisje të re, me qëllim që t’i përgjigjen vullnetit të sovranit për ndryshimin e madh, të cilin ata e votuan. VV dhe LDK kanë mundur të përafrojnë qëndrimet dhe të hartojnë një program të përbashkët qeverisës. Por nuk po mundin të kapërcejnë ngërçin e kërkesave absurde për pushtet të disa politikanëve, të cilët në perceptimin e publikut konsiderohen të dështuar. Qytetarët votuan për një klasë të re politike.

Nuk votuan as për Thaçin, as për Mustafën president, edhe pse presidenti mund të vijë nga radhët e LDK-së. Megjithatë e vjetra reziston, provokon dhe nuk dëshiron që vendin e saj ta zënë të rinjtë. Për këtë arsye nuk ka ndonjë surprizë pse Isa Mustafa bashkëpunon me Hashim Thaçin, apo Luta me Kadri Veselin, kundër Vjosa Osmanit. Surpriza është se e vjetra ka mbërthyer Albin Kurtin. Një vizitë e djeshme e grupit të Vetëvendosjes te Profesor Rexhep Qosja, ashtu si edhe bekimi që Albini mori në fillim fushate nga ai, dëshmon se “babai shpirtëror” i zotit Kurti mbetet ende Qosja! E nëse mbetesh rob i Rexhep Qosjes, qoftë dhe për arsye ideologjike apo farë e fisnie, atëherë kjo do të thotë se “e reja – në rastin konkret Albini është votuar për këtë arsye – është peng i gardës së vjetër”! Asnjë lider në botë nuk ka ba hair nëse ka mbet peng i dikujt, qoftë dhe babës së vet biologjik! Kjo panoramë na shpjegon pse nuk po arrihet koalicioni i qeverisjes midis VV dhe LDK-së.

Njëra palë, me Isa Mustafën, bën përpjekje ta linçojë Vjosa Osmanin, pala tjetër me Qosjen bën përpjekje ta largojë Albin Kurtin prej koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. I pari ka vënë kushtin: “O unë president, ose nuk ka koalicion”! I dyti, Qosja, ka vënë kushtin për Albinin: “Ose koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, ose shko në zgjedhje të reja”! Të dy palët, Vjosa dhe Albini, nuk po gjejnë forcë që të dalin mbi interesat e klasës së dështuar politike dhe të bëjnë një qeveri të re, të ndryshme nga qeveritë e mëparshme, që nga koha e Ibrahim Rugovës. Nëse të dy palët do ta kishin seriozisht ta çonin Hashim Thaçin në pension politik, atëherë ata nuk do të lejonin që falangat e Hashimit ta manipulojnë krijimin e këtij koalicioni. Në këtë kuptim, përgjegjësia nuk do të jetë as e Thaçit, as e Mustafës, as e Rexhep Qosjes. Janë Vjosa dhe Albini, ata të cilët kanë në dorë të këpusin zinxhirin e e pengmarrjes. Këta të dy duhet të dalin nga vargonjtë që i kanë mbërthyer, sidomos zoti Kurti, sepse ky me vetëdije shkon dhe merr mend nga një person inatçor, hakmarrës dhe përçarës, edhe pse akademik i Kosovës. Ndërsa Vjosa e ka sfidën e saj me shefin e partisë dhe nuk e ka të lehtë ta arrijë objektivin e saj. Albini dhe Vjosa janë votuar që të kthejnë shpresën për rininë dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Votuesit nuk kanë votuar as Isën, as Hashimin, as Xhepin. Ky i fundit asht matë me zgjedhësit dhe ka marrë një autobus votash.

Ndërsa dy të parët e kanë kullot livadhin! Si të votuar dy liderët e rinj nuk duhet t’i zhgënjejnë zgjedhësit e tyre. Duhet medoemos t’i japin fund mosmarrëveshjeve dhe të formojnë qeverinë. Zonja Osmani duhet t’i bëjë presion Isa Mustafës dhe gardës së vjetër konservatore në LDK dhe për këtë ndoshta është më mirë të bashkëpunojë edhe me Ramush Haradinajn dhe këdo tjetër veç partisë së Thaçit, me qëllim që nëse ndonjë deputet i saj rrëshqet, të sigurojë mazhorancën. Albini duhet ta mbështetë Vjosën dhe jo ta vështirësojë krijimin e koalicionit me flirte me inatçorë. Inatçorët mund t’i respektojë për moshën, kontributet e gjithçka tjetër, por jo në misionin që ia kanë dhënë qytetarët e vendit të tij. Kosova i ka thirr me besë e me shprese në betejë këta politikanë të rinj. Mos e zhgënjeni vendin tuaj! Dhe kjo do të ndodh kur ta vendosni që gardën e vjetër të korruptuar dhe të degraduar ta çoni në pension të përhershëm politik.

Sa më shpejt ta krijoni qeverinë, aq më mirë do të jetë për ju dhe për Kosovën. Lidhja Demokratike ka për detyrë ta ulë në b*y*.. Isa Mustafën dhe t’i tregojë se do të ishte i respektuar, nëse nuk pengon ndryshimin në Kosovë! Nëse ka ende pengesa, atëherë kërkoni ndërmjetësimin e politikanëve shqiptarë të rajonit, të cilët e duan Kosovën. Ndër ta besoj se bën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat