Gjuha prej krimineli e Aleksandër Vuçiq për Masakrën e Reçakut

Politika

Gjuha prej krimineli e Aleksandër Vuçiq për Masakrën e Reçakut

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 7 dhjetor 2019 Në ora: 08:39
Foto ilustrim "Bota sot"

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviq, e quajti vetë masakrën e Reçakut trillim e të inskenuar nga Walker.

Zyrtari i Listës Serbe, ndërkaq, u dënua me 2 vjet burgim, pikërisht se kishte bërë deklaratën e njëjtë për këtë masakër.

Prokuroria Speciale nuk ka dhënë informata nëse për deklarimet e Vuçiqit do të mund të nisë një hetim.

Reagimi i BE-së

Nga Bashkimi Evropian, për “Bota sot”, kanë thënë se nuk mund të përcaktohen nëse deklaratat e Vuçiqit janë vepër penale, por që sipas tyre, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Reçak.

“I përket Gjykatave të përcaktojnë nëse disa deklarata përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes. Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Raçak në Kosovë në janar 1999”, thonë zyrtarët e BE-së.

Sipas tyre, mohimi i gjenocidit është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Regjioni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në përgjigjen e BE-së për gazetën “Bota sot”.

Flet Walker

Ish-ambasadori i misionit të OSBE’së William Walker, ka thënë se nuk është aspak i befasuar lidhur me deklarimet e zyrtarëve nga Beogradi.

Walker, i cili gjatë luftës kishte alarmuar botën për masakrën e Reçakut, në një deklaratë ka thënë se kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të Beogradit bëjnë deklarime të tilla.

“Kjo nuk është hera e parë që në 20 vjetët e fundit që zyrtarë nga Beogradi më kanë quajtur me emra të ndryshëm dhe kanë bërë trillime rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak. Ka dëshmi të shumta se kjo ka ndodhur. Unë kam qenë pjesë e varrimit të 40 e më shumë njerëzve të cilët ishin vrarë dhe masakruar atje. Kemi bërë një hetim dhe hetime të tjera janë bërë gjithashtu për këtë masakër e të gjitha kanë ardhur në përfundimin e njëjtë, sikur ajo çfarë kam thënë unë. Më vjen keq që zotëri Vuçiq nuk pajtohet me këtë dhe që mendon ndryshe. Në 20 vjetët e fundit, vazhdimisht qeveria në Beograd ka tentuar të mohojë atë se çfarë kanë bërë forcat e tyre policore në fshatin e pambrojtur të Reçakut”, ka thënë Walker.

Megjithatë, Walker thotë të jetë tejet i shqetësuar me mosdënimin e personave të cilët kryen këtë masakër, derisa thotë se nuk pret që Serbia të dënojë deklarata të tilla fyese.

“Masakra e Reçakut ishte bërë nga forcat e sigurisë nga Beogradi dhe kushdo që ka qenë përgjegjës për atë masakër, duhet të dalë para drejtësisë. E di që kjo ende nuk ka ndodhur dhe kam frikën se Serbia pretendon se që kjo masakër është mashtrim i rrejshëm. Por, mendoj se bota e di më mirë”, ka thënë ai.

Gashi ushtron kallëzim penal

Avokati Tomë Gashi, ka njoftuar se ka bë kallëzim penal ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se këtë kallëzim penal e ka bë për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor e fetar, apo etnik nga neni 147 të kodit penal të Kosovës.

“Kallëzim penal kundër presidentit të Serbisë. Aleksandar Vuçiq vepren penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të kodit penal të Republikës së Kosovës”, shkruan Gashi në Facebook.

Nga ana tjetër, avokati njohur Spartak Ngjela, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është më i poshtër se vet Millosheviqi, por që nuk e kanë kurajën e tij.

“Këta janë më të poshtër se Milosheviçi... Por nuk kanë forcë dhe kurajë”, tha ai.

Miftaraj: Kosova udhëheq me një politikë të jashtme pa vizion dhe pa strategji

Ndërkaq, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për “Bota sot” theksoi se intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999, ishte si rezultat i krizës humanitare në Kosovë.

Sipas tij, masakra e Reçakut ishte kthesa e cila bëri faktorin ndërkombëtar të reagoj.

Image
Ehat Miftaraj

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999, ishte ri rezultat i krizës humanitare në Kosovë, vrasjeve në masë, spastrimit etnik, e ku masakra e Reçakut padyshim se ishte kthesa e cila bëri faktorin ndërkombëtar të reagoj”, tha ai.

Më tej, Miftaraj, qëndrimet e liderëve shtetëror serb nuk janë diçka e re në raport me Kosovën, veçanërisht krimet e luftës që ndodhën në Kosovë nga aparati shtetëror dhe grupet para – militare.

“Presidenti Vuçiq, dhe skena politike në Kosovë përmes mohimit të krimeve në Kosovë, po dërgon mesazhin se shteti serb nuk është penduar lidhur me krimet e luftës dhe spastrimin etnik, e vetmja pendesë e tyre mbetet se nuk kanë arritur që planin e tyre ta dërgojnë deri në fund.  Kjo shfrytëzohet nga Serbia, për faktin e vetëm se Kosova udhëheq me një politikë të jashtme pa vizion dhe pa strategji”, përfundoi ai.

Reagim kundër deklaratës së Vuçiq, pati dhe nga liderët vendor, në rrjetet sociale kryesisht.

Reagojnë Thaçi e Haradinaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mohimi i krimeve serbe në Kosovë pengon pajtimin dhe paqen mes dyja vendeve.“Unë shoh zyrtarë nga #Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, të konfirmuara nga ICTY, si # Reçak. Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka shkruar Thaçi në Tëitter.

Kurse, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se me deklaratën për masakrën e Reçakut, Vuçiq tregon urrejtjen ndaj shqiptarëve.“Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë. 20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

 Ky krim i llahtarshëm tronditi gjithë opinionin ndërkombëtar. Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

Një reagim të ashpër ndaj deklaratës së Vuçiq, pati edhe nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakut.

Ajo ka thënë se Reçaku ishte një tragjedi e cila u shpalos para syve të botës.

“Reçak ishte një tragjedi e cila u shpalos para syve të botës & zbuloi mizoritë e vërtetë të #regjimit serb në #Kosovë. Mohimi është i unconscionable. Turp për Serbinë”, ka shkruar Çitaku.

Një reagim të ashpër ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, e ka dhënë dhe Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se është e tmerrshme që dhe 20 vjet pas luftës Republika e Kosovës po bart pasojat e gjenocidit serb dhe sikur të mos mjaftonte kjo, padrejtësisht, ushtarët e lirisë po përballen me Gjykatë Speciale.

“Sikur të mos mjaftonte lufta e paskrupullt ndaj ekzistencës së pamohueshme të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Vuçiq nuk ndalë gjuhën e urrejtjes ndaj nesh. Ai vazhdon të mbajë gjallë regjimin e Milloshoviqit”, ka shkruar Lekaj.

Sipas Lekajt, është shqetësuese që një shtet i tillë, i etur për të shkaktuar destabilitet në rajon, të konsiderohet aspirues për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Këta të fundit do të duhej të reflektonin ndaj një lideri të tillë që nuk arrinë të shërojë veten nga urrejta e sëmurë për shqiptarët dhe të korrigjonin padrejtësitë që i janë bërë shtetit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat