Pse heshti Hashim Thaçi për intervistimin e Kadri Veselit nga Specialja? - Bota Sot
Pse heshti Hashim Thaçi për intervistimin e Kadri Veselit nga Specialja?

Politika

Pse heshti Hashim Thaçi për intervistimin e Kadri Veselit nga Specialja?

Nga: V.R Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 23:08
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është intervistuar sot për 3 orë rresht në Gjykatën Speciale.

E çuditshmja është se, paraardhësi i tij, Hashim Thaçi, nuk pati ndonjë reagim konkret në mbështetje të Veselit gjatë kohës  sa ai intervistohej  në Gjykatë.

Kjo heshtje e Thaçit, është një lloj mesazhi sipas publicistit Enver Bytyçi.

“Zoti Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ishte për intervistë në Gjykatën Speciale. Duket se kjo gjykatë ka filluar seriozisht punën e saj dhe se situatat politike po e favorizojnë atë të kryejë funksionet për të cilat është ngritur. Sigurisht që është heret të thuhet se çfarë do të bëhet. Nuk ka ende të arrestuar. Nuk ka ende akuza konkrete që ngrihen për persona përgjegjës për krimet, sidomos ato të pasluftës.  Por duhet thënë se marrja në hetim e Kadri Veselit është kthesë në veprimtarinë e kësaj gjykate. Sepse zoti Veseli është nyja e zgjidhjes së këtij konflikti për ndriçimin e gjithçkaje çfarë ka ndodhur në konfliktin brendashqiptar të viteve 1998-2005. Është nyja e zgjidhjes së dilemave, hamendjeve dhe hipotezave, sepse ai ishte njeriu kyç i të gjitha ndodhive. Së paku ka dijeni për ato çfarë ka ndodhur. Edhe nëse para ngjarjeve tragjike të vrasjeve nuk ka patur dijeni, shërbimi i fshehtë i tij jolegjitim, jo ligjor, ka zbuluar dhe e di gjithçka që ka ndodhur me vrasjet kundër kundërshtarëve politikë”, tha ai.

Bytyçi, për “Bota sot”, tha se si Veseli e poashtu edhe Thaçi, heshtën për krimet. Heshtën për tentim/vrasjet ndaj Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugovës, vrasjes së Xhemajl Mustafës, Enver Malokut dhe të gjithë politikanëve të tjerë rugovistë.

“Derisa besohet që Kadri Veseli është në dijeni të veprave kriminale, kjo do të thotë se shefi i tij, Hashim Thaçi, ka gjithashtu informacion të plotë për këto krime dhe vrasje. Pyetja që shtrohet është pse ai si kryeministër dhe si president i vendit nuk kontribuoi në asnjë rast për të bërë drejtësi. Pse nuk e bënë këtë as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli. Në përgjigje të kësaj pyetjeje me të drejtë gjithkush shpreh dyshimin normal se ata janë të implikuar në ndonjë ose disa krime të këtij lloji. Kësisoj duhet thënë se gjykata speciale duhet të ketë grumbulluar të dhëna të sakta për veprat kriminale të kryera. Thuhet se kjo gjykatë drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E vërteta është se ndikon në imazhin e Kosovës, se kjo gjykatë i konvenon interesit serb. Por këtë shërbim Serbia e ka peshqesh nga ata që donin ta çonin Kosovën në vëllavrasje. Falë Zotit pala e dëmtuar kishte në drejtimin e saj një njeri të urtë e të matur, atdhetar dhe me autoritet të pakontestueshëm, kishin Ibrahim Rugovën, dhe Kosova i shpëtoi një konflikti të brendshëm”, tha Bytyçi.

Çfarë roli kanë në këtë konflikt Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli?

“Më e pakta që duhet thënë, ata kishin dijeni për krimet dhe heshtën. Së paku duhet të mbajnë përgjegjësi për moskallëzimin e krimit që është kryer kundër Ibrahim Rugovës, kundër Xhejmal Mustafës, Enver Malokut si dhe të gjithë politikanëve të tjerë rugovistë, gazetarëve etj”, tha ai.

 

Bytyçi, përsëriti duke thënë se Thaçi e Veseli mendojnë se heshtja është modeli më i mirë i mbrojtjes. Por sipas tij, heshtja nuk i demanton të vërtetat që kjo gjykatë mund të provojë.

“Ata besojnë se heshtja është modeli më i mirë i mbrojtjes. A do t’i shpëtojë heshtja? Mendoj se heshtja nuk i demanton të vërtetat që kjo gjykatë mund të provojë. Kodi i heshtjes u aplikua edhe në paraqitjen në Hagë, edhe në deklarimet për opinionin publik. Me këtë kod sjelljeje ata synojnë dy objektiva:

Së pari, të krijojnë një lloj misticizmi, një lloj enigme, rreth gjykatës, akuzave dhe personazheve të akuzuar. Dhe përmes këtij misticizmi të injektojnë më lehtë idenë se gjykata Speciale e votuar nga këta të dy, nuk drejtohet kundër Hashim Thaçit ose Kadri Veselit, por kundër UÇK-së. Kjo lojë do të funksionojë, nëse gjykata nuk do t’i publikojë akuzat ndaj të akuzuarve. Por unë mendoj se akuzat do të bëhen publike dhe kësisoj qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të vlerësojnë, nëse Haga drejtohet kundër atyre që kanë bërë vepra kriminale, apo kundër UÇK-së. Eshtë e sigurt se UÇK- nuk do të ketë asnjë akuzë dhe se kushdo që do dënohet e ndëshkohet do të vuajë për shkak të vrasjeve kundër shqiptarëve.

Së dyti, mendihet se kodi i heshtjes do t’i ndihmojë për mosndriçimin e krimeve që janë bërë, sidomos pas luftës. Me heshtjen thuhet se nuk zbulohen bashkëpunëtorët dhe mundet që disa me këtë formë t’i shpëtojnë ndëshkimit. Por nuk besoj se Gjykata Speciale nis punën e saj pa prova dhe fakte, pa dëshmi dhe dëshmitarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat